“Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike mesatare vjetore prej rreth 5.5 për qind deri në vitin 2009, gjë që ka çuar në një rritje të mirëqenies së shtetasve tanë. Gjithashtu, janë rritur investimet e kapitalit të huaj, është përmirësuar infrastruktura e vendit, është zgjeruar rrjeti i arsimit, shëndetësisë, mediave, shoqërisë civile, si dhe pjesëmarrja më e gjerë e gruas dhe rinisë në gjithë jetën politiko-shoqërore”, tha presidenti.
Sipas tij, kjo situatë ndryshimesh pozitive ka përfshirë edhe vende të tjera të Ballkanit, që aspirojnë të integrohen në Evropën e Bashkuar. Ai ka përshëndetur shtetin e ri, të pavarur të Kosovës, që brenda një kohe të shkurtër ka arritur rezultate pozitive në të gjitha proceset e demokracisë dhe të reformave ekonomike.
“Kombinimi i çmimeve të larta të naftës dhe mallrave, trazirat, tërmetet dhe cunamet, krizat e borxhit dhe problemet fiskale kanë çuar në rritjen masive të riskut të kundërt. Nga pikëpamja ekonomike, vende me peshë të madhe në ekonominë botërore nuk janë në ritmet e tyre karakteristike. Madje janë përjetuar rënie të mprehta dhe në tregje me rritje më të shpejtë, si dhe në vende të orientuara drejt eksporteve. Një gjendje e tillë ka bërë që politikanët, menaxherët dhe ekspertët të mos jenë aq të sigurt nga sa ishin më parë, për arsye se pasojat e krizës financiare dhe ekonomike kanë ekspozuar haptazi dobësinë e zbatimit të teorive dhe politikave ekonomike”, deklaroi Presidenti Topi.
Ai pohoi se u dëshmua se doktrinat e bankave qendrore kishin të meta, për shkak se fokusi i tyre mbi inflacionin ishte më i madh se sa ai mbi rritjen ekonomike, punësimin dhe stabilitetin e sektorit financiar, gjë që tregon përse pasojat që shkaktuan efektet e krizës financiare dhe ekonomike globale janë në një shkallë më të lartë se sa pasojat nga inflacioni.
“Si rezultat i ndikimit të efekteve të tregjeve financiare, tregtisë, investimeve dhe remitancave edhe në një vend më pak të integruar në ekonominë rajonale dhe botërore siç është Shqipëria, tashmë vihet re ndikimi i krizës pavarësisht se rritja ekonomike e saj ishte më e madhe se sa në vendet e tjera në rajon. Politika dhe politikanët e botës së ditëve tona, do të vlerësohen nga kontributi që ata do të japin për të ngritur shpresën e popujve dhe të njerëzimit në lidhje me një jetesë më të mirë”, pohoi Topi gjatë takimit të lidervë botërore në OKB.
Ai deklaroi se kapërcimi i krizës do të jetë një zgjidhje e radhës, ndërsa parandalimi i krizave në të ardhmen, do të kërkojë gjithnjë e më shumë zhvillimin dhe përsosjen e institucioneve të ekonomisë së globalizuar.
“Besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm se globalizimi, përhapja e specializimit dhe e ndarjes së punës në shkallë botërore, përfaqësojnë çelësat kryesorë për t’i thënë: Ndal thellimit të krizës dhe përsëritjeve të saj në të ardhmen, pasi prodhimi po ndërkombëtarizohet për ditë e më shumë: një mall zakonisht përbëhet nga pjesë të prodhuara në shumë vende të botës! Bota e globalizuar, ku prodhimi nuk ka kufi, ku tregtia dhe transaksionet financiare drejtohen nga qëllimi i sigurimit të fitimit dhe nga marrja përsipër e rreziqeve, karakterizohet nga veprimtari absolutisht indiferente ndaj ekzistencës së distancave dhe të kufijve kombëtarë”, tha Presidenti.
Sipas tij, niveli mesatar i jetesës është ngritur në mënyrë të konsiderueshme: qindra milionë njerëz i janë larguar nivelit të varfërisë ekstreme, ndërsa qindra milionë njerëz të tjerë kanë një nivel mirëqenie pothuajse të njëjtë me atë të njerëzve në vendet e zhvilluara.
“Rregullat që miratohen gjatë zhvillimit të një krize, duhet të përpunohen më tej në mënyrë të hollësishme, sepse çdo rregull ka afatin e vet të kadencës. Sektori që kërkon vëmendjen më të madhe në lidhje me ndërhyrjen është lufta kundër mashtrimeve, gjë që kërkon më tepër fonde për krijimin e rregullave të reja që ndihmojnë në forcimin e ligjshmërisë për të luftuar dhe shmangur praktikat e mashtrimit dhe të korrupsionit politik, pasi miratimi “pas dasme” i ligjeve dhe rregullave të reja për të luftuar dështimet dhe gabimet do të ishte një humbje kohe e konsiderueshme dhe një kosto e tepër e lartë për korrigjimin e gabimeve”, deklaroi Topi.
Ai këmbënguli se, ngadalësimi i procesit të globalizimit, do të mund të ulte zhvillimin botëror dhe nivelin e arritur të jetesës.
“Besoj se jemi të vetëdijshëm se proteksionizmi, pavarësisht petkut politik ose ekonomik, në të gjitha rastet ka përfaqësuar dhe përfaqëson recetën e stanjacionit ekonomik dhe të autoritarizmit politik. E ardhmja e globalizimit do të përcaktojë rrugën në të cilën do të vazhdojë të ecë tregu botëror dhe mënyra e jetesës së kombeve në dhjetëvjeçarët që vijnë”, tha kreu i shtetit shqiptar.
TAKIMI
Në këtë aktivitet të rëndësishëm të diskutimit të çështjes më të mprehtë të kohës, gjendjes ekonomike në botë, janë ftuar kryetarë shtetesh e qeverish, autoritete të tjera të larta shtetërore e të politikës botërore, si dhe drejtues të organizmave të rëndësishme ndërkombëtare, të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Organizatës Botërore të Tregtisë, etj. Gjatë debatit të nivelit të lartë të përqendruar mbi: “Gjendjen ekonomike botërore”, do të trajtohen një sërë tematikash mbi sfidat komplekse makro-ekonomike, me të cilat përballet bota sot si papunësia, borxhi, inflacioni, tregtia dhe investimet, si dhe rregullimi i sektorit financiar.
VIZITA
Vizita zyrtare e Kreut të Shtetit shqiptar pranë organizatës më të madhe në botë për sigurinë ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe barazinë sociale, parashikon edhe një sërë takimesh të rëndësishme, si me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, etj., me drejtuesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, (NAAC) si dhe do të dekorojë Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA” e mjaft personalitete të shquara shqiptare e amerikane me një kontribut të rëndësishëm në promovimin e vlerave atdhetare, kulturore e paqedashëse të shqiptarëve.
(aq/shqiptarja.com)