Një përplasje që nisi në një kafene në qendër të Skënderajt po trazon politikën e së enjtes në Kosovë. Akuza për dhunë fizike, “bandë”, provokim politik dhe ndërhyrje truprojash kanë shpërthyer sot mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku. Në qendër të incidentit është Hysni Mehani, kryetar i VV-së në Skënderaj dhe zëvendësministër i Financave, i cili pretendon se është sulmuar fizikisht nga Lushtaku dhe shoqëruesit e tij në kafeterinë “Solo”.
“Të dashur miq jam sulmuar nga Sami Lushtaku dhe banda e tij. Telefonin personal ma kanë marrë. Lus policinë të mbrojë familjen time dhe ftoj familjarët për përmbajtje ”, shkroi Mehani në rrjete sociale.
Pak më vonë reagoi edhe Vetëvendosje, e cila publikoi foton e Mehanit ku ai duket i përgjakur dhe e përshkroi ngjarjen si “sulm brutal”. Sipas versionit të partisë, Mehani ishte duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të VV-së kur fillimisht është goditur me grusht dhe më pas me gotë në kokë.
VV-ja pretendon se gjatë përplasjes është sulmuar edhe sekretari i degës në Skënderaj, Bahri Zabeli, i cili kishte tentuar të ndërhynte për të shmangur eskalimin.
“Fillimisht, Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Pas përpjekjes së Sekretari të Qendrës, Bahri Zabeli për të parandaluar përshkallëzimin është sulmuar dhunshëm nga shoqëruesit e Sami Lushtakut edhe ai duke pësuar goditje të rënda. Hysni Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor. Ky sulm fizik banditesk tregon qartë pse këta njerëz nuk e kanë vendin në udhëheqje të institucioneve publike”, deklaroi partia, duke kërkuar reagim urgjent nga drejtësia dhe distancim të PDK-së.
“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmojë në Skënderaj”, shkroi Lushtaku.
Ai reagoi edhe ndaj etiketimeve politike që, sipas tij, po përdoren prej kohësh ndaj tij.
“E kam një jetë në shërbim të vendit, kurse etiketat si ‘Sami Serbia’ qytetarët nuk i tolerojnë më, prandaj edhe reaguan”, deklaroi ai.
Deri tani, Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje zyrtare për rastin. Megjithatë në rrjet janë publikuar video të ndryshme që pretendojnë të kenë filmuar konfliktin.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar pas sulmit fizik ndaj zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani, që ndodhi në Skenderaj. Përmes një reagimi publik, Gërvalla e cilësoi incidentin si “sulm kriminal e banditesk”, duke thënë se akte të tilla janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj institucioneve dhe funksionimit të shtetit.
“Ky akt, përveçse është i papranueshëm, përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve dhe funksionimit të shtetit të Kosovës, si dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve. Synojnë që fushata zgjedhore të jetë e përcjellë nga dhuna, frikësimi dhe logjika e forcës, të cilat nuk kanë vend në Republikën tonë”, deklaroi ajo.
Ajo shtoi se këto janë “metoda primitive” të atyre që, sipas saj, shtetin e shohin si pronë private dhe sundimin e ligjit si provokim. Në fund, Gërvalla kërkoi reagim të menjëhershëm nga organet e rendit dhe drejtësisë.
“Pres që institucionet e rendit të reagojnë menjëherë dhe pa kompromis. Autorët e sulmit duhet të përballen me drejtësinë pa asnjë vonesë. Kjo Republikë e ky shtet nuk i nënshtrohet dhunës. Pikë”, përfundoi ajo.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka dënuar ashpër sulmin ndaj zëvendësministrit në detyrë të Financave, Hysni Mehani, duke kërkuar reagim të menjëhershëm nga organet e rendit dhe drejtësisë.
Në reagimin e saj, Haxhiu tha se dhuna fizike në jetën publike përbën “cenim të drejtpërdrejtë të sigurisë së qytetarëve, të lirisë së veprimit politik dhe të vetë kulturës demokratike”. Haxhiu theksoi se mandati publik nuk duhet të përdoret për arrogancë apo forcë ndaj kundërshtarëve politikë.
Ajo u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të veprojnë pa hezitim ndaj çdo personi të përfshirë në incident.
“Ftoj organet e rendit dhe institucionet përgjegjëse që të veprojnë menjëherë, me profesionalizëm dhe pa asnjë hezitim, në mënyrë që çdo person i përfshirë të përballet me drejtësinë dhe të japë përgjegjësi para ligjit”, tha Haxhiu.
Në fund, ajo i uroi Mehanit shërim të shpejtë dhe apeloi për qetësi dhe besim në institucionet e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dënuar sulmin ndaj zëvendësministrit në detyrë të Financave, Hysni Mehani, që ndodhi në Skenderaj. Në nisje të mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se incidenti është i papranueshëm dhe kërkoi reagim të menjëhershëm nga organet e rendit dhe drejtësisë.
“Sipas raportimeve, Hysni Mehani u sulmua me grushte dhe u godit në kokë me gotë teksa po pinte kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të tjerë. Qeveria e Kosovës e dënon këtë sulm qyqar e të papranueshëm që shpërfaq mendësi banditeske”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se veprime të tilla nuk do ta ndalin Vetëvendosjen në garën politike dhe u bëri thirrje institucioneve që të ndërmarrin masa urgjente ndaj përgjegjësve.
Komente









