Shkojnë për të kuruar në spitalin e Krujës nënën 75-vjeçare, por sulmohen nga mjeku roje. Denoncimi është bërë nga Asina Muca, e cila akuzon mjekun Adrian Mata për neglizhencë dhe dhunë. Pavarësisht interesit të gazetarëve, mjeku nuk pranoi të flasë për versionin e tij të kësaj historie dhunë që ndodh brenda ambienteve të spitalit.

...
Ka qenë ora 15.00 kur e sëmura është dërguar në këtë spital në gjendje kritike, njëri nga mjekët roje dhe konkretisht Adrian Mata pasi e ka vizituar të sëmurën i’u ka thënë familjareve të saj se ajo duhet të dërgohet urgjent në Tiranë. Ata kanë kërkuar që transporti të bëhej me autoambulancën e spitalit pasi nuk kishin me çfarë ta dërgonin në Tiranë.

Mjeku nuk ka pranuar dhe fillimisht i ka thënë se autoambulanca është e prishur, por pasi ata kanë këmbëngulur dhe kanë kërkuar të komunikojnë me drejtorin e spitalit, mjeku në fjalë i është vërsulur të afërmve të pacientes ku njërin prej tyre e ka kapur në fyt ndërsa dy vajzat e tij i ka ofenduar, sharë e kërcënuar me fjalor banal, madje duke i dhunuar fizikisht.

Ka qenë ndërhyrja e disa personave të pranishëm që kanë bllokuar agresionin e mjekut. E sëmura nuk është lejuar as të qëndrojë në ambjentet e spitalit dhe ka qëndruar mbi 4 orë në një makinë private në pritje të transportimit të saj për në Tiranë megjithëse ishte në gjendje kritike.

Eshtë dashur ardhja e drejtorit të spitalit Arber Kurti që e sëmura Konxhe Bija të niset me autoambulancën e spitalit për në Tiranë pas 4 orësh nga momenti i paraqitjes në urgjencën e spitalit.

Mjeku Adrian Mata konsiderohet problematik përsa i përket marëdhënieve dhe mjekimit me të sëmurët. Një rast tjetër i këtij mjeku është ai para një muaji ku një pacient humbi jetën nga helmimi me kërpudha dhe që familjarët e tij u ankuan në media për neglizhencë në trajtim për pasojën e së cilës pacienti gjeti vdekjen.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)