Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Ulqinin, ku një 46-vjeçar nga Kosova dyshohet se ka vrarë partneren e tij shqiptare dhe më pas i ka vënë flakën shtëpisë ku jetonin bashkë. Policia malazeze bëri të ditur se i dyshuari është Bashkim Gashi, i cili akuzohet se ndërsa gdhihej e mërkura vrau partneren e tij  36 vjeçare, me inicialet D.N. dhe nënshtetësi shqiptare.

Sipas autoriteteve, rreth orës 00:30 policia u njoftua për një zjarr në një shtëpi në lagjen Kodre në Ulqin. Menjëherë pas mbërritjes në vendngjarje, efektivët gjetën trupin e pajetë të gruas brenda banesës së përfshirë nga flakët. Pak më vonë, policia identifikoi dhe vuri nën kontroll Bashkim Gashin, i cili kishte pësuar djegie nga zjarri. Fillimisht ai u dërgua në spitalin e Tivarit dhe më pas në Qendrën Klinike të Podgorica, ku po trajtohet nën mbikëqyrjen e policisë.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se pas vrasjes, 46-vjeçari i ka vënë zjarrin banesës dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia tha se janë marrë në pyetje disa persona, janë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë dhe prova materiale që do t’i nënshtrohen ekspertizës. Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Lartë Shtetërore në Podgoricë, e cila e ka cilësuar rastin si “vrasje të rëndë”.

Trupi i viktimës është dërguar për obduksion mjeko-ligjor, ndërsa autoritetet pritet të zbardhin shkakun e saktë të vdekjes dhe rrethanat e plota të ngjarjes.

“Lidhur me ngjarjen është njoftuar prokurori i shtetit në Prokurorinë e Lartë Shtetërore në Podgoricë. Zyrtarët policorë, në koordinim dhe me urdhër të prokurorit kompetent, kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet për zbardhjen e rastit, kanë marrë deklarata nga disa persona dhe kanë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë, si dhe prova materiale nga vendi i ngjarjes që do t’i nënshtrohen ekspertizës. Veprimet e deritanishme policore dhe prokuroriale tregojnë dyshime se B.G. ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ka shkaktuar zjarr në vendin e ngjarjes dhe më pas është larguar nga aty. Trupi i viktimës D.N. është dërguar për obduksion mjeko-ligjor në Qendrën Klinike në Podgoricë, ku do të përcaktohen shkaku i vdekjes dhe rrethanat e sakta në të cilat ka ndodhur vdekja. Personi B.G. është vënë nën kontroll dhe po ruhet nga policia në Qendrën Klinike, ku po trajtohet për djegiet që ka pësuar gjatë ngjarjes. Publiku do të njoftohet me kohë për informacione të tjera lidhur me rastin nga organet kompetente që po merren me hetimin”, thuhet në njoftim.