Kritika/ Poezia e ndërlikuar e Camajt, filli që e lidh me vendlindjen

Kritika/ Poezia e ndërlikuar e Camajt, filli që e lidh me vendlindjen

Martin Camaj

Martin Camaj vlerësohet si njëri ndër krijuesit më të veçantë në letërsinë dhe kulturën shqiptare. Poet dhe prozator, studiues, filolog dhe gjuhëtar i formimit akademik. Vështirë të gjendet një tjetër krijues që si Camaj të ketë prodhimtari dhe shkëlqim në krijimtarinë e mirëfilltë letraro-artistike dhe në punën kërkimoro-studimore, që të ketë një individualitet krijues të spikatur dhe të veçantë apo që të mitizojë dhe ndërtojë e rindërtojë me një origjinalitet artistik të spikatur dhe me një pasuri të rrallë stilistikore atdheun e munguar, natyren, malin dhe kodin e tij të munguar, mitet dhe legjendat, zakonet dhe traditat të cilat gjithnjë e gjithherë vijnë për lexuesin e huaj. Së pari pse ai vendit të vet i ishte ndaluar e së fundmi dhe për lexuesin shqiptar me një visar të pasur leksikor prej maleve të vendlindjes ku zakonet dhe traditat njerëzit dhe kodet e jetesës dhe mbijetesës marrin jetë në një mjedis të ishullzuar tradicional dhe të papërsëritshëm.

Ai identifikiohet me tokën e vet edhe si territor edhe si mjet prodhimi. Toka, vathi, mrizi, stani, delja, dhia, ara, lumi, qielli, ajri, reja, mali janë kordinatat prej nga buron e rrjedh jeta e tij fizike, mendore dhe shpirtërore.

“Ai nuk mund të jetojë kurrkund tjetër veç aty” shkruan Primo Shllaku “ Burri i malësisë ndër gurra shtiret si me i pas lanë diçka mangu kësaj jete, kinse i flijuem me vete për të mbarë të familjes”.  (1)

Camaj në mënyrë jo rastësore shpesh e ndërlikon paraqitjen e veprës së vet e kjo e lidhur me njohjen dhe kulturën e tij duke e gdhendur me kujdes çdo frazë dhe fjalë duke i dhëne peshë mendimit dhe fjalës që gjithnjë është në funksion me sistemin e vlerave dhe  të realizimit artistik.

Edhe pse me atdhe të ndaluar e me një ndarje hermetike nga lexuesi i vendit të vet e pati privilegjin të mund të shkruante drejtëpërsëdrejti në gjuhët e mëdha të kulturës evropiane por asnjëherë jashtë gjuhës dhe pasurisë së saj të vendit prej nga vjen. Ai e njeh mirë traditën shkrimore paraardhëse të vendit tonë, e ndërgjegjshem e rrënjos fort gjuhën e pasur të këtij vendi dhe si lëvrues i shquar e mbi të gjitha si studiues, e tejkalon dhe pasuron atë, e ngre në nivele të reja me një forcë artistike marramendese. 

Në fakt kur lexon me vemendje Camajn ndërmend vetëtimthi të vjen Fabian Barcata një tjetër shkrimtar dhe pse jo shqiptar i cili aty në kepin e bardhë të Kishës së Rubikut shkruan: “Orët, kur më zë malli për vendlindjen”. E duket se krijimtarinë e Camajt, sidomos atë poetike e ka të ngërthyer nga “Orët, kur e zë malli për vendlindjen”.

Frika e humbjes së vendlindjes shpesh e bën atë të mendojë frikën e humbjes së vetëvetes prandaj ai iu kthehet e rikthehet këtij malli për vendlindjen, këtyre miteve dhe këtyre njerëzve, këtyre ndjesive, këtyre ideve dhe kësaj fryme.

Camaj shkruan:

“Nata e vetmia plastë,

mbi malin e thatë,

mbi andrrën e keqe!

E liga ndër leqe! (2)

Primo Shllaku në librin “Një Uliks që s’mbërriti kurrë në Itakë”, (Atë Gjergj Fishta, Lezhë 2006, f.82).” shkruan “Ai kishte interes me ardhë, ardhja në vendlindje ishte diçka si uja që kishte ndie në fëmijërinë e vet e që asgja s’mund ta fashiste pos hapjes së tij para lexuesit shqiptar” (3). Camaj me së miri këtë dëshirë për kthim e përshkruan vete dhe na e jEp ne të qartë mendimin e tij kur pohon:

“ Para se te mbylleshin sytë në gjumë,

pashë malin e akullt të bardhë,

te kambët e mija.

Ai mal akulli kishte nje emën, një emën tabu”(4)

Prandaj poezia e tij me të drejtë siç shkruan Arshi Pipa i sillet rreth asaj të humusit të vet kulturor, (5) (Arshi Pipa, Poezia dhe poetika e Camajt,) gdhendur me privilegjin dhe mundësitë e medha shprehëse që të jep gjuha shqipe e mbi të gjitha pa u larguar nga tërësia etnokulturore shqiptare, pa u larguar nga mitet, nga ndijimet e hershme, nga fëmijëria dhe bota virtuale e fantazmambushur e rrefënjave, miteve, legjendave nga historia, nga natyra e veçantë e maleve të Veriut dhe kodeve gati mitike edhe pse jeton në zemër të Europës jashtë kodit dhe mitit të maleve nga vjen. Por kjo e fundit e ndihmon fuqishëm atë të arrijë në mendimin e tij të stërholluar e mirëlatuar intelektual duke na berë të qartë se kemi të bëjmë me një intelektual tejet të kulturuar e të qytetëruar, por të patjetërsuar nga të jetuarit e gjatë jashtë vendit të vet në perëndim. Me mjeshtrinë e një poeti të lindur e modern e shumë i vetëdijeshëm përdor mjetet shrehese tradicionale duke i vendosur ato në realitetin e vendëlindëjes por duke tejkaluar shumëfish poezinë tradicionale .

 Prandaj Alpet e Veriut, vendlindja, mitet, vegimet, bota virtuale e fantazmambushur e rrefenjave, legjendave, ndijimet e hershme janë malli i etnisë prej nga vjen Camaj.

“Prania e autenticitetit shqiptar në poezinë e tij dhe e poezisë së tij në letërsinë shqipe kanë mbetur gjithnjë një prani e mosprani, si kujtim i gjallë, bashkë me ëndrrën e tij për kthim,” shkruan Sabri Hamiti. (6) Ky mall e kjo vetëdije krijuese, siguri dhe besim në vetvete vijnë më së miri në pohimin e vetë Camajt

“Në vëllimin poetik “Legjenda” përtypa në mend aso tregimesh e vargjesh popullore që ndëgjova para shumë vjetësh: janë ngjarje shpesh gojdhanash prandaj i quajta legjenda” (7)

Në parathejen e libri; “Një fyell ndër male” në kangën e varrinit, të pabotueme, dorëshkrime, variante”, botimet “Camaj –Vepra” vëllimi 9-të, Tiranë 2010,f.10-11- Dhurata Shehri pohon se: “ Camaj Gabimisht receptohet sot si tradicionalist, por ai është larguar nga tradita dalëngadalë e shumfish që nga vëllimi i Kangës së Vërrinit e deri te cikli i dorshkrimeve të fundit. (8) 

 Në fakt vetë Camaj  shkruan “Poezia ime i ka rrënjët në ato rrethana jete të cilat unë dua që të mbahen mend. Që, p.sh, : Unë kam lënë në një vend të egër ku nuk ka shkel ndonjëherë kamba e kalit, kaç i thyem ashtë terreni” Martin Camaj, nëparathënje botimit anglisht  të vëllimit “ Polimpsest”. Cilësohet sipas përkthimit  të Primo Shllakut. në librin “ Një Uliks që s’mbërriti kurr në Itakë” (9)

Ma tej ai shprehet se: “...në tematik jam ende i lidhun  me shkëmbinjtë e mij: dëshiroj që edhe publiku i këtuhit ta ketë parasysh se unë flas dhe mendoj si dukagjinas i Shqipnis” (10)

Ai vend e mban atë të ngërthyer si në një udhëkryq e ato male prej nga vjen ai janë si shenjter për të pse aty janë rrenjët e të parëve ku lindin tradita të papërsëritshme e të stërlashta por dukshëm shfaqet shqetësimi nëse ato ruhen prej nipërve dhe mbesave. Pa dashur që ato tradita  të jenë  pjesë e një izolimi të kahershëm të cilën jo vetëm nuk e dëshiron dhe nuk e do përkundrazi nipat dhe mbesat e veta i sheh të lidhur me qytetërimin e përparimin perëndimor por të ardhur prej traditash të ruajtura mijëra vjet.  Natyrisht nuk e lë jashta vemendjes por me finesë trajton konfliktin që  ka dhe ekziston mes brezash por ky brez i ri ka diçka fisnike të trashëgueshme nga brezat e vjetër, diçka  fisnike e të pa përsëritshme për vlerën që ka e me guxim ai pohon .

“ E sot djali em ashtë aspak si unë:

din me folë n’gjuhë të hueja,

e para ‘i mijë vjetshsi ka ndodh çdo punë” (11)

E u bën thirrje nipërve me e ruejt fort të  mirën e fisniken

“ Lahuta pushon në tra,

pse mixha ka dekë ka mot,

e nipi sdin me i ra” (12)

 “Për të krijuar një poezi origjinale ai para së gjithash shtegton Brenda vetes. Endokozmosi ishte bota e tij” shkruan Prof. Dr. Shaban Sinani (13)

Ai është i vetëdijshëm dhe e di mirë se kodet e maleve janë thyer, janë zbehyur dhe nuk ka kush ti trashëgojë. “Është kjo ideologji e jetës së re, e thyerjes së kodit tradicional, për të dalë nga konvenca që rregullon, por dhe që ndalon në rrugën e zgjedhjeve të shpirtit”  shkruan Kujtim Shala (14)

E kur Camaj sheh se kodet mitike po shuhen dhimbja i shtohet me tepër  e me kurajo por dhe dhimbje shkruan:

“Lamtumirë , o votër me thegjij të vjetër,

lamtumir, po të tham si votrës s’eme

e dij se pa ndirë s’e lshove kurr mikun

Një dhimb’më shtove e sdue ma tjetër

O votër e fikun.  (Martin Camaj “Një votër e fikun” në: “ Kanga e vërrinit”, botimet Camaj” Vellimi 9-të , tiran 2010 f . 134.

Toka, vathi, mrizi, stani, delja, dhia, ara, lumi, qielli, ajri, reja, rrungaja, atdheu i  munguar, natyra, mali dhe kodi i tij të munguar, mitet dhe legjendat, zakonet dhe traditat janë kordinatat prej nga buron e rrjedh jeta e tij fizike, mendore dhe shpirtërore.

“Ajo që fillimisht është një poezi jehonash që risjell në vetevete jehonat e vendit, sidomos në periudhën e parë tek.  “Një fyell ndër male” “Kanga e vrrinit” shëndërrohen më pas në poezinë e qenjes estetike që botën e thelbëson duke e shëndërruar  në vepër arti”shkruan Dhurata Shehri,  (15)

E në letrën që i dërgon Malokit duket haptazi shqetësimi i tij për të pasur e përsosur poezinë e tij maksimalisht “U lutem të m’i vini në dukje, kur të shihni se ka vetëm emocin pa ndoj art,  kam përdor dhe fjalë, që sgjenden ndër fjalorë por të cilat përdoren në Dukagjin, a thue ashtë mirë me i spjegue ashtu si në poemën ose me i lanë lexuesi t’kuptoj si mbas kontekstit” . (16)

Poezinë e Camajt, Arshi Pipës e vendos në rradhë të parë me poezinë më të mirë evropijane.

Poezia e Camajt të afron shumanshmërinë e vet sidomos në ato poezi që kanë bjeshkë e mal, lis e drin, breshke e gjerper. “Janë ndër krijimet më të arrira artistikisht dhe të një veçansie origjinale, poezitë që kanë për titull keto leksema, pa peizazhin e tyre”.  (17)

Nëse perifrazojmë Kadarenë i cili në librin “Ardhja e Migjenit në letersinë shqipe” shprehet se: “...edhe Camajt do t’i shkonte për shtat ato përfundime: mekanizmat letraro-kulturore të kohës, që nga organet e shtypit të specializuar, kritika zyrtare dhe ligjeruesit universitar të letërsisë deri te lexuesi i zakonshëm, për nga fenomeni botëkuptimor-estetik ishin të vjetruar, të tejkaluar, të papërgatitur për tu asimiluar, shijuar dhe vlerësuar si duhet një materje e re letrare, kaq cilsëore dhe origjinale, njëkohësisht”.

Antonio Guzzeta i cili merret gjerësisht me poezinë e Camajt thekson se: Mali e Vërrini e shoqërojnë poezinë e Camajt përherë, pa u artikuluar me emfazë, por si mall i heshtur e i përhershëm”. (18)

Por po ti kthehemi fillimeve të krijimtarisë së Camajt atëhere ai dy librat e parë poetke “Një fyell ndër male” (1953), dhe “Kënga e vërrinit” (1954) i boton në Prishtinë dhe në të dy këto libra  figura themelore është fyelli dhe mali. Kështu që nuk kemi si të mos i lidhim këto me trashigiminë me të hershem sidomos me Lahutën e Malcis së Gjergj Fishtës dhe me  “Hijen e Maleve” të  Ernest Koliqit  “...dhe këto figura identifikuese  tregojnë përgjithmonë Fishtën epik e Camajn lirik “ (19)

“ po zani yt e ka matëmadhen vlerë,

Pra , fyell, tingllo mes blegërimit të grigjave,

të zhurmës s’pyllit, që gjimon ne erë,

Jeton’për prroje tue shungulluem brigjeve” (20)

Me një këndëvështrim të veçantë e sheh veprën e Camajt Prof. Dr. Shaban Sinani i cili pohon se “Mbijetesa e njeriut mbi gurin e moçëm, në zgafella të humbura të natyrës alpine shqiptare, atje ku bishat dhe egersirat janë të pranishme si gjallesat e shtëpisë, përbën thelbin e shumicës së veprave te tij”  (21)

Së pari: Camaj e njeh mirë traditën shkrimore paraardhëse të vendit tonë, e ndërgjegjeshem e rrënjos fort gjuhën e pasur të këtij vendi dhe si lëvrues i shquar e mbi të gjitha si studiues, e tejkalon dhe pasuron atë, e ngre në nivele të reja me një forcë artistike marramendëse. 

Së dyti: Camaj arrin suksesshëm ta mbajë poezinë e vet jo vetëm shtratin e traditës por me një paraqitëje të figurshme e gre lart si askush tjetër kumtin e domethënies.

Së treti: Vështirë të gjendet një tjetër krijues që si Camaj të ketë një prodhimtari dhe shkëlqim në krijimtarinë e mirëfilltë letraro-artistike që të ketë një individualitet krijues të spikatur dhe të veçantë apo që të mitizojë dhe ndërtojë e rindertojë me një origjinalitet artistik të spikatur.

Së katërti: Edhe pse me atdhe të ndaluar e me një ndarje hermetike nga lexuesi i vendit të vet e pati privilegjin të mund të shkruante drejtëpërsëdrejti në gjuhët e mëdha të kulturës evropiane por asnjëherë jashtë gjuhës dhe pasurisë së saj të vendit prej nga vjen.

Së pesti: Në krijimtarinë letrare të Martin Camaj është dëshmuar aftësinë dhe imagjinatën e krijuesit të madh, ndërkohë që kufijtë midis prozës dhe poezisë nuk janë të prerë, por shpesh ndërfuten tek njera tjetra e shkrihen në shumë elemente, siç dëshmojnë pos të tjerash veprat “Djella” (1958), “Dranja” (1981) (20)

Së gjashti: Krijimtaria e Martin Camajt nuk është krijimtari e një  krijuesi të një mjedisi dhe i një kohe të caktuar e me dimemsione të kufizuara gjeografike, por është një shkrimtar modern me përmasa universale.

Së shtati: Poezia e Martin Camajt shpesh është tejet e ndërlikuar edhe pse është poet që nuk u shkëput kurrë nga rrënjët e tij të vendlindjes.

Së teti: “Ndarja e herëshme e poetit nga vendlindja dhe nga atdheu  dhe gjallimi larg tyre për gati një gjysëm shekulli u shëndërrua në një ndjenjë  dhimbjeje, që u ushqye dhe u mbajt gjallë vijimisht nga vetmia, e cila po ashtu iu bë  pjesë e pandashme e qenies së tij  dhe e bëri atë shpesh të vuante”. (23)

Së nënti:  Vetmisë së Camajt “i bashkëngjitet pastaj dhe tema e shtegtimit, me të cilën edhe motiv i dhimbjes për gjërat më të dashura që duhet deomos t’i braktisim këto elementë do ti jepnin veprës tonë pikëlluese nëse nuk do të përcilleshin vazhdimisht nga një ironi e hollë racionale atëherë kur ndjenjave u mungon guximi për t’i përballuar drejtëpërdrejt problemet e jetës” Shkruan Antonjio Guzzeta, “ Poezia e Martin Camajt “ ne : “Jeta e re” , prshtin 1996. (24)

Literatura:

1.  Shllaku, Primo. “Një Uliks që s’mbërritui kurr në Itakë”, Atë Gjergj Fishta , Lezhë 2006,  f.59.

2.  Camaj, Martin. “Formulë mëngjie”, në: “ Njeriu më vete e me të tjerët”, botimet “Camaj -Vepra”, vëllimi i 4-t, Tiranë 2010, f 75.

3.  Shllaku, Primo. “Një Uliks që s’mbërritui kurr në Itakë”, Atë Gjergj Fishta , Lezhë 2006,  f.82.

4.  Camaj, Martin. “Ai mal akulli ndan kohen”, ne: “Njeriu me vete e me të tjerët”, vëllimi i 4 –t botimet” Camaj –vepra”, Tiranë 2010 f 70

5.  Pipa, Arshi.  Poezia dhe poetika e Camajt.

6.  Hamiti, Sabri. “ Martin Camaj i fillimit”, në: “Studime filologjike”, nr . 3-4Tiranë, 2010,  f 16

7.  Camaj, Martin “Legjana” në: “Vepra letrare”, vëllimi i parë, Tiranë 1996,f. 149-150.

8.  Camaj, Martin “Një fyell ndër male” në kangan e varrinit, të pabotueme, dorshkrime, varjante”, botimet “ Camajj –Vepra “ vëllimi 9-të, Tiranë 2010,f.10-11

9.  Shllaku, Primo. “Një Uliks që s’mbërriti kurr në Itakë”, Atë Gjergj Fishta, Lezhë 2006,  f.96.

10.         Maloki, Krist. “Letër e Martin Camajt, drejtuar Krist Malokit, 5 tetor 1953” në “Refleksione” , Faik Konica , Prishtinë 2005, f .300.

11.         Camaj, Martin. “Im Bir dhe unë” në “Kanga e Vërrinit” botimet “Camaj –vepra”, veëëllimi i (-të , tiran 2010, f . 106.

12.         Camaj, Martin. “Im Birë dhe unë” në “kanga e vërrinit” botimet “Camaj –vepra”, vëllimi i 9-të , Tiranë 2010, f . 106.

13.         Sinani, Shaban. “Camaj i paskajtur”, botimet  “Naimi”, Tiranë 2011.f .36

14.         Shalal, Kujtim. “ Camaj i pa (zbuluem )”, në: “Prolepsa” AIKD, Prishtin 2011, f .160.

15.         Shehri, Dhurata. “Liria e vetmisë ose njeriu me veten e pa të tjerë”, në: “Studime Filologjike”, nr 1-2. Qëndra e Studimeve Albanologjike, Insituti i Gjuhës dhe i Letërsisë, Tiranë 2011,f.45.

16.         Maloki, Krist. “Letër e Martin Camajt  drejtuar Krist Malokit, 5 tetor 1953” në “Refleksione” , Faik Konica , Prishtinë 2005, f .303

17.         Blushi, Kiço. “ Në poetikën e Martin Camajt: miti i gjarpërit, metafora e hijes, kulti i lisit” , Drita , Tiranë 1997, f.64.

18.          Guzzeta, A ntonio.  “Poezia e Martin Camajt” , ne “Jeta e re” Prishtinë 1996, f. 44

19.         Hamiti, Sabri.  “Martin Camaj i fillimit”në : “ Studime Filologjike”, nr .1-2, Qendra e Studimeve Albanologjike, Insituti i Gjuhës dhe Letërsisë, Tiranë2010. F 12.

20.         Camaj, Martin. “Fyellit”, në  “ Një fyell nder male”, botimet “ Camaj –Vepra, vëllimi 9-të, Tiranë 2010, f.15

21.         Sinani, Shaban.  “ Camaj i paskajtur”, botimet Naimi , Tiranë 2011, f 256

22.         Berisha, Anton Nikë.  “Vepra letrare e Martin Camajt”, Tiranë 2000, f.68.

23.         Dancetoviq, Vojislav. “ Ku qëndron origjinaliteti i Camajt?”, ne “Jeta e re” Prishtin 1996, f.74

24.         Guzzeta, Antonio “ Poezia e Martin Camajt “ ne : “Jeta e re”, prshtin 1996, f. 44.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar