VANCUVER - Nëse besoni se historia e dashurisë mes kanadezëve dhe kryeministrit Justin Trudeau vazhdon të jetojë muajin e mjaltit, e keni gabim. Një yll i ri në politikën e Kanadasë ka pushtuar tashmë vëmendjen e qytetarëve të vendit ndoshta më multikulturor në botë.
Njihuni me Jagmeet Singh, një avokat sikh (fe e lindur në shekullin e 15-të në rajonin Punjab të subkontinentit indian) nga Ontario, bir i dy emigrantëve nga India. Ai sfidoi këtë vjeshtë establishmentin e partisë Demokrate të Re, duke u zgjedhur kryetar i saj që në raundin e parë, diçka që nuk kishte ndodhur që nga themelimi i kësaj partie, në gusht të vitit 1961.
Demokratët e rinj janë përfaqësuesit e së majtës së re, një formacion që gjithnjë e më shumë po gërryen elektoratin e liberaleve të Justin Trudeau, - i cili akuzohet nga kritikët se, pavarësisht imazhit që ka ndërtuar si progresist në tema sociale, favorizon në të vërtetë më shumë të pasurit me politikat e tij, se të varfrit, - dhe elektoratin e konservatorëve të djathtë në opozitë.
Nëse do na duhej ta krahasonim këtë parti me ndonjë të ngjashme në Europë do të ishte e vështirë sepse dy polet e perëndimit euro-atlantik kanë shumë veçori që i dallojnë. Nëse do duhet ta bënim këtë gjë me domosdo, atëherë mund të themi se ka më shumë ngjashmëri me laburistët e Jeremy Corbin, se me centristët e dikurshëm të Tony Blair. Do të ishte ndoshta më afër Syrizës së hershme të Aleksis Tzipras, apo me të gjelbrit europianë, se me PASOK-un e dikurshëm, apo me të majtët e Matteo Renzit, apo akoma më shumë me eurosocialistët klasikë të establishmentit europian, ku bën pjesë dhe PS-ja e Edi Ramës.
Ndërsa në Amerikë, i ngashëm me të është vetëm Bernie Sanders dhe deri diku senatorja nga Massachusetts Elizabeth Warren.
Jagmeet Singh mbështet një sistem të taksimit progresiv. Por ndryshe nga propozimi i socialistëve të Shqipërisë, për shembull, që kërkojnë të përjashtojnë nga TVSH pasanikët që do të investojnë në ndërtimin e hoteleve me 5 yje, ai është kundër çdo lloj uljeje të taksave për të pasurit.
Ai kërkon ngritjen e pagës minimale në Kanada nga 11.25 dollarë në orë (mesatarja e gjithë provincave), në 15 dollarë. Në fushën e energjisë dhe klimës ai uljen e emetimit të gazrave në 30 përqind, deri në vitin 2025. Ndërsa në aspektin social është po aq feminist sa Justin Trudeau e në mos më shumë.
Mbështet dekriminalizimin e përdorimit vetjak të çdo droge, përfshirë ato të rënda, një propozim që ngjan kontroversial edhe në Kanadanë liberale, ku përdorimi i marihuanës është tashmë legal.
Më tej, ai mbështet politikat që do të adresojnë problemet e strehimit dhe të marxhinalizimit të komunitetit LGBTQ+.
Po a është vërtet gati Kanadaja për një kryeministër me çallmë?
Në fakt, kjo ngjan diskriminuese në një vend ku, për shembull, një pyetje e tillë nuk do t’i bëhej kurrsesi një kandidati fjala bie, me origjinë nga Irlanda!
Por një pyetje e tillë merr kuptim për shkak se Jagmeet është rasti tipik i një politikani që meqë besimin e tij fetar e vendos dukshëm në qendër të profilit të tij, atëherë njerëzit pyesin me njëfarë shqetësimi se deri ku bindjet fetare ndikojnë në bindjet e tij politike?
Në shkurt të 2017 versioni kanadez i Huffington Post vendoste këtë titull në portretin e saj të parë për Jagmeet Singh: “Jagmeet Singh është i ri, fotozhenik dhe një politikan konfident. Ju ngjan familjare?”, duke aluduar sigurisht, se ky avokat mund të ishte i vetmi sfidant i Justin Trudeau.
E me një stil alla Trudeau ai duket se i çarmatos kundërshtarët apo skeptikët. Duke pranuar të përballet me ta dhe jo duke i evituar, Jagmeet e ka një përgjigje edhe për aspektin fetar të qenies së tij politike.
“Që kur isha 7 vjeç fillova ti mbaj flokët e gjatë dhe të përdorja një version për fëmijë të turbanit (çallmës)”, thotë ai për një reportazh të CBC News Network. “Menjëherë nisa të përjetoj episode të shumta të bullizmit”, kujton ai. “Duke qenë diçka e vazhdueshme fillon e mendon se mos ndoshta ka diçka gabim në ty, diçka gabim në atë që je, njësoj si ngjyra e lëkurës. Kjo fillon dhe të bën të ndjesh një ndjesi konstante faji. E megjithatë edhe kjo situatë kishte diçka positive: më bëri të isha më i ndjeshëm ndaj padrejtësive të të tjerëve rreth meje. Dhe kur unë fillova ta përjetoj në kurrizin tim padrejtësinë, e njëkohësisht ta shikoja atë te të tjerët, atëherë për herë të parë zbulova që nuk isha i vetëm”.
Ja pra një shembull brilant se si një veçori unike në paraqitjen tënde dhe në besimin tënd, mund ta shndërrosh në një armë që të bën më të pranueshëm në sytë e të tjerëve. Eshtë aq e vërtetë kjo sa një vëzhgues i hollë nuk mund të mos dallonte se edhe kryeministri Trudeau, një mjeshtër i makiazhit politik, gjithnjë e më shumë po bën e po poston në rrjete sociale foto me sikh të tjerë.
Por ajo që duket se po ndikon në mënyrë të pashmangshme të elektorati kanadez është retorika e Jagmeet Singh. Ai u apelon njerëzve që janë të lodhur nga dy partitë e vjetra, liberalët dhe konservatorët, sidomos atyre që siç shprehet ai, “nuk e shikojnë veten e tyre të reflektuar të imazhi i liderëve të vjetër që flasin por nuk veprojnë”. Këtë leksik që përmban aksion po përdor ai gjithnjë e më shumë: “Unë do e bëj realitet këtë që them: dua t’ua bëj jetën më të mirë njerëzve”.
A ju ngjan kjo retorikë familjare në botën ku rregullat tradicionale e te vjetra të komunikimit politik nuk bindin më? Vetëm koha do e tregojë nëse Kanadaja do të ketë kryeministrin e parë që i përket minoritetit të dukshëm (visible minority) që sipas përshkrimit ligjor të qeverisë së Kanadasë është kushdo person, përveç aborigjenëve, që nuk i përket racës kaukaziane dhe nuk është me ngjyrë të bardhë. Dhe numërimi tashmë ka filluar…
dy.b/shqiptarja.com









