Bashkë me Shqipërinë, Mali i Zi vazhdon të jetë vendi kandidat më i avancuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por rruga e tij drejt BE-së po has në një pengesë të madhe nga Kroacia.

Zagrebi ka bllokuar hapjen e negociatave për Kapitullin 31, që lidhet me politikën e jashtme, sigurinë dhe mbrojtjen, duke kërkuar që Podgorica të zgjidhë gjashtë çështje dypalëshe të pazgjidhura.

Që në vitin 2024, Kroacia kishte ngritur zyrtarisht kundërshtime pas miratimit nga Parlamenti i Malit të Zi të një rezolute për genocidin ndaj serbëve në kampin e përqendrimit të Jasenovacit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Zagrebi e konsideroi këtë veprim një provokim të nxitur nga Beogradi.

Sipas gazetës serbe Blic, cituar edhe nga Serbian Monitor, Kroacia i ka kërkuar Malit të Zi që deri në fund të vitit të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e gjashtë çështjeve, në mënyrë që të japë dritën jeshile për vazhdimin e negociatave me BE-në.

Mes kërkesave të Zagrebit janë dëmshpërblimi për ish-të burgosurit kroatë të mbajtur në kampet e luftës në Mal të Zi, vijimi i kërkimeve për 14 persona që rezultojnë ende të zhdukur nga Lufta për Pavarësinë e Kroacisë (1991-1995), ndjekja penale efektive e krimeve të luftës, zgjidhja e mosmarrëveshjeve për pronat e konfiskuara familjeve kroate, përcaktimi i kufirit detar mes dy vendeve, kthimi i anijes stërvitore Jadran dhe ruajtja e pllakës përkujtimore në ish-kampin e Morinjit, ku nga viti 1991 u burgosën qindra kroatë.

Pavarësisht këtyre pengesave, Mali i Zi po vazhdon punën teknike me institucionet evropiane dhe mbetet kandidati kryesor për anëtarësim. Në mesin e korrikut 2026, Podgorica mbylli përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë të negociatave, duke e çuar në 18 numrin e kapitujve të mbyllur nga gjithsej 33.