Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Xhorxh Tsereteli ka reaguar pas krizës politike të krijuar në Shqipëri duke kërkuar përgjegjshmëri nga palët. Lulzim Basha pak javë më parë refuzoi ftesat e njëpasnjëshme të kryeministrit Rama për dialog duke e kushtëzuar me largimin e tij, por OSBE-ja në reagimin e sotëm kërkon që palët të ulen, por pa parakushte.

"Pavarësisht nga rekomandimet e mëparshme nga OSBE, ne jemi dëshmitarë të rritjes së turbullirave politike në Shqipëri, me zhvillimet e fundit që kërcënojnë të kthehen në një krizë kushtetuese. Palët politike në Shqipëri të angazhohen në dialog gjithëpërfshirës pa parakushte dhe të ulen në tryezë në mirëbesim. Dialogu synon që të shmangë përshkallëzimin e krizës duke përfshirë gjithashtu shqetësimet legjitime të popullit.

Shqipëria përgatitet të kryesojë OSBE-në në vitin 2020 dhe pret një vendim nga Këshilli Evropian për hapjen e negociatave të pranimit me BE, është e domosdoshme që të gjitha palët e interesuara të respektojnë përgjegjësitë e tyre, të cilat janë të rëndësishme për qëllimet strategjike të Shqipërisë, që ndahen nga pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare.

Kuadri ligjor shqiptar duhet të mbështetet dhe respektohet nga udhëheqësit politikë. Asambleja Parlamentare  mbetet e bindur se me vullnetin e nevojshëm politik aktorët politikë shqiptarë kanë të gjitha aftësitë e nevojshme për ta çuar vendin përpara dhe për të ofruar anën më të mirë të Shqipërisë në OSBE. Asambleja Parlamentare do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj ambicieve dhe dëshirave të popullit të saj" mbyllet deklarata.

Situata politike në Shqipëri është mjaft e tensionuar, pasi Presidenti anuloi zgjedhjet pas bojkotit të opozitës, ndërsa shumica shprehet e vendosur për zhvillimin e procesit në 30 Qershor.