Partia Demokratike do të votojë në Parlament angazhimin e Shqipërisë në nismën e presidentit amerikan Donald Trump për pjesëmarrjen në Bordin e Paqes për Gazën, pavarësisht kritikave ndaj mënyrës se si kryeministri Edi Rama e ka promovuar këtë ftesë në opinionin publik.

Në një intervistë televizive, deputetja e PD-së, Ina Zhupa, deklaroi se opozita do ta mbështesë pa asnjë diskutim këtë nismë, duke e cilësuar qëndrimin proamerikan si pjesë të pandryshueshme të identitetit politik të Partisë Demokratike.

Sipas Zhupës, PD-ja e konsideron SHBA-në partner strategjik dhe mbështet çdo iniciativë të paqes të ndërmarrë nga administrata amerikane, përfshirë edhe këtë të presidentit Donald Trump.

“PD-ja ka qenë, është dhe do të jetë një parti proamerikane dhe proeuropiane. Ne kemi mbajtur edhe qëndrim publik në mbështetje të presidentit Donald Trump dhe nuk do të jemi kurrë kundër vendimeve të marra nga administrata amerikane”, u shpreh Zhupa.

Ajo shtoi se kjo çështje nuk përbën objekt debati brenda Partisë Demokratike, pasi është e sanksionuar në statutin dhe parimet e saj politike. Në të njëjtën kohë, Zhupa kritikoi kryeministrin Edi Rama për tentativën për ta paraqitur ftesën si sukses personal apo si dëshmi të një raporti të veçantë me presidentin amerikan.