Ndërtimi mbetet me risk për pastrimin e parave, por nuk duhet të kriminalizojmë të gjithë sektorin iu përgjigj opozitës, kreu i Agjencisë së Inteligjencës Financiare në komisionin e Çështjeve të Brendshme, Ervin Koçi. Pasuritë e paluajtshme janë promotor i zhvillimit ekonomik të vendit.
***
Pastrimi i parave të krimit në sektorin e ndërtimit dominoi diskutimet e deputetëve të Komisionit për Çështjet e Brendshme, ku u miratua projektligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit.
"Paraja e krimit të organizuar, nëse nuk luftohet shkon lehtësisht në terrorizëm. Sa herë flasim për paranë e pistë të krimit që qarkullon lirshëm, ne kemi një heshtje institucionale të gjerë",- tha deputeti Erald Kapri.
"E pabazuar në analizë, rreziku ekziston si në çdo vend. Sot çdo transaksion I dyshimtë, ndiqet, analizohet, hetohet dhe mund të bllokohet",- tha deputeti Pirro Vnegu.
"107 leje për kulla mbi 20 kate 80% e tyre janë me parapagim… nuk ka biznesmen në botë që të ndërtojë kulla me parapagim nga vijnë këto para?",- tha deputeti Klevis Balliu.
Ervin Koçi, Agjencia e Inteligjencës Financiare të Shqipërisë: "Nuk mund të kriminalizojmë të gjithë sektorin e ndërtimit. Pasuritë e paluajtshme janë risku më i madh, këtu kanë vepruar edhe me shumë organet ligj zbatuese. Ndërtimi është promotori i zhvillimit të vendit",- deklaroi Ervin Koçi, kreu i Agjencisë së Inteligjencës Financiare të Shqipërisë.
Rënia e euros në nivele historike lexohet nga opozita si një tjetër tregues së në vend qarkullon para informale.
"Ulja e euros, sot është 95.3 lekë rekord historik, llogjika e vetme është qarkullimi në masë I saj. Ne flasim për ligje antiterrorizmi kur nuk merremi me problemet reale, që është paraja e zezë",- tha Kapri.
"Së pari prej numrit të turistëve. sot ka 12 milion dhe kjo sjell rritje të ofertës monetare në cash. Janë rritur remitancat, ka qenë 700 milion janë dyfishuar, 1.4 -1.5 mld euro. Eksportet shqiptare janë rritur duke afruar më shumë euro. Janë rritur pasuritë e paluajtshme. Janë mbi 5 mijë të huaj që blejnë ose porosisin pasuri të paluajtshme",- tha Koçi.
Rritja e çmimit të banesave në Shqipëri sipas Kreut të agjencisë së Inteligjencës Financiare, është pasojë e rritjes së kostove të ndërtimit, rritjte të ofertës por edhe kërkesës në treg, duke veçuar edhe ndikimin e taksat vendore, sipas tij më të lartat në rajon. Koçi tha në përgjigje për deputetët se një grup pune heton me prioritet edhe kriptoastet, për të cilat po përgatitet një projektligj i ri.
Komente











