Tirane- Kroacia ktheu mbrapsht 3 ngarkesa me mandarina me origjinë shqiptare për shkak se kanë përmbajtje të lartë të pesticideve të dëmshme për shëndetin e njeriut.
Në tre javët e fundit sistemi RASFF ka evidentuar 5 ngarkesa të cilat rezultojnë me pesticide të rrezikshme. Ndërkohë 3 prej këtyre ngarkesave që janë me mandarina janë me pesticidin Chlorpyrifos dhe Phosmet që janë dy preparate të dala nga qarkullimi në BE dhe që nuk lejohen të përdoren në territorin e Shqipërisë.
Pesticidet e identifikuara nga shtetet e BE, në tre ngarkesa me mandarina të eksportuara nga Shqipëria nuk janë blerë në farmacitë e vendit. Kështu është shprehur në Report TV Martin Jorgaqi Drejtor i Riskut në AKU.
“Pesticidi nuk na rezulton të jetë marrë në farmaci sepse nuk kemi identifikim të situatës, jemi në hetim të të gjithë zinxhirit. Por marrja e këtyre pesticideve, përveç trajtimit të qëllimshëm, mund të merret nga ajri, uji apo toka e ndotur”, u shpreh Jorgaqi.
Ka ardhur kontrabandë shprehet Presidenti i urdhrit veterinar Ervin Resuli.
“Është një preparat që ndoshta qarkullon edhe në rrugë kontrabande në territorin e Shqipërisë”, tha Resuli.
Jorgaqi është shprehur se AKU është vënë në dijeni menjëherë nga RASFF, dhe se kanë marrë masat madje kanë identifikuar 3 operatorët që kanë bërë eksportin.
“Ne na ka ardhur menjëherë njoftimi nga sistemi RAFS, ky njoftim shkon në drejtën rajonale aty ku operatori zhvillon aktivitetin dhe më pas drejtoria shkon tek produktet për verifikime. Është bërë identifikimi i sasisë që 3 operatorët e biznesi ka bërë eksport, është bërë gjurmueshmëria, janë nxjerrë numrat e identifikimit”, tha Jorgaqi.
Gjatë ditës së enjte një ngarkesë prej 20 tonë mandarina të kthyera mbrapsht nga kufijtë e bashkimit evropian do të asgjësohen nga AKU në Divjakë.
Një ngarkesë me mandarina clementine, të eksportuara nga subjektet grumbulluese në fshatin Goriçan të Dimalit është kthyer dhe asgjësuar pasi nga analizimi laboratorik i kryer në Bari të Italisë ka rezultuar me nivel të lartë pesticidesh.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka gjobitur subjektin eksportues me pronar shtetasin Arben Dyli me 4 milion lekë, pasi nuk ka njoftuar për tregtimin e agrumeve. Sipas AKU Berat, ky subjekt pikë grumbullimi duhet ta shoqëronte ngarkesën me një fletë analizë nga ky institucion.
Po bëhen analiza në parcelën e fermerit Erjon Tafa, parcela e të cilit është në fshatin Goriçan. Ky fermer disponon 270 rrënjë agrume të kulturës mandarinë. I gjithë prodhimi i kthyer mbrapsht është groposur nga specialistët e AKU-së.
Përtej eksportit, a kontrollohen produktet që prodhohen në vend dhe hidhen në tregun vendas? Kjo është pikëpyetja më e madhe e ngritur pas 3 ngarkesave të kthyera nga shtetet e BE me mandarina të dyshuara me pesticide mbi normë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thotë se tregjet dhe prodhimet kontrollohen jo 100% por me bazë risku.
“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit e ushtron aktivitetin e tij në bazë të një plani të miratuar me bazë risku, si dhe marrje të mostrave dhe monitorim të pesticideve. Këto analiza kryhen në laboratorin e referencës që është i akredituar me standardet evropiane ISUV”, tha Jorgaqi.
Operatorët e fruta-perimeve ndahen në 3 grupe me risk të ulët, të mesëm dhe të lartë dhe kontrollet kryhen një herë në vit tek subjektet me risk të ulët dhe 4 herë në vit tek operatorët me risk të lartë.
“Kontrolli i fruta-perimeve ushtrohet në dy drejtime. Drejtimi i parë që ka të bëjë me mbrojtjen e bimëve dhe drejtimi i dytë ka të bëjë me produktin që del në treg. Nuk kontrollohen me aksione, por me plane me bazë risku, i ndarë në muaj dhe me operator të biznesit që konsiderohen me risk, qoftë mbi aktivitetin e mëparshëm për mos zbatim të ligjit, dhe mbi bazë të rëndësisë së produktit që ata tregtojnë. Pjesa e operatorëve konsiderohen me risk të ulët, të mesëm dhe të lartë, 1 inspektim në vit për operatorët me risk të ulët dhe 4 herë tek operatorët me risk të lartë. Në operatorët që gjenden në shkelje ushtrohen kontrolle të herëpashershme dhe merren masa për shkeljen”, tha Jorgaqi.
Ndërkohë fermerët nuk e kanë detyrim ligjor të bëjnë analiza të produkteve të tyre, por detyrimi i tyre është të mos përdorin pesticide.
“Analizat që bëhen nuk janë institucionale por janë autokontroll që e bën vetë biznesi në një laborator brenda apo jashtë vendit”, thotë Resuli.
Më 18 dhjetor Ministria e Bujqësisë sqaroi se tre raste ngarkesash me Mandarina clementine, të eksportuara në Berati e Fieri, janë kthyer mbrapsht, ku është bërë bllokimi dhe asgjësimi i produkteve prej dy prej ngarkesave.
Lajmi kryesor: