Kriza e refugjatëve/Evropa mbyll
kufijtë, mbetet shtegu i Shqipërisë

Kriza e refugjatëve/Evropa mbyll<br />kufijtë, mbetet shtegu i Shqipërisë
TIRANË - “Itinerari i Ballkanit për refugjatët nuk ekziston më”, deklaroi kryeministri slloven Miro Cerar në një intervistë televizive dje, pasi qeveria e tij lajmëroi shtetet e tjera se po mbyllte kufirin për “imigrantët e parregullt”. Lëvizja e Sllovenisë pasoi përfundimin e një marrëveshjeje mes BE-së dhe Turqisë në Bruksel në lidhje me kufizimin e valës së migrantëve nga Lindja e Mesme në Europën Perëndimore nëpër Ballkan, gjë që do t’i kthejë në masë azilërkuesit e dështuar në Turqi.

Këshilli i Europës pritet të miratojë marrëveshjen javën e ardhshme. Sipas Cerar, itinerari i përdorur nga migrantët e Lindjes së Mesme po mbyllej, jo vetëm prej rrezikut që përfaqësonte për sistemin Shengen ardhja e personave pa pasaporta, por edhe për hir të vetë refugjatëve që do të jenë më afër shtëpisë sapo të kthehen në Turqi.

Sllovenia tha se do ta hiqte gardhin në kufi me shtetin fqinj Kroacinë sapo të ishin kushtet e përshtatshme. Në një shenjë të efektit “domino” pas vendimit të Sllovenisë, ministri i brendshëm kroat, Vlaho Orepiç, tha gjithashtu se, meqë Sllovenia kishte adoptuar kontrolle më të rrepta në kufi, vetëm njerëzit me pasaporta të vlefshme do të lejoheshin të hynin në Kroaci. Kroacia nuk do të ndërmarrë asnjë masë të jashtëzakonshme në kufi, por autoritetet janë gati të reagojnë, tha ai.

Vendi i tretë që “hyri në valle” ishte Maqedonia. Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Poposki, tha se Maqedonia ka ndaluar krejtësisht hyrjet e reja në kufirin me Greqinë. Ai tha se ky vendim do të mbetej në fuqi për sa kohë rreth 1.500 migrantë mbeten të bllokuar në kufirin e Maqedonisë me Serbinë. Poposki akuzoi Greqinë se ka grumbulluar me qëllim 13.000 refugjatë në kufirin me Maqedoninë për të ushtruar presion mbi vendin e tij.

Lëvizje e koordinuara nga vendet e Ballkanit Perëndimor pas samitit të Brukselit kanë bërë që më shumë refugjatë të përballen me perspektivën e një pritjeje të gjatë në Greqi. Rreth 13.000 persona presin në kampin Idomeni të Greqisë, ndërsa 100.000 të tjerë pritet të mbërrijnë në ishujt grekë deri në fund të marsit. Më shumë se një milion njerëz kanë kaluar Detin Egje për të mbërritur në territorin grek dhe për të përparuar drejt BE-së vitin e shkuar.

Nga ana tjetër mbyllja e kufijve pritet të ndikojë tek vendet si Bullgaria, që gjithashtu po merr masa paraprake për të kufizuar valën e refugjatëve të parregullt.
Grupet e të drejtave të njeriut e quajtën marrëveshjen e arritur më 8 mars me Turqinë nga ana e BE-së si në shkelje të të drejtave të njeriut dhe se dëmton shumë shanset e azilit për refugjatët.
 
Blloqet dhe vlerat
Ndërsa Perëndimi i Europës kërkon si në ethe zgjidhje për krizën e refugjatëve, Lindjes së kontinentit të vjetër kjo tragjedi njerëzore duket se nuk po i bën dhe aq shumë përshtypje. Ekspertët shohin në këtë situatë një krisje të re mes dy blloqeve: atë të vlerave. Kriza financiare e ndau Bashkimin Europian në kreditore e debitore, duke hapur një hendek të thellë mes Veriut të Europës dhe Jugut të saj. Tani po rikthehet fantazma e ndasive Lindje-Perëndim.

Jo vetëm që po përjetojmë një mungesë akute solidariteti, - mendon analisti bullgar, Ivan Krastev, - por po shohim përplasjen e interesave kombëtare, etnike e fetare, me atë që duhet të jetë detyra jonë si qenie njerëzore. Europianët lindorë nuk e ndiejnë veten të detyruar të shfaqin të njëjtën përgjegjësi ndaj atyre që u largohen dhunës dhe represionit në rajone të tjera, siç do ta bënin me bashkëkombasit e tyre.

Kriza e refugjatëve, - për Krastev, - dëshmon se Lindja ndihet e kërcënuar pikërisht nga ato vlera, mbi të cilat mbështetet Bashkimi Europian dhe të cilat, shumë në Perëndim i konsiderojnë universale, i shohin si bërthamën e identitetit europian. Në Gjermani, një numër i madh qytetarësh është përfshirë në nisma private për të ndihmuar azilkërkuesit, por qytetarëve të Lindjes, mundimet e atyre njerëzve i lënë krejtësisht të ftohtë.

Ky rikthim i “perdes” Perëndim-Lindje, - thotë analisti bullgar, - nuk është thjesht një koinçidencë e pafatë. I ka rrënjët thellë në histori, në demografi e në turbulencat e periudhës tranzitore postkomuniste. Europa Qendrore, - kujton Krastev, - i njeh shumë më mirë se pjesa tjetër përfitimet, por edhe atë që është ana e errët e shoqërive shumëkulturore.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi