Një vendim i tillë është kryer me shpejtësi, në mënyrë që punimet të nisin përpara se të marrë fuqinë qeveria e re e koalicionit të majtë, ndërkohë që kryeministri i zgjedhur Edi Rama ka deklaruar se plani për rregullimin e Tiranës do të zhbëhet. Kështu, pas më shumë se 60 vjetësh, Tirana nuk do të ketë më stacion hekurudhor për t’u lidhur me qytetet e tjera të vendit nëpërmjet rrugëve të hekurta.
NJOFTIMI
Dje paradite DPHSH ka bërë të ditur se duke nisur nga dita e hënë trenat, si ata të udhëtarëve, ashtu edhe ata të mallrave, nuk do të mund të shkojnë më në Tiranë, pasi Stacioni Hekurudhor do të mbyllet. Më pas, hekurudhorët sqarojnë se stacioni i fundit më pranë kryeqytetit do të jetë ai i Vorës.
Kushdo që do të marrë rrugën për të udhëtuar me tren drejt kryeqytetit, si dhe anasjelltas, duhet ta dijë që, ose do ta mbyllë udhëtimin në Vorë, ose do të niset që nga Vora në drejtim të qyteteve të tjera. Një vendim i tillë është marrë nga Bashkia e Tiranës, e cila ka vendosur që, në vend të shinave të trenit, deri te Kthesa e Kamzës të zgjatojë Bulevardin e Madh, duke e larguar hekurudhën nga kryeqytetasit.
Për të mundësuar vazhdimin e udhëtimit, kjo bashki ka deklaruar se do të verë në dispozicion të udhëtarëve autobuzë në segmentin Vorë-Tiranë dhe anasjelltas. Ata që do ta ndjejnë më tepër këtë vendim do të jenë studentët durrsakë, të cilët ndjekin studimet në Universitetet e Tiranës e për çdo ditë udhëtojnë me trena, duke u pajisur me abone, e cila ka vlerën e 80 lekëve vajtje-ardhje. Ata tashmë do të detyrohen të udhëtojnë me furgonat apo autobuzat e kësaj linje, vlera e biletës në të cilat kushton 300 lekë, pra gati herqë herë më shumë.
PROJEKTI
Në DPHSH sqarojnë se, sipas planit të Bashkisë së Bashës, godina e stacionit hekurudhor në Tiranë, si dhe peroni, do të shemben për të mundësuar zgjatimin e bulevardit. Ky i fundit do të mbërrijë deri te kthesa e Kamzës. Këtu bën pjesë edhe ndërtimi i rrugës së tramvajit. Ndërsa është menduar që stacioni hekurudhor të ndërtohet në Laprakë. Një projekt i tillë është parashikuar të realizohet brenda një afati kohor 3-4 vjet.
Ndërkohë, specialistët e hekurudhës e kanë kundërshtuar një projekt të tillë në mbledhjet e organizuara në Tiranë, por askush nuk e ka pasur në konsideratë mendimin e tyre. Sipas tyre, përvoja botërore flet për ndërtimin e stacioneve hekurudhore sa më pranë qendrave të qyteteve, pasi ky është edhe avantazhi i hekurudhës ndaj linjave ajrore, detare apo me autobusë.
Specialistët, gjithashtu, deklarojnë se këto vendime janë marrë në një kohë shumë të shpejtë dhe në to diktohet tendenca për ta bërë fakt të kryer këtë projekt. Kjo, sidomos pas deklaratave të Ramës për mosnjohjen e planit rregullues të Tiranës që disponon Bashkia e Lulzim Bashës.
Lajmi u përditësua
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 01.09.2013
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)