Kritikat e Metës dhe përgjigja e ONM-së, Luan Rama: Egoizëm apo realizëm për reformën në drejtësi.

Kritikat e Metës dhe përgjigja e ONM-së, Luan Rama: Egoizëm apo realizëm për reformën në drejtësi.

Ish-deputeti i LSI-së, Luan Rama ka reaguar përmes një komenti të gjatë pas debatit për reformën në drejtësi, që erdhi pas deklaratave të Presidentit Meta, ndërsa iu përgjigj shefja e ONM-së, Calavera.

Nga Luan Rama
Ende, edhe pse po bëhen tre vjet prej kohës kur ndryshimet kushtetuese i çelën udhë nisjes së reformës në drejtësi, ndër ne, kryesisht në mjedisin politik shqiptar, por edhe me gjerë se kaq, ndër qytetarë apo me përfaqësuesit e huaj që punojnë në Shqipëri e shefat e tyrë në burokracitë e korridoreve të Brukselit, nuk po mberrijmë të kemi një vlerësim realist për ecurinë e reformës në drejtësi.

Sepse, ose glorifikohet e hymnizohet ajo, pra reforma, si etaloni i përkryeshmërisë që magjishëm do të ristrukturojë drejtësinë e korruptuar e të kriminalizuar shqiptare, kinse “për të garantuar të drejtën e qytetarëvë për një shoqëri demokratike ku askush nuk është mbi ligjin”, siç me të drejtë nënvizon në një qëndrim të vetin zonja Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian e njëherësh edhe Shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit që monitoron drejtpërdrejt reformën në drejtësi në Shqipëri, ose e gjykojnë atë nga pozita nihiliste, duke mohuar çdo arritje dhe efekt pozitiv e duke e konsideruar të dështuar.

Në këtë sprovë për një qasje të kundërt me dy të tjerat; edhe me të atyre që e tundin reformën si shkopin e magjisë së shpëtimit të sistemit të drejtësisë, edhe me të atyre që e anatemojnë en bloc, gjykoj se pas përvojës së mbi një viti prej kur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit apo siç njihet prej qytetarëve Komisioni i Vetingut mbajti seancën e parë dëgjimore, është e nevojshme, madje e domosdoshme, një analizë realiste mbi gjithë sa ka ndodhur e sa po ndodh.

Kjo analizë duhet bërë pa egoizëm, por me realizëm. Edhe me transparencë padyshim.

Eshtë e rëndësishme të vërehet e të thuhet çfarë është bërë mirë, çfarë impakti apo efektesh pozitive ka prodhuar reforma deri tani e se sa sistemi i drejtësisë këto efekte i ka shërbyer si drejtësi për qytetarët.

Mirëpo, përpos disa konsideratave të përgjithëshme e me një gjuhë propagandistike të konkretizuar përmes slloganesh të tipit; “rezultatet shumë të prekshme të arritura deri më sot na kanë lejuar të bëjmë analizën e këtij viti të parë të punës intensive dhe të trajtojmë sfidat që na presin përpara”, “populli shqiptar meriton vlerësim të veçantë, falë vendosmërisë së tij të fortë gjyqësori në të gjithë vendin po pastrohet nga korrupsioni, njëherë e përgjithmonë”, ”qytetarët duhet të vlerësohen gjithashtu për interesin e tyre të vazhdueshëm gjatë gjithë procesit”, “kjo gatishmëri për të kontribuar tregon se qytetarët besojnë se vetingu po shkon në drejtimin e duhur për t’iu përgjigjur aspiratave legjitime publike”, e plot të tjera si këto, nuk ka asgjë konkrete e të prekshme jo për Brukselin, por as për qytetarët shqiptarë, perceptimi i të cilëve për sistemin mbetet i njejtë e mosbesimi edhe më i madh!

Afërmendsh që zonja e nderuar që është edhe Shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ka stilin e vet të të shprehurit apo të të shkruarit (citimet e mësipërme janë marrë prej qëndrimit të saj të bërë të njohur nga disa media në Shqipëri), ani pse dikujt kjo mënyrë mund ti duket dogmatike e mediokre, prapëseprapë edhe me aq sa thotë, nuk sjell një analizë realiste, por më shumë është një përpjekje egoiste, për të justifikuar e mbuluar problemet thelbësore të reformës, me “merakun” për të mos e cënuar shenjtërinë e saj, sepse kjo do të na kompromentojë investimin e bërë e të trumbetuar me aq bujë!

Po, reforma në drejtësi është e rëndësishme.

Reforma në drejtësi është jetike.

Reforma në drejtësi është e domosdoshme “për të garantuar të drejtën e qytetarëve për një shoqëri demokratike ku askush nuk është mbi ligjin”.

Po, reforma në drejtësi është e pakthyeshme e duhet kryer.

Por vetëm kaq nuk mjafton.

Reforma ka nevojë për realizëm në vlerësimin e saj. Ka nevojë për sinqeritet dhe transparencë në gjithçka lidhet me të, të kryer e të pakryer.

Mbi gjithçka duhen evidentuar mangësitë, problemet, defektet, deformimet.

Po, janë larguar nga sistemi dhjetëra gjyqtarë e prokurorë ndër mbi 800 që do të duhet t’i nënshtrohen vetingut, dhe kjo është një arritje nëse duam ta quajmë të tillë, sado që për mua është vetëm një premisë. Premisë, gjithësesi pozitive.

Por a mjafton vetëm kaq?

A mund të jemi të kënaqur që janë larguar dhjetë gjyqtarë a prokurorë fjala vjen, por kanë mbetur ende edhe njëqind të tjerë e ata vazhdojnë të bëjnë çfarë kanë bërë për vite me rradhë në drejtësinë e korruptuar?!

Pse nuk e themi edhe publikisht që ritmi i ecurisë së reformës apo shpejtësia e realizimit të saj është në sens të kundërt me projeksionin me të cilin u nis dhe edhe me pritshmëritë, aq sa është bërë pengesë për gjithë sistemin? Ndërkohë që këtë edhe vetë zonja Calavera e njeh si të tillë, çfarë të keqe ka ta bëjmë objekt të analizave tona publike?

Po kështu, është evidentuar problemi i standardit të dyfishtë në procesin e vetingut, po përse mbulohet e fshihet? Dhe kujt i fshihet?

Jane dokumentuar vërejtje për metodat e hetimit, por edhe për këtë çështje asnjë fjalë e asnjë reflektim!

A nuk janë të gjitha këto shqetësime edhe për vetë zonjën Calavera?

E më tej akoma, a nuk është shqetësim për zonjën e Brukselit dhe për vetë Brukselin që e ka emëruar zonjën Shefe të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit fakti që Shqipëria është pa Gjykatë të Lartë dhe pa Gjykatë Kushtetuese?

Unë nuk dua ta besoj se zonja Calavera nuk e di që nuk mjafton vetëm të thuash “Mungesa e kuorumit në Gjykatën Kushtetuese ka qenë, sigurisht, një çmim shumë i lartë për t’u paguar për tranzicionin”. E nuk mund të jem dakord me të kur ajo ia faturon përgjegjësitë tranzicionit, ngaqë nuk do të pranojë se ky është çmim shumë i lartë për t’u paguar për mungesën e përgjegjësisë dhe të vizionit që në projektimin e hapave të reformës.

Ndaj edhe ajo nuk bën tjetër, por njësoj si në politikën shqiptare që papërgjegjshmëritë e klasës politike ia faturojnë tranzicionit, edhe drejtoresha e Brukselit e gjen “shpëtimin” tek tranzicioni, duke u rrekur kësisoj të krijojë një alibi. Por, një alibi që në fakt e nxjerr edhe atë vetë zbuluar! Sepse është njësoj sikur një kardiokirug të planifikojë transplantin e zemrës së të sëmurit, e ta heqë zemrën e sëmurë, pa sguruar më parë të shëndoshën me të cilën do të zëvendësojë zemrën e sëmurë.

Por “tranzicioni” dhe çmimi i tij nuk e zgjidh mungesën dhe çmimin që krijon mungesa, kostot e të cilës rëndojnë mbi qytetarët dhe jo mbi trupën e ONM-së në Tiranë e as të shefes në Bruksel.

Nuk ka se pse të mos e themi ashtu siç është të vërtetën: mungesa e Gjykatës së Lartë dhe e Gjykatës Kushtetuese është skandal i madh, i paparë e i pandodhur askund tjetër!

Eshtë skandal i madh e turp për klasën politike të vendit tim, e po aq edhe për Brukselin vetë, qoftë edhe për heshtjen e ortakërinë në gjendjen e krijuar.

Ndaj asgjë nuk mund ta përligjë e as ta justifikojë mungesën e dy gjykatave të nivelit më të lartë të gjykimit në Shqipëri!

E në mos qoftë mungesa e tyre një problem që është krijuar prej reformës, më e pakta a nuk lidhet dhe a nuk ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e saj?

E qoftë edhe vetëm për këtë fakt a nuk është hipokrizi të themi që reforma po realizohet me sukses?!

Kjo është me e pakte, sepse implikacionet e mungesës së dy gjykatave janë shumë më tepër dhe, edhe më të rënda.

Nuk po them ndonjë gjë që zonja Calavera nuk e di, por po e them megjithatë edhe për atë e ata të tjerët që nën drejtimin e saj punojnë në Tiranë, se një republikë parlamentare në një shtet të së drejtës e me demokraci funksionale ndërtohet mbi tre pushtete sipas parimit check and balance. Pa marrë fare në analizë dy pushtetet politike, atë legjislativ (parlamentin) dhe atë ekzekutiv (qeverinë), fakti që sot pushteti gjyqësor nuk është i plotë, tregon se nuk bëhet më fjalë për një republikë parlamentare sipas parimeve europiane të demokracisë.

Sot në Shqipëri qytetarëve u është mohuar një prej të drejtave themelore të njeriut siç është ajo për një proces të rregullt gjyqësor.

E drejta për një proces të rregullt gjyqësor do të thotë garancia e qytetarit për apelim të vendimit, në rast se ka shkelje të procedurave deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila është garantuesja e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Konventë që Shqipëria e ka ratifikuar shumë vite më parë.

Fakti që Gjykata e Lartë ka mbetur vetëm me dy anëtarë edhe ata njëri pa mandat e tjetri i apeluar, i mohon çdo qytetari shqiptar të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor brenda vendit, e rrjedhimisht, dhe të drejtën e aksesit në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke krijuar kështu bashkë me shkeljen e të drejtës, edhe precedentin e diskriminimit të qytetarëve shqiptarë në raport me Konventën, por edhe me qytetarët e vendeve të tjera që janë nën juridiksionin e GJEDNJ-së.

Ka ndërkaq të papërgjegjshëm të asaj shkalle, që mendojnë se duken interesantë teksa kërkojnë ta sfidojnë këtë realitet, duke përdorur stilema anakronike të tipit “më mirë djepi bosh e të presim sa te mbushet, se sa shtejtani brenda”, duke dëshmuar në fakt injorancë alarmante e të dhimbshme në njohuritë e funksionimit të shtetit dhe të peshës së sistemit të drejtësisë në tërësinë e mekanizmave të shtetit të së drejtës.

Në rastin e drejtësisë, drejtësia e vonuar, është drejtësi e munguar.

Ndonjërit mund të mos i bëjnë përshtypje afro 50 mijë raste që sot janë në pritje të shqyrtimit në Gjykatën e Lartë, po për qytetarët e lidhur me ato çështje dhe me dhjetëra mijë raste që janë nëpër dosjet e gjykatave të shkallëve të tjera të gjykimit, problemet nuk janë më çështje statistike dhe as “çmimi i lartë për t’u paguar për tranzicionin”.

Reforma në drejtësi duhet kryer. Por që të kryhet, reforma duhet ndihmuar. Dhe që të ndihmohet për t’u kryer, duhet analizuar me shumë përgjegjësi, me shumë realizëm dhe vullnet pozitiv.

Për këtë nuk është turp të pranohet se janë bërë edhe gabime, janë bërë edhe deformime e madje duhet kërkuar ndjesë!

Unë dhe si unë edhe shumë të tjerë mund të numërojmë dhjetëra raste e shembuj me emra konkretë të penalizuar apo favorizuar padrejtësisht përmes aplikimit të standardeve të dyfishta, të selektimit politik apo edhe të klientelizmit korruptiv edhe në procesin e vetingut, ku për fat të keq, palë janë bërë edhe nga ata që duhej të ishin garantët e procesit, individë nga rradhët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Ndaj, edhe një herë po e nënvizoj se është vetëm një rrugë nëpër të cilën mund të ecë suksesi i reformës në drejtësi. Ajo ajo është rruga e transparencës dhe e realizmit në analizën e të gjithë procesit.

Qëndrimi refraktar e gjykimi dogmatik ndaj vërejtjeve, egoizmi e duartrokitjet edhe kur shfaqen me naivitetin e analizave mediokre, nuk e ndihmojnë kryerjen e reformës në drejtësi që ajo të përmbushë misionin e vet dhe që është drejtësi për shqiptarët sipas ligjit. Madje, më keq akoma, e kompromenton atë dhe vret shpresën se drejtësia mund të bëhet.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • durim: 25/05/2019 15:50

    po te ishit ju ne pushtet do beje te njejtin koment o luan trimi?ik aman se ju kemi pare .nderro krahun lali se do ngeleni pa parti ne fund.leqe eshte vone tanime.u doli boja shoku u bete si prostitutat sju ka besim me njeri

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Të shtënat me armë dje në lagjen 15, arrestohen dy persona! Në kërkim një tjetër

Durrës/ Të shtënat me armë dje në lagjen 15, arrestohen dy persona! Në kërkim një tjetër