Një ngjarje tronditëse që përfshin një shtetas shqiptar ka ndodhur në Britaninë e Madhe.
Klevi Pirjani, 37 vjeç, është dënuar me 19 vite burg pasi u shpall fajtor për vrasjen e djalit të tij vetëm 3 muajsh. Bashkëshortja e tij, Nivalda Santos Pirjani, 35 vjeç, u dënua me 15 vite e 3 muaj.
Ngjarja ndodhi në nëntor 2024 në Liverpool, ku foshnja, Miguel Pirjani, u gjet pa ndjenja në banesë. Prindërit pretenduan se ai kishte ndaluar së marri frymë, por hetimet zbuluan një realitet shumë më të rëndë.
BBC citon mjekët, sipas të cilëve, fëmija kishte frakturë në kafkë dhe dhjetëra dëmtime të tjera në trup, të shkaktuara në mënyrë të përsëritur gjatë javëve para vdekjes.
Prokuroria theksoi se foshnja ishte plotësisht në varësi të prindërve, por ata jo vetëm që nuk e mbrojtën, por u bënë përgjegjës për vdekjen e tij.
Edhe policia e cilësoi rastin si një nga më tronditësit, duke theksuar se ndaj një foshnjeje të pambrojtur ishte ushtruar dhunë ekstreme pa asnjë shpjegim nga prindërit.
Komente









