Partia Demokratike kërkon një përballje urgjente me ministren e re të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, në Kuvend lidhur me krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore dhe gjendjen në shërbimin onkologjik. 

Për këtë arsye, grupi parlamentar i demokratëve i ka dërguar Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, një kërkesë për interpelancë urgjente, duke argumentuar se ngritja e operatorit të ri është bërë pa transparencë dhe krijon pikëpyetje për mënyrën si do të funksionojë. Demokratët kundërshtojnë argumentin e qeverisë se struktura e re do të shërbejë për luftën kundër korrupsionit, duke pretenduar se rrezikon të funksionojë pa kontroll dhe llogaridhënie.

Opozita ngre gjithashtu shqetësimin se operatori mund të mbivendoset me kompetencat e institucioneve që tashmë veprojnë në sistemin shëndetësor, si Ministria e Shëndetësisë, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe Operatori i Blerjeve të Përqendruara.

Në kërkesën për interpelancë, demokratët ndalen edhe te situata në Onkologjiku, duke theksuar se mungesa e pajisjeve të rëndësishme, si PET/CT skaneri, akseleratorët dhe brakiterapia, po vështirëson diagnostikimin dhe trajtimin në kohë të pacientëve me sëmundje tumorale.

Për këtë arsye, deputetët e PD-së kërkojnë që ministrja Spahiu të japë shpjegime në Kuvend për krijimin e operatorit të ri, menaxhimin e fondeve dhe masat e marra për përmirësimin e shërbimit onkologjik.

Kërkesa është firmosur nga deputetët Bardh Spahia, Jorida Tabaku, Elda Hoti, Agron Gjekmarkaj, Gazment Bardhi, Igli Cara dhe Besart Xhaferri.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë