Në vitin 2012, grupi parlamentar i Partisë Socialiste, i kërkoi ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-kryetares së Kuvendit Jozefina Topallit, ndryshimin e ligjit të ri nr. 9861, datë 24.1.2008, i cili kishte rrëzuar kufijtë e përcaktuar. Amendamenti i PS nuk u pranua... Ndërkaq, ligji i ri i për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, ka vetëm një nen për çështjen e kufirit, pasi merret vetëm me kontrollin e tij. Në nenin tre të ligjit thuhet se kufiri shtetëror i RSH është i vendosur dhe rregullohet në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi si dhe traktateve dypalëshe apo shumëpalëshe të lidhura me vendet e tjera. Edhe ky nen është abuziv, pasi në fakt një pjesë e kufirit shtetëror ka rënë po me këtë ligj.”
Pohimet e mësipërme janë përgjithësisht të drejta dhe shprehin një shqetësim të sinqertë të autorit, i cili është prezantuar kurdoherë me integritet qytetar e intelektual të padyshimtë. Me cilësinë e specialistit të fushës, duke shpresuar se do të kem mirëkuptimin e tij, i prirur vetëm nga dëshira për t’iu sqaruar lexuesve se ç’ka ndodhur realisht dhe cili është interpretimi i saktë juridik i ndodhisë, do të përpiqem të shpjegoj shkurtimisht veprimet e kryera dhe pasojat e ardhura.
Është e padiskutueshme që në vitin 1998, qeveria e kohës, në vazhdën e disa veprimtarive që binin ndesh me interesat kombëtare të shqiptarëve, propozoi dhe kaloi në parlament ligjin Nr. 9861, datë 24.1.2008, “Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror”, nëpërmjet të cilit shfuqizoi ligjin nr.8771 datë 19.4.2001 “Për kufirin shtetëror të Shqipërisë”, si dhe disa ligje të tjera që kishin lidhje me të.Në këtë mënyrë, befasisht, rreth një muaj përpara nisjes së negociatave shqiptaro-greke për kufirin detar, u shfuqizua gjithë sistemi normativ që rregullonte juridikisht çështje që kishin të bënin me shtrirjen dhe regjimin e kufirit shqiptar, vijat bazë të bregdetit shqiptar, ujrat e brendshme, ujrat territoriale, zonën e puqur, regjimin e tyre etj. Neni 53 i tij, thoshte se Ligjet nr.8771, datë 19.4.2001, nr.8772, datë 19.4.2001 “Për ruajtjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë” dhe çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen. Për pasojë mbetej pa fuqi, ndër të tjera edhe neni 2 i ligjit “Për kufirin shtetëror të Shqipërisë”, që përcaktonte shprehimishtse vija e kufirit shqiptaro-grek në zonën e kanalit (ngushticës) të Korfuzit, kalonte pikërisht midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes Kanalit të Korfuzit. Ishte abroguar një përcaktim gati shekullor i ardhur që nga Vendimi i Konferencës së Londrës, i 11 gushtit 1913 dhe Protokolli i Firences, i 27 janarit 1925, asnjëherë i kontestuar. Me ligjin e janarit 2008 ishin shfuqizuar vijat bazë të bregdetit shqiptar, një element i rëndësisë së veçantë dhe, në një farë kuptimi conditio sine quoi non, për caktimin e kufirit të jashtëm të ujrave të brendshme detare dhe kufirit të brendshëm dhe të jashtëm të ujrave territoriale. Sikurse shkruhet me të drejtë në shkrimin e lartpërmendur, u shkaktuan dëme të konsiderueshme përsa i përkiste shtrirjes së kufirit të jashtëm të ujrave territoriale.Z. Artur Meçollari, kapiten i rangut të parë, një prej anëtarëve të delegacionit shqiptar, të propozuar për negociatat e këtij viti me delegacionin grek, në shkrimin me titull, “Letër publike Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës,” të 5 qershorit, 2017, bën aludime që meritojnë vëmendje dhe që ndoshta mund të shpjegojnë ndodhinë e pashpjegueshme. Duke iu drejtuar prokurorit të përgjithshëm i kërkon të hetojë se “Cili ka qenë roli i Shefit të PAMECA-s në vitin 2007 për shfuqizimin e Ligjit nr. 8771, datë 19.04.2001 ”Për kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë” dhe nëse ka pasur, a ka qenë ky rol në konflikt interesi për shkak të kombësisë së tij?”
Për hir të së vërtetës, kjo paudhësi, që cenonte rëndë interesat kombëtare dhe tërësinë territoriale të vendit, u konstatua shpejt nga specialistët përkatës, u vu në dukje dhe u lobua fuqimisht me deputetët e parlamentit shqiptar të asaj kohe, për ta koregjuar sa më parë. Kuvendi, nëpërmjet Ligjit Nr. 60/2012, Për një ndryshim në ligjin nr. 9861, i datës 24.1.2008, Për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, restauroi pjesërisht situatën e përcaktuar me ligjinNr. 8771, datë 19.4.2001, duke rikthyer në fuqi nenin 2 të tij. Ai përshkruante dhe sanksiononte vijën e drejtë bazë që shkonte nga Kepi i Rodonit (Muzhit), Kepi i Pallës, i Lagjit (Kalasë së Turrës), derdhja e Semanit, derdhja e Vjosës, bregu perëndimor i ishullit të Sazanit, Kepi i Gjuhëzës dhe i Gjiut të Gramës dhe mandej midis bregdetit shqiptar dhe ishujve të Republikës Greke deri përmes Kanalit të Korfuzit. Ujërat në brendësi të kësaj vije deri në pjesën tokësore të territorit shtetëror shqiptar përfshiheshin në ujërat e brendshme detare, kurse hapësira ujore përtej saj përbënte ujërat territoriale të Shqipërisë.
Edhe pse ajo nuk ishte një zgjidhje e goditur nga pikëpamja e teknikës legjislative, sidoqoftë u korregjua një situatë anormale dhe u rivendos dispozita që sanksiononte juridikisht pikënisjen prej nga do të matej kufiri i ujrave territoriale të vendit.
Pohimi i autorit të shkrimit të mësipërm nuk është as i pari dhe as i vetmi. E ka thënë edhe një nga ata që është përfshirë në listën e delegacionit të propozuar nga ministri për Europën dhe Punët e Jashtme për të negociuar me palën greke. Gati dy vjet më parë, ai është shprehur në publik, përballë kamerave të një televizioni kombëtar, madje edhe në një konsultë të organizuar me disa specialistë të kësaj fushe në mjediset e MEPJ, se midis dy vendeve nuk ka kufij shtetërorë detarë. Nëse ai e ka mbajtur këtë qëndrim, krejtësisht të pavërtetë, të pambështetur nga pikëpamja juridiko-ndërkombëtare dhe historike edhe gjatë shkëmbimit të deritanishëm të mendimeve midis të dyja palëve, ka të ngjarë që të jetë lejuar një gabim me pasoja të rënda. Po qe se kjo është bërë, delegacioni ka gjithë kohën e mjaftueshme të reflektojë, të studiojë me përgjegjësi dokumentacionin përkatës, të konsultohet me ekspertëtë e fushës, të përcaktojë qëndrimin e duhur dhe të kërkojë restaurimin e së vërtetës.
Këtë pikëpamje e ka shprehur disa vjet më parë, në një mënyrë disi më të ndryshme, me shqetësim krejtësisht të përligjur edhe kryetari i Partisë Socialiste. Në një dalje të tij në publik, në nëntorin e vitit 2012, i kërkonte qeverisë shqiptare të asaj kohe, që të merrte përsipër përgjegjësinë për qorrsokakun që kishte vizatuar në hartë dhe të ulej menjëherë me fqinjët, pa humbur asnjë ditë, për të gjetur rrugën e arsyes. Shtonte se “100 vjetori i shtetit po e gjen Shqipërinë të cunguar territorialisht... është detyrim ekskluziv i kësaj qeverie që kufiri i vendosur qorrazi prej saj në dëm të interesit tonë kombëtar, të spostohet në vendin e vet dhe çdo pëllëmbë deti i Shqipërisë të mbetet det i Shqipërisë”.Çështja trajtohej në mënyrë të gabuar, sepse nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, del qartë se nuk pati dhe nuk ka marrëveshje në kuptimin e legjislacionit të brendshëm të Shqipërisë dhe të Greqisë apo edhe në kuptimin juridiko-ndërkombëtar të fjalës.E ashtuquajtura marrëveshje nuk u ratifikua nga asnjera prej palëve dhe si e tillë nuk mori vlerën e duhur juridike dhe rrjedhimisht nuk u regjistrua as në Sekretariatin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, siç parashikohet nga neni 102 i Kartës së OKB.
Në këto rrethana është gabim dhe nuk duhet thënë në asnjë lloj konteksti që Shqipëria ka 10 vite pa kufij shtetërorë, që kufiri të spostohet në vendin e vet ose që Shqipëria është cunguar territorialisht. Asnjë nga këto nuk është e vërtetë.Juridikisht kufiri ka mbetur i qartë dhe i përcaktuar, atje ku ishte deri para 27 prillit 2009 dhe nuk është zhvendosur as një milimetër, kurse territorit shqiptar nuk i është hequr asnjë milimetër kub tokë, ujë apo ajër.Shqipëria i ka kufijtë e vet, të përcaktuar, të njohur dhe të respektuar nga vendet fqinjë, shtetet e tjerë dhe organizatat ndërkombëtare. Në raste të caktuara ai mund të mos jetë respektuar nga ndonjë anije e huaj, por ky veprim nuk është i barabartë me mosekzistencën e kufirit.
Saktësimi i mësipërm nuk do të thotë aspak se nuk lypset gjetja e një zgjidhjeje të drejtë dhe të ndershme për ndarjen e kufijve të Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekonomike Ekskluzive ndërmjet dy vendeve, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare, posaçërisht të së drejtës së detit, precedentët e trajtimit të çështjeve të tilla nga shtetet me konfiguracion gjeografik të njëjtë a të ngjashëm, vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Gjykatës Ndërkombëtare të së Drejtës së detit, arbitrazhit ndërkombëtar ose institucioneve të tjera ndërkombëtare.
Nuk është i vërtetë gjithashtu as pretendimi se amendamenti i PS nuk u pranua.U pranua dhe prandaj Kuvendi miratoi ligjin e lartpërmendur të vitit 2012.Ai, së bashku me gjithë sistemin tjetër normativ, në harmoni me politikën e jashtme parimore, të drejtë dhe paqësore, të ndjekur nga qeveria shqiptare, i ka shërbyer forcimit të qëndrueshmërisë së marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe grekëve. Është detyrë e qeverive të të dy vendeve, që, duke u bërë shprehës besnikë të ndjenjave miqësore që shqiptarët dhe grekët ushqejnë për njëri tjetrin, të respektojnë rigorozisht parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, barazinë, respektin reciprok të tërësisë territoriale dhe sovranitetit, mosndërhyrjen në punët e brendshme, fqinjësinë e mirë, mospërdorimin e mashtrimit, presionet ose kërcënimet etj. Në këtë mënyrë këta dy popuj miq, do të ecin drejt të ardhmes europiane të çliruar nga pengjet e një të kaluare problematike, që duhet kapërcyer sa më shpejt që të jetë e mundur.
Ps: Titulli original I autorit: “Kufijtë e Shqipërisë janë të përcaktuar, të njohur dhe të respektuar, çka lehtëson ndarjen e Zonës Ekonomike Ekskluzivedhe Shelfit Kontinental”.* Autori është dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.
d.b/shqiptarja.com









