Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, së bashku me kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, vizituan në Spitalin Rajonal të Lezhës tre të rinjtë nga Kosova që po marrin trajtim mjekësor pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në plazhin e Ranës së Hedhun në Shëngjin.

Sipas ambasadorit Durmishi, gjendja e tre të rinjve është e stabilizuar dhe ata vijojnë të jenë nën kujdesin e vazhdueshëm të bluzave të bardha në urgjencën e Lezhës.

Ai falënderoi ekipet mjekësore dhe strukturat vendore për reagimin e shpejtë dhe ndihmën e ofruar, ndërsa shprehu solidaritetin me familjet e personave të përfshirë në këtë ngjarje tragjike.

“Gjendja e tyre është e mirë, është fati i tyre. Ndërkohë kjo ngjarje është shumë tronditëse”, tha Durmishi, teksa vuri në dukje kujdesin e mjekëve.

Mjekët bëjnë me dije se të rinjtë po monitorohen në mënyrë të vazhdueshme dhe, deri tani, parametrat e tyre shëndetësorë paraqiten të qëndrueshëm.


Lajmi kryesor:

Tragjedi në Lezhë/ Të rinjtë nga Kosova i mori dallga, mbyten 2 prej tyre te 'Rana e Hedhun'! 3 të tjerë në spital (EMRAT)