Sandër Simoni, Kryegjyqtari i Krimeve të Rënda, qëndron në të njëjtën linjë me kolegët e tij, duke pohuar se në shqipëri gjyqtarëve duhet ti kufizohet imuniteti dhe jo ti hiqet totalisht. Sipas Simonit, imuniteti i gjyqtarit është një garanci e pacënueshme e personalitetit si dhe ndikon edhe në periudhën e e ushtrimit të detyrës së tyre. Gjatë një interviste për gazetën "Shqiptarja.com", kryegjyqtari tregon se kufizimi i imunitetit të gjyqtarëve është një standard i pranuar dhe nga vendet e tjera dhe për këtë në Shqipëri duhet vetëm fullneti politik. Ai tregon se imuniteti i një gjyqtari nuk është vetëm një garanci personale por edhe një mjet për të siguruar funksionimin normal të detyrës në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Sipas Simonit, imuniteti duhet të interpretohet si një garanci që jep shteti i së drejtës jo për gjyqtarin, por për ruajtjen e shtyllave të shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe ndarjes së kompetencave. Ndërkohë që i pyetur lidhur me debatin politik nëse ndryshimet ligjore që lidhen me imunitetin të bëhen me shumicë të cilësuar apo të thjeshtë, gjyqtari Sandër Simoni deklaron se çdo ndryshim në Kushtetutë dhe në Kodin e Procedurës Penale duhet të bëhet me shumicë të cilësuar.

Zoti Simoni, prej disa ditësh është duke u zhvilluar një debat lidhur me heqjen ose kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve. Ju si kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, jeni për kufizim apo heqjen totale të imunitetit të gjyqtarëve?
Ashtu si janë shprehur edhe shumica e kolegëve të mi, edhe mendimi im është për kufizimin e imunitetit të gjyqtarëve, dhe jo për heqjen tërësore të tij. Kjo sepse imuniteti i gjyqtarit është garanci e pacënueshmërisë personale të tij gjatë ushtrimit të detyrës, një standard i pranuar ndërkombëtar dhe nga përvoja e sistemeve të tjera ligjore. Por edhe ne duhet të gjejmë një ekuilibër mes nevojës për mbrojtje të paravërisë, pacënueshmërisë në ushtrimin e detyrës dhe asaj për kontroll ligjor të të gjithave pushteteve të ushtruara brenda shtetit. Prandaj edhe ashtu siç e parashikojnë standardet ndërkombëtare, imuniteti i gjyqtarëve të kufizohet ndaj ndjekjes dhe gjykimit të veprave penale që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.

Çfarë pasoja mund ti lindin një gjyqtari të Republikës së Shqipërisë, në rast se ai nuk do të ketë më imunitet. Nga cilët faktorë mund të tremben togat e zeza për mos dorëzimin total të imunitetit?
Në kuptimin që imuniteti nuk është vetëm një garanci personale, por një mjet për të siguruar funksionimin normal të detyrës në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, rreziku që mund t'i kanoset një gjyqtari të Republikës së Shqipërisë në heqjen totale të imunitetit është pikërisht mundësia e cënimit të pavarësisë së tij gjatë ushtrimit të detyrës. Theksoj se imuniteti si mbrojtje duhet të interpretohet si një garanci që jep shteti i së drejtës jo për gjyqtarin, por për ruajtjen e shtyllave të shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe ndarjes së kompetencave.

Ish-kryetari i Gjykatës së Kasacionit zoti Zef Brozi, në një shkrim të botuar në gazetën "Shqiptarja.com" u ka bërë thirtje klasës politike por dhe gjyqtarëve, që të heqin imunitetin dhe në rastet e abuzimeve të vihen para përgjegjësisë ligjore. A jeni dakort ju me këtë?
Procesi legjislativ i përket parlamentit, gjyqtarët janë për të zbatuar ligjin.

Mazhoranca qeverisëse ka paraqytur dy variante për heqjen e imunitetit. PD ka thënë se duhet të hiqet, dhe LSI të kufizohet. Kush është më afër legjislacionit europian?
Të dyja standardet janë evropiane, por në shumicën e vendeve evropiane bëhet një dallim mes imunitetit absolut që bën të pamundur përgjegjshmërinë dhe atij relative që përbën një barrier të përkohshme dhe kushtëzuese ndaj procedimeve penale. Siç u shpreha edhe më sipër, në rastin e gjyqtarëve jam për kufizimin e imunitetit.

Po ashtu kemi dy qëndrime përsa i përket numrit të vota në parlament, nëse bëhet fjala për heqje dhe për kufizim. Sipas jush heqja apo kufizimi duhet të bëhet me shumicë të thjeshtë apo të cilësuar?
Sigurisht që kur bëhet fjalë për ndryshime në Kushtetutë apo në Kodin e Procedurës Penale, këto ndryshime duhet të miratohen me shumicë të cilësuar, ashtu sikurse e kërkon edhe Kushtetuta e R.SH.

(eq/shqiptarja.com)