TIRANË- Ish-presidenti Bamir Topi u pyetur për 1 orë e gjysmë në SPAK si person që ka dijeni për krimin shtetëror të 21 janarit. Topi ka qenë President në 2011-ën, kur gjatë qeverisjes së Sali Berishës, 4 protestues u vranë nga plumbat e shtetit, ndërsa të tjerë mbetën të plagosur.

Në dalje të Prokurorisë, ai refuzoi të japë koment dhe detaje mbi atë se çfarë ka rrëfyer para prokurorëve të posaçëm, duke theksuar se është ende një çështje në hetim.

“Kisha një thirrje nga SPAK për çështjen e 21 janarit, për të dëshmuar atë çfarë di unë. Kam qenë në atë kohë kryetar shtetit, unë kam folur vazhdimisht për 21 janarin. Duke dalë nga ky institucion, meqë është në proces hetimi, mjafton t’iu them vetëm kaq. Dihet funksioni i SPAK, është hetimi për të dalë tek e vërteta. Në respekti të institucionit, me lejoni ta mbyll këtu. Gjithçka është në fazë hetimi. Kam folur pafund”, tha Topi. 

Hetimet për krimin shtetëror të 21 janarit nisën nga SPAK korrikun e vitit të kaluar, pas regjistrimit për veprat penale të vrasjes në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, shpërdorim detyre dhe pengim të drejtësisë.

Ish ministri i Brendshëm Lulzim Basha, e më pas ish Kryeministri Sali Berisha janë dy figurat kryesore, edhe në atë ngjarje, që janë thirrur deri më tani për t’u marrë në pyetje.

Lajmi në përditësim...