Vepra e Martin Camajt dhe sidomos poezia e tij kërkon një metodologji të re interpretimi në mënyrë që të kuptohet në thellësi prej lexuesve. Ky është këndvështrimi i studiuesit Bashkim Kuçuku, i cili vëshitrësinë e përthithjes së veprës së Camajt në Shqipëri, e sheh tek ndarjet historike, ideologjike e kulturore.

“Kuptimi i veprës së Camajt është dhe ka qenë një problem për arsye të llojit të poezisë që ai ka lëvruar dhe receptuesit në Shqipëri. Ai jetoi jashtë, domethënë me një formim perëndimor. Kurse këtu, lexuesit, shkrimtarët ishin në ato strukturat e mbyllura letrare dhe ideologjike. Gjithmonë vepra e tij, sidomos poezia, është e thellësive. dhe krijon probleme për mungesë të kulturës për ta interpretuar.”, thotë Kuçuku. 

Ai thekson se lashtësia e figurave njerëzore, e mjedisit malësor dhe e relievit shoqëror në krijimtarinë e poetit, nuk përbën kthim pas, por është pikërisht thelbi i modernizmit camajan. Arketipi, sipas tij, nuk i përket vetëm së shkuarës, por mbart gjithmonë fizionominë e bashkëkohësisë, duke shndërruar figurën e shqiptarit në një simbol të përjetshëm identitar.

“Sepse modernizmi i tij, qoftë në Evropë, por ai modernizëm i gjysmës së dytë të shekullit XX e shikonte gjenezën e artit tek e shkuara, tek tradita, e shikonte tek lashtësia. E shikonte tek mitet tek legjendat. Mirëpo mitet legjendat tradita përbëjnë si të thuash autoktoninë, përbëjnë si të thuash anën origjinale të identitetit shqiptar.”, vijon studiuesi Kuçuku.

Ndërsa studiuesja Evalda Paci vuri në dukje shumëdimensionalitetin e figurës së Camajt, si shkrimtar, albanolog, gjuhëtar dhe themelues katedrash albanologjike në universitetet europiane. Ajo theksoi rëndësinë e receptimit kritik të veprës së tij komplekse dhe domosdoshmërinë e një qasjeje të re studimore.

“Letërsia e tij ka shumë për t'u diskutuar, qoftë poezia, qoftë proza, edhe veprat që janë ribotuar vitet e fundit, që na bëjnë të kuptojmë që është një vepër në proces, sidomos romani ‘Rrathë’ për të cilin ai vetë ka punuar dhe ripunuar ndër vite. Ai ka qenë autentik që me formimin e tij edhe me personalitetin e tij që shfaqet në krijimtari. Ka një autenticitet për të cilat çmohet, por besoj që kanë një rol të veçantë edhe katedrat e albanologjisë edhe të gjuhës shqipe jashtë Shqipërie. Ai ka vizituar sidomos Kalabrinë, Kozencën edhe më herët edhe para viteve 90. Pastaj ka kontribute me gramatikat që janë të papërsëritshme për nga qasjet studimore që ka. Pavarësisht se flasin shumë për Camajn si shkrimtar, ai ofron mundësi që t'i gjurmohet leksiku, t'i gjurmohen format mendore që ai paraqet, psikologjia e personazheve. Sepse ndërton vepra të tëra me alegori të plota, prandaj është një një shkrimtar gjithmonë në zbulim e sipër.”, thotë Paci.

Konferenca shkencore për Martin Camajn erdhi si aktivitet përmbyllës në 100 vjetorin e lindjes së tij dhe mblodhi akademikë, studiues dhe pedagogë nga Tirana dhe Shkodra. Ajo erdhi si një thirrje për ta vendosur Camajn në qendër të debatit bashkëkohor letrar, gjuhësor dhe kulturor shqiptar.

E titulluar "Gjurmët e fjalës", konferenca u hap nga kryetari i Seksionit të Shkencave Albanologjike, akademik Gëzim Hoxha, i cili e vlerësoi Martin Camajn si një nga figurat më përfaqësuese të modernizmit letrar shqiptar, një autor që vazhdon të sfidojë dhe komunikojë me lexuesin bashkëkohor përmes një gjuhe poetike të thellë dhe komplekse.

Një moment i veçantë i konferencës ishte prezantimi i botimit të plotë të veprës letrare të Martin Camajt, “Opera Omnia”, nga shtëpia botuese “Onufri”. Ky botim u cilësua nga studiuesit si një akt i rëndësishëm kulturor dhe një rivendosje e Camajt në vendin që i takon në letërsinë shqipe.

Punimet shkencore u përqendruan në temat e arketipit, identitetit, traditës dhe modernizmit, duke e cilësuar veprën e Camajt si një poezi të qëndresës estetike dhe kulturore, të rrënjosur në lashtësi, por me një mendim thellësisht evropian.