Universiteti nuk është gjimnaz, ku mësimdhënia është elementi i vetëm (edhe ky koncept sot po ndryshon). Universiteti ka bazë kërkimin shkencor, dhe kjo nuk reflektohet aspak në rregulloren e re për titujt akademik, apo edhe ne financimin e universiteteve ku puna kërkimore dhe veprimtaritë krijuese do të financohen vetëm me 5 % të grantit vejtor të dedikuar nga buxheti i shtetit për arsimin e lartë.
Ja disa nga kriteret e rinj (ndër shumë të tjerë) të lidhura kryesisht me publikimet e punimeve shkencore që nuk reflektojnë realitetin akademik, dhe në mendimin tim nxisin më tej zhvillimin e pseudo-akademizmit!
Kriteret duhet të varen nga universiteti, profili dhe departmenti!
Me rregulloren aktuale të publikuar nga Ministria e Arsimit, kriteret për titujt akademik janë të njëjtë për të gjitha universitetet. ABSURDE! Kriteret duhet të vendosen nga universitetet në varësi të profilit dhe cilësisë që ofrojnë. S'mund të ketë kritere të njëjta publikimi për dikë që aspiron të jetë profesor në Universitetin e Mjekësisë (i rankuar dhe si i pari në vend) dhe për dikë që aspiron të jetë profesor në Universitetin e Durrësit; apo për dikë që aspiron të jetë profesor në fushën e mjekësisë (ku mundësitë për publikim janë më të larta), me dikë që aspiron të jetë profesor në fushën e ekonomikut. Edhe brenda universitetit kriteret duhet të ndryshojnë në varësi të departamenteve. S'mund të ketë kritere të njëjta publikimi për një kandidat për profesor që punën e tij ja dedikon vetëm kërkimit shkencor me një kandidat që bën edhe punë klinike dhe vetëm një pjesë të kohës së tij ja dedikon punës kërkimore. S'mund të ketë kritere të njëjta publikimi për dikë që punon në fushën e sëmundjeve kardiovaskulare me dikë që punon në fushën e neurokirurgjisë, ku mundësitë për publikim janë më të ulëta.
Vendi i fundit në listën e autorëve është i detyrueshëm për marrjen e titujve Profesor i Asociuar apo Profesor!
Në kriteret e publikuar nga Ministria e Arsimit, si për gradën "Doktor" si për gradën "Profesor i Asociuar" dhe "Profesor" merret në konsideratë vetëm pozicioni i parë në listën autorëve. A e dini ju që të bëhesh profesor në vendet perëndimore me arsim të zhvilluar duhet të kesh publikime si autor i fundit, dhe jo vetëm si autor i parë? Kur je master apo student doktorature kërkon të jesh autor i parë pasi je në proces edukimi/formimi, por jo kur je Profesor i Asociuar apo Profesor. Pozicioni i fundit në listën e autorëve i rezervohet supervizorit ose investiguesit kryesor. Si i tillë, ky person merr kreditet e punës, për mirë apo për keq.
Duhet të ketë diferencime se në cilat revista publikon!
Imagjinoni dikë që publikon një artikull në New England Journal of Medicine (NEJM-bibla e mjekësisë) dhe dikë që publikon në një revistë anonime. Me rregulloren e re të publikuar nga Ministria e arsimit, të dy këta kandidatë janë njësoj të vlefshëm për të marrë titullin Profesor i Asociuar apo Profesor. Kush publikon në NEJM bëhet direkt profesor në Harvard, por jo në Shqipëri!
Linku ku gjenden kriteret e reja për titujt akademik
https://www.fakultetimjekesise.edu.al/arkiv/636-vkm-nr-112-date-23-02-2018-per-percaktimin-e-kritereve-per-fitimin-e-grades-shkencore-doktor-dhe-te-standarteve-shteterore-per-fitimin-e-titujve-akademik-profesor-i-asociuar-dhe-profesor.html









