Kristo Frashëri: Kush ishte fajtor
për prishjen marrdhënieve me SHBA 

Kristo Frashëri: Kush ishte fajtor<br />për prishjen marrdhënieve me SHBA 
TIRANE- Më 10 tetor 1946 Xhekobsi u largua nga Tirana, kurse drejtimin e misionit amerikan në Tiranë e mori Hendersoni. (F. R. vëll. VI, 1946, ff. 27-28, shën. 57).
Ndoshta nën ndikimin e votimit të ShBA-së në seancën plenare të 10 tetorit kundër dëmshpërblimit në favor të Shqipërisë, qeveria e Tiranës ndryshoi qëndrim. Në letrën drejtuar Hendersonit më 16 tetor 1946, E. Hoxha deklaronte se ishte në pritje të pikëpamjeve të Departamentit të Shtetit mbi vërejtjet e tij rreth marrëveshjeve dypalëshe.

Përkundrazi, Xhekobsi vazhdonte të ishte në pritje të qëndrimit që do të mbante E. Hoxha rreth kërkesës së Departamentit për të miratuar pa ndryshuar përmbajtjen e katër marrëveshjeve dypalëshe.

Ne, shkruan Hendersoni, ishim në pritje të fjalës nga qeveria shqiptare si rezultat i bisedimeve të zhvilluara kohët e fundit ndërmjet Tuk Jakovës dhe zyrtarëve të Departamentit të Shtetit. Por, mjegullën që mbulonte deklaratën e Tuk Jakovës, Enver Hoxha e shpërndau duke pohuar se vizita e Tuk Jakovës në Departamentin e Shtetit ishte thjesht një vizitë kortezie dhe se gjatë vizitës së tij ishte biseduar dhe çështja e traktateve, por jo në mënyrë konkluzive, pasi Tuk Jakova nuk ishte i autorizuar zyrtarisht të merrte vendim. (F. R. vëll. VI, 1946 ff. 28-29).

E thënë shkurt, sipas Xhekobsit, Departamenti priste më kot që Shqipëria të njihte vlefshmërinë e traktateve dypalëshe përpara se t’i jepej njohja. (F. R. Po aty, f. 29). Hendersoni thotë se, sipas pikëpamjes së Xhekobsit, kushtet për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane ekzistonin që në fund të vitit 1945. Ajo që krijoi vështirësi ishte çështja e traktateve dypalëshe dhe pothuajse në të njëjtën kohë me të (nga fundi i vitit 1945) ndryshimi jo i favorshëm i qëndrimit të qeverisë shqiptare ndaj Shteteve të Bashkuara.

Enver Hoxha, shtonte diplomati amerikan, pohonte se nuk e kishte ndryshuar qëndrimin ndaj ShBA-së. Qëndrimi i palës shqiptare, sipas Enver Hoxhës, ishte që në fillim e deri në fund miqësor ndaj Amerikës. Çdo argument tjetër ishte, për kryeministrin shqiptar, imagjinatë dhe i provokuar nga elementë armiqësorë. Përkundrazi, shtonte Hendersoni, Enver Hoxha e cilësonte qëndrimin e ShBA-së ndaj Shqipërisë si jo miqësor.

Si argument Enver Hoxha sillte mbështetjen e Uashingtonit në favor të pretendimeve greke në Konferencën e MPJ-ve në Paris në dëm të integritetit territorial të Shqipërisë. Kjo ishte, për Enver Hoxhën, një rrethanë e pakonceptueshme për Shqipërinë e re duke pasur parasysh, përfundonte ai, gjakun që kishin derdhur partizanët shqiptarë në luftën për kauzën e përbashkët me ShBA-në.

(Po aty, f. 29).
Hendersoni e kundështoi akuzën e Enver Hoxhës se ShBA-ja përkrahte pretendimet greke. Ai deklaroi se Amerika asnjëherë nuk i kishte mbështetur pretendimet e Athinës ndaj Epirit të Veriut. “Unë, - shkruan Hendersoni, - nuk i di burimet ku ai (Enveri – K.F.) është mbështetur, porse unë e garantoja atë se i kisha ndjekur zhvillimet në Konferencën e Parisit, me skrupolozitetin më të madh, veçanërisht ato që kishin lidhje me Shqipërinë, dhe e sigurova se ShBA-ja nuk i kishte mbështetur pretendimet greke”.

Enveri nguli këmbë se Hendersoni ishte i keqinformuar, pasi ShBA-ja në Paris kishte votuar pro Greqisë dhe kundër Shqipërisë. Hendersoni shton se i kërkoi Enver Hoxhës të sqaronte se çfarë nënkuptonte me këtë pohim. Enver Hoxha nguli këmbë se ShBA-ja kishte votuar në favor të përfshirjes së pretendimeve greke në axhendën e konferencës, e cila natyrisht nuk ishte asgjë më tepër, se sa të votoje kundër Shqipërisë.

Hendersoni shkruan se 45 minuta u shpenzuan më kot për të bindur Enver Hoxhën se me votimin për vënien e pretendimeve greke në axhendë, amerikanët thjesht po përmbushnin politikën e tyre të shpallur dhe të përsëritur për të ruajtur pavarësinë e Shqipërisë. ShBA-ja, vazhdoi Hendersoni, i qëndronte politikës së saj të shpallur vazhdimisht për të respektuar pavarësinë e Shqipërisë.

Politika e ShBA-së ka qenë që pretendimet për ndreqje kufijsh të shqyrtoheshin jo në Konferencën e Paqes, por në Konferencën e MPJ-ve. Pra, sipas Hendersonit, votimi amerikan pro përfshirjes së pretendimeve greke ndaj “Epirit të Veriut” në axhendën e punimeve të Konferencës së Paqes, nuk nënkuptonte se qeveria amerikane mbështeste aneksimin e territoreve shqiptare nga shteti grek.

Xhekobsi në këtë pikë bëri një vërejtje dhe tha se nëse ShBA-ja do të pranonte lakmitë territoriale greke, kjo do të binte në kundërshtim me pohimet e ShBA-së, e cila kishte deklaruar mëse një herë se Shqipëria duhej të ishte e pavarur, dhe nëse gjysmën jugore të Shqipërisë do ta aneksonte Greqia, Shqipëria nuk do të ishte më shtet i pavarur.

Xhekobsi tha se shpresonte që çështja e traktateve dypalëshe të zgjidhej shpejt, në mënyrë që të rivendoseshin marrëdhëniet diplomatike. Takimi, nënshkruante Hendersoni, u zhvillua me ton miqësor dhe përfundoi me notë optimiste. (F.R. vëll. VI, 1946, ff. 28-31).
 
12.  Largimi i Misionit amerikan
 
Më 2 nëntor 1946 nënsekretari i Shtetit amerikan Acheson njoftoi përfaqësuesin e vet në Tiranë Hendersonin se Departamenti kishte vendosur tërheqjen e menjëhershme të misionit të ShBA-së nga Shqipëria. Gjithsesi, ai e porositi Hendersonin t’i dërgonte një letër informative Enver Hoxhës në të cilën të thuhej:

“Që prej arritjes më 8 maj 1945 për të vëzhguar kushtet në Shqipëri në lidhje me çështjen e njohjes nga ShBA-ja të regjimit të tanishëm shqiptar, misioni informal i ShBA-së është përpjekur të realizojë mirëkuptimin reciprok dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet qeverisë së ShBA-së dhe Shqipërisë. Pavarësisht  përpjekjeve të ShBA-së në lidhje me të dhe në mungesë të një përgjigjeje të kënaqshme nga qeveria shqiptare për ofertën e njohjes, e cila u ofrua nga qeveria e ShBA-së në nëntor 1945, Misioni nuk qe në gjendje të përmbushte qëllimet për të cilat ai u dërgua fillimisht në Shqipëri.


Në këto rrethana, edhe pse qeveria ime ruan ndjenjën e miqësisë së ngrohtë  për popullin shqiptar, ajo mendon se nuk ekziston më asnjë arsye që Misioni të qëndrojë në Shqipëri. Në pajtim me këtë, Misioni i ShBA-së po largohet. Ju, - i thotë Achesoni Hendersonit, - duhet të procedoni menjëherë me përgatitjet për të mbyllur Misionin. Udhëzimet administrative do t’ju jepen në një telegram të veçantë. Departamenti do të japë lajmërim në shtyp për tërheqjen e Misionit pas marrjes së telegramit tuaj urgjent që raporton dorëzimin e letrës së mësipërme”. (F. R. vëll. IV, 1946, ff. 35-36).

Enver Hoxha pasi mori njoftimin se Misioni amerikan po largohej nga Shqipëria, iu përgjigj Hendersonit më 7 nëntor 1946 me një memorandum të shkurtër. Teksti i memorandumit të Enver Hoxhës është botuar në serinë e “Foreign Relations”, vëllimi VI, 1946, ff. 36-38.

Zakonisht Enver Hoxha letrat me personalitetet e huaja i hartonte në frëngjisht. Në serinë e dokumentacionit amerikan memorandumi është botuar në përkthimin anglisht. Përkthimi i tij nga anglishtja në shqip, si përkthim i përkthimit të përkthimit, mund të na largonte nga origjinali. Nuk e dimë për ç’arsye ky memorandum nuk është përfshirë në vëllimin e tretë të Veprave (Tiranë, 1969), të udhëheqësit komunist shqiptar. Origjinalin shqip e gjetëm të botuar në gazetën “Bashkimi”, Tiranë, më 12 nëntor 1946.

Nga krahasimi i origjinalit shqip me variantin anglisht të botuar në “Foreign Relations”, del me përjashtim të ndonjë gabimi shtypi, se kanë të njëjtën përmbajtje. Memorandumi tingëllon si një përpjekje për t’ia ngarkuar palës amerikane përgjegjësinë e dështimit të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike midis tyre. Këtu po japim tekstin që përmban origjinali shqip.

“Qeveria shqiptare me një notë është lajmëruar se Misioni amerikan në Shqipëri do të largohet nga Shqipëria për arsye se nuk mundi të arrijë rezultate për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve, mbasi Qeveria shqiptare nuk pranoi traktatet me karakter bilateral të nënshkruara para 1939. Në lidhje me këtë, Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë, Gjeneral Kolonel Enver Hoxha, në emër të Qeverisë shqiptare, i është përgjigjur Shteteve të Bashkuara në këtë mënyrë:një arsye që Misioni të qëndrojë në Shqipëri dhe pra Misioni i ShBA-së është thirrur’.

Ka më tepër se 18 muaj që qeveria amerikane kërkoi prej qeverisë sonë lejen për dërgimin e një misioni zyrtar amerikan në Shqipëri, të kryesuar prej zotit Xhekobs, i cili të informonte Qeverinë amerikane për situatën në Shqipëri në lidhje me njohjen e Qeverisë sonë prej Shteteve të Bashkuara.

Ky mision amerikan u mirëprit nga ana jonë dhe iu dhanë të gjitha mundësitë dhe lehtësitë e nevojshme që ai të kryente detyrën e tij. Për 18 muaj rresht misioni juaj shëtiti lirisht në të katër anët e Shqipërisë, në fshatra e në qytete duke mos u penguar asnjëherë në punën e tij, e cila duhej të ishte krejtësisht informative në lidhje me njohjen e qeverisë sonë.

Megjithëse karakteri i Misionit amerikan ishte i përcaktuar, përsa thamë më sipër dhe detyra e tij ishte kryer praktikisht që në dorëzimin e notës më datë 12 nëntor 1945 ku i viheshin konditat njohjes së Qeverisë sonë, Misioni amerikan vazhdoi të qëndronte në Tiranë, jo vetëm, por qeveria jonë, me zemërsinë dhe me xhentilesën më të madhe lejoi ardhjen dhe transferimin e shumë nëpunësve të këtij Misioni, i cili kërkonte herë pas here lejen për ta.

Qeveria jonë me bujarinë më të madhe i dha raste të panumërta Misionit amerikan për të parë edhe më mirë situatën në Shqipëri, manifestimet e rëndësishme që po zhvilloheshin në vendin tonë si për shembull zgjedhjet e dhjetorit të vitit 1945 e shumë të tjera. Kryetari i Misionit amerikan, zoti Xhekobs më ka shfaqur shumë herë entuziazmin e tij për veprën ndërtimore në vendin tonë, për luftën heroike të popullit shqiptar, për demokracinë tonë të shëndoshë dhe për ndjenjat e larta paqësore dhe bujare të popullit shqiptar dhe të qeverisë së tij.

Vetë kryetari i Misionit amerikan zoti Xhekobs më ka shfaqur shumë herë se raportet e tij pranë Qeverisë amerikane në lidhje me njohjen e Qeverisë sonë, kanë qenë shumë të favorshme dhe bile për atë ishte çudi që Qeveria amerikane kishte vënë kondita për njohjen e Qeverisë sonë.

Këtë konditë të njohjes nga ana e Qeverisë amerikane zoti Xhekobs pas kthimit të tij të parë nga Uashingtoni, e quajti si një gjë të minutës së fundit, për të cilën ai nuk kishte dijeni dhe e cila ishte shtuar prej disa teknikësh të Departamentit të Jashtëm të Shtetit. Kondita e minutës së fundit dhe që ishte shtuar prej disa teknikësh të Departamentit të Jashtëm që më ka pas shfaqur zoti Xhekobs, nuk ishte tjetër veçse pranimi nga ana jonë e traktateve që ekzistonin në mes ShBA-së dhe qeverisë së mëparshme të Shqipërisë.

Kondita që na vihej neve për njohjen e Qeverisë sonë nuk ishte thjesht i karakterit teknik, sikundër donte ta paraqiste zoti Xhekobs, por faktet tregojnë se qenka një çështje thjesht parimi dhe që Qeveria amerikane e ngriti dhe e përdori atë si një pengesë të dorës së parë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve tona.

Me keqardhje, kemi konstatuar gjithashtu se gjatë gjithë kësaj periode çështja e traktateve është përdorur si një argument nga ana e Qeverisë amerikane për të kundërshtuar të gjitha kërkesat tona legjitime në fushën ndërkombëtare, të fituara me gjak dhe sakrifica. Por sikundër që për qeverinë amerikane çështja e traktateve është çështje parimi dhe ky parim mbrohet me këmbëngulje nga Qeveria amerikane, ashtu dhe për ne kjo është çështje parimi, të cilën kemi shumë të drejtë ta mbrojmë edhe ne në interes të popullit tonë.

Nga ana e qeverisë sonë është patur kurdoherë kujdes që t’i gjendet  një zgjidhje kësaj çështjeje, e cila pengonte vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy popujve tanë, që i lidh me një miqësi të ngushtë e shkuara dhe e tashmja e luftës së përbashkët. Populli shqiptar ka ushqyer dhe vazhdon të ketë një simpati të madhe për popullin amerikan dhe ndjen një keqardhje të madhe kur sheh se krijohen shkaqe dhe çështje për të penguar zhvillimin më të mirë të kësaj miqësie.

Gjatë periudhës së bisedimeve për çështjen e traktateve Misioni amerikan në Tiranë jo vetëm nuk tregoi ndonjë interes të ngrohtë në sheshimin e dallimeve, por përkundrazi, qëndrimi i tij i gjatë dhe i pajustifikueshëm u përdor për të krijuar vështrirësi edhe më të mëdha në arritjen e rezultateve të kënaqshme. Fakti është se Departamenti Amerikan i Shtetit prej kohësh dhe vazhdimisht ka lëshuar komunikata falso dhe alarmuese në lidhje me trajtimin e misionit amerikan nga autoritetet shqiptare.

Provë bindëse se qeveria shqiptare ka qenë gjithmonë e gatshme për të zgjidhur çështjen e traktateve dhe të njohjes është se qeveria jonë në mënyrën më miqësore të mundshme dhe pa kërcënime ndaj interesit të dy vendeve me notën e saj të 13 gushtit të këtij viti ra dakord të njihte të gjitha traktatet e karakterit shumëpalësh që ekzistonin ndërmjet ShBA-së dhe Shqipërisë, si dhe dy apo tre traktateve të tjera dypalëshe që do të shqyrtoheshin menjëherë pas arritjes së ambasadorit amerikan në Tiranë.

Ky qe një lëshim i madh që ne po bënim për hir të miqësisë që na lidh me popullin amerikan, meqenëse rrethanat në të cilat është zhvilluar historia e popullit shqiptar, këto rrethana dhe njerëzit të cilët firmosën këto traktate të paraluftës në emër të Shqipërisë dhe kushtet së bashku jme frymën e krijuar nga lufta antifashiste kanë sjellë gjithashtu me vete nevojën e domosdoshme të shqyrtimit të të gjitha marrëveshjeve të paraluftës që ekzistonin ndërmjet vendit tonë dhe shteteve të tjera.

Populli shqiptar, i cili ka luftuar dhe fituar lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e tij ka të drejta të plota të korrigjojë atë që është bërë në të kaluarën e tij të hidhur në kundërshtim të hapur me interesat e tij jetësore. Populli i madh demokrat amerikan do të jetë i pari që do të miratojë pikëpamjen tonë të drejtë.

Për fat të keq, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe misioni i tij në Tiranë as nuk denjoi t’i jepte përgjigje notës sonë, e cila përmbante bazat për zgjidhjen e çështjes dhe për vendosjen e marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy vendeve tona.

Në këto rrethana dhe duke pasur parasysh heshtjen e plotë ndaj propozimeve tona të favorshme dhe miqësore, të shprehura në notën tonë të 13 gushtit 1946, ne nuk duam të besojmë se Departamenti Amerikan i Shtetit nuk e  merr me seriozitetin e duhur çështjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë dhe vazhdimin e përforcimit të miqësisë ndërmjet dy popujve tanë.

Populli shqiptar dhe Qeveria e tij kanë besim te populli amerikan dhe do ta ruajmë miqësinë që kanë për të dhe janë kurdoherë të gatshëm me një frymë miqësore ta forcojnë në baza të drejta dhe të shëndosha këtë miqësi, që shumë njerëz të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Misioni Amerikan në Tiranë e kanë  nënvlerësuar.”. (Gazeta Bashkimi, 12 nëntor 1946).
Hendersoni dhe anëtarët e Misionit amerikan u nisën nga Durrësi më 14 nëntor 1946 dhe arritën në Kazerta (Itali) më 16 nëntor 1946. (F. R. vëll. VI, 1946, f. 38, shën. 70).

Atë ditë ata morën në Kazerta nga Uashingtoni një telegram me të cilin Departamenti i Shtetit i kërkonte Hendersonit njoftime dhe komentime mbi disa akuza kundër Harri Fulcit dhe Shteteve të Bashkuara të bëra ato ditë gjatë gjyqit në Tiranë të disa shqiptarëve të akuzuar për sabotazh. Sipas shpjegimeve që dha Hendersoni, para se të largohej Misioni amerikan nga Shqipëria, në Tiranë u zhvillua gjyqi kundër disa inxhinierëve dhe teknikëve të bonifikimit të kënetës së Maliqit, të cilët akuzoheshin për sabotazh.

Sipas aktakuzës, disa nga këta inxhinierë dhe teknikë të bonifikimit (Kujtim Beqiri, Abdyl Sharra, Vasil Mano, Zyrika Mano, Pandeli Zografi), kishin krijuar lidhje spiunazhi me Harri Fulcin. Për Hendersonin hapja e procesit kundër tyre, tre ditë para largimit ende të pashpallur të misionit, synonte të krijonte përshtypjen në opinion se pikërisht për shkak të implikimit të Harri Fulcit me grupin e akuzuar si sabotatorë, Misioni amerikan po largohej nga Shqipëria.

Hendersoni, veç kësaj, i raportonte Sekretarit të Shtetit më 17 nëntor 1946 nga Kazerta disa të dhëna, të cilat tregonin, sipas tij, se Enver Hoxha kishte vendosur prej kohësh që ta dëbonte Misionin amerikan nga Shqipëria.

Ndërkohë, ndonëse me 5 javë vonesë, Këshilli i MPJ-ve i Fuqive të Mëdha në mbledhjen që zhvilloi në Nju Jork më 15 nëntor 1946 pranoi cilësimin e Shqipërisë si fuqi shoqe e koalicionit antifashist dhe miratoi dhënien e një dëmshpërblimi nga Italia prej 5 milionë dollarësh amerikanë. Me këtë vendim hidhej poshtë pretendimi absurd grek për cilësimin të Shqipërisë si shtet agresor. Në të njëjtën kohë, merrnin fund qëndrimet që kishin mbajtur Londra dhe Uashingtoni për ta penguar Shqipërinë si fuqi shoqe e koalicionit të madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan.

Sikurse shihet, tërheqja e Misionit amerikan nga Tirana koincidoi në kohë me pranimin e Shqipërisë si aleate shoqe e koalicionit antifashist, pra me dështimin e vijës politike që ato kishin ndjekur deri atëherë ndaj Shqipërisë.

Për vite me radhë, qeveritë shqiptare dhe amerikane u përpoqën që t’ia ngarkonin njëra-tjetrës përgjegjësinë e ndërprerjes së procesit, i cili po shpinte në lidhjen e marrëdhënieve diplomatike midis Tiranës dhe Uashingtonit.

Me të dhënat që kemi sot në dorë është vështirë të nxirret konkluzioni shkencor i argumentuar, se në cilin krah të marrëdhënieve dypalëshe rëndon përgjegjësia kryesore e ndërprerjes së këtij procesi. Kjo për arsye se përgjegjësia mund të ndriçohet vetëm pasi të zhbirohet me imtësi dhe me paanësi gjithë materiali diplomatik, politik dhe juridik, i cili qëndron ende i pluhurosur në arkiva. Hë për hë kjo është jashtë fuqive dhe mundësive tona.

Çështja themelore qëndron te akuza e ngritur nga Enver Hoxha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës komplotonin kundër pavarësisë dhe integritetit tokësor të Shqipërisë. Nëse kjo akuzë del se ishte imagjinatë, atëherë veç një gjë është e sigurtë: ajo që pati më tepër dëm gjatë ndërprerjes së këtij procesi ishte pala shqiptare, më saktë, populli shqiptar, mbi të cilin rëndohej diktatura e padurueshme e proletariatit. Shqipëria si një shtet i vogël kishte më tepër nevojë për ShBA-në se sa ShBA-ja për Shqipërinë.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 17 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg