DOKUMENTI/ Basha dhe Kryemadhi firmosin marrëveshjen me 13 pika për koalicion paszgjedhor, shkrijnë edhe sloganet në 'Shqipëria, shtëpia që fiton'

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi dhe kreu i PD Lulzim Basha firmosin marrëveshjen me sloganin 'Shqipëria, shtëpia që fiton', ku përcaktohen piketat mbi të cilat do vijojë koalicioni mes tyre pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Gazetarja Danjela Maloku raporton se kjo marrëveshje përmban 13 pika, ku kryesorja është nxjerrja e vendit nga kriza. Përballimi dhe zgjidhja e problemeve kritike të vendit, siç nënvizohet në marrëveshje, do të jenë objektivi themelor i programeve elektorale në zgjedhjet e 25 prillit dhe shtyllat e Programit Qeverisës të përbashkët pas fitores së zgjedhjeve. Sipas marrëveshjes përfaqësimi në të gjithë nivelet e qeverisjes së ardhshme do të realizohet proporcionalisht mbi bazën e rezultatit zgjedhor.

Ndër 13 pikat e kësaj marrëveshje mes PD dhe LSI, janë plani për pandeminë COVID-19, për rindërtimin e banesave, për rikthimin e pronave për komunitetet fetare, plan kundër krimit të organizuar, integrimin e rolit të gruas në vendimmarrje, punësimi, emigrimi dhe anëtarësimi në BE.

Kjo marrëveshje mes tyre vjen pak ditë pas asaj që Basha firmosi me 12 aleatët për të shkuar në zgjedhje bashkë duke formuar koalicionin “Aleanca për ndryshim”. Negociatat për këtë koalicion kanë qenë të vështira dhe intensive gjatë datës 24 shkurt, ndërsa marrëveshja është dorëzuar në KQZ në orën 11:40 të mbrëmjes, pak para se të skadonte afatin, duke marrë edhe firmën e FRD, çka solli një ditë më pas dhe dorëheqjen e kryetarit të saj Bamir Topi.  Ky i fundit dha dorëheqjen pasi ishte nënkryetari i FRD Sali Shehu i cili ka firmosur marrëveshjen me Bashën pa vullnetin e tij.

Ndonëse LSI ka marrë vendimin për të shkuar e vetme në zgjedhje, ditën kur Basha përpiloi marrëveshjen, Report Tv zbuloi ekskluzivisht një takim të tij me Kryemadhin, ku pavarësisht puthjeve e përqafimeve mes tyre, dy partitë të spektrit të kundër politik, nuk u bënë dot bashkë në një koalicion, por vetëm në Dibër e Kukës, ku LSI do të ketë kandidatë nën logon e PD-së për të marrë mandate.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:37
Sot firmosi Basha me Kryemadhin, Gazment Bardhi: Ramën e ka kapur paniku

1609949453_gazmendbardhi770x433.jpg

Firmosjen e marrëveshjes mes kryetarit të PD-së Basha dhe kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi e shikon si një arsye të fortë që Ramën ta zërë paniku. Sipas tij Kryeministri sot e ka kuptuar që më 25 prill do të humbë.

"Edi Ramën e ka kapur paniku, sepse ka kuptuar që sot ka nisur fundi i tij. Rama e kupton që më 25 prill do të shkojë në shtëpi.

Ne u bashkuam që të sigurojmë ndryshimin në Shqipëri dhe atë ndryshim do ta sjellim ne: shpresa të reja për të gjithë dhe plane serioze pune në të gjitha fushat, ku Rama ka dështuar për 8 vjet me radhë: ekonomi, shëndetësi, arsim, emigrim, infrastrukturë. Kohës tënde i ka ardhur fundi, Rama. Ka ardhur çasti të ndryshojmë", shkruan Gazment Bardhi në rrjetet sociale.

Ora 11:09
Kryemadhi vishet e gjitha me blunë e PD-së, foto nga firmosja e marrëveshjes me Bashën (FOTO)

Kryetarja e LSI monika Kryemadhi është veshur e gjitha me ngjyrën blu të PD-së gjatë firmosjes së marrëveshjes me kreun e PD Lulzim Basha për koalicion paszgjedhor.

 

Ora 10:25
Firmosi marrëveshjen me PD/ Kryemadhi: Me Bashën jemi bërë bashkë kundër dështimeve të Ramës, ditë më të mira do të vijnë (VIDEO)

Një aleancë kundër  dështimeve të Ramës e quajti kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Intergim, Monika Kryemadhi, marrëveshjen e firmosur nga ajo me Partinë Demokratike.  Në fjalën e saj pas firmosjes së marrëveshjes, Kryemadhi tha se ditë më të mira do të vijnë.

"Bashkojmë forcat për të mirën e popullit shqiptar. Ndryshimi është i paevitueshëm dhe ditë më të mira do të vijnë.  Një parti si ne që në thelb ka socialdemokracinë dhe PD e djathtë ne do të vijojmë të jemi dy entitete me identitetin e tyre. Do të kemi mosdakordësi por do të gjejmë gjuhën e përbashkët dhe do të vendosim para interesin e shqiptarëve.

Ne dhe PD besojmë se vendi po shkon në rrugë të gabuar. Ne duhet të ndalojmë dëshirën e shqiptarëve për të emigruar nga Shqipëria. Ky është një partnership i ndërtuar për të zgjatur edhe në qeverisjen e re. Do të punojmë krah për krah njëri-tjetrit në çdo rrugicë. Ne jemi përgatitur të fokusojmë të gjithë vëmendjen në rimëkëmbjen e ekonomisë sonë post COVID.

Dua t'ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që të bashkohemi. Referendumi i 25 prillit është mision kombëtar për t'i dhënë fund çdo sekti që kërkon të marrë peng Shqipërinë e shqiptarëve", tha ndër të tjera Kryemadhi.

 

Ora 10:22
Firmosi marrëveshjen me Kryemadhin, Basha: Udhëtimi i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë fillon sot (VIDEO)

Kreu i PD Lulzim Basha në fjalimin e mbajtur pasi ka firmosur marrëveshjen me kryetaren e LSI Monika Kryemadhi ka deklaruar se sot fillon udhëtimi i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë.

“Çdo udhëtim i madh nis me një hap të parë dhe çdo shpresë is me një ëndërr e cila bëhet realitet. Udhëtimi i përbashkët për të ndryshuar Shqipërinë fillon sot. Gjatë javëve të fundit kam prezantuar planet tona të punës në të gjitha drejtimet për ekonominë arsuimin shëndetësinë… për kthi in e të rinjve në vend dhe ndalejne e katastrofës kombëtare të emigracionit, për integrimin europian, me anë të të cilit fiton çdo shqiptar. Këto janë plane që do ndryshojnë jetën tuaj. Ka ardhur kohë t ëshkojmë shtëpi më shtëpi, rrugë më rrugë fshat më fshat”, tha Basha.

Ora 10:11
Zbardhet marrëveshja me 13 pika mes Bashës dhe Kryemadhit për koalicion paszgjedhor! Nga plani për pandeminë te emigrimi (DOKUMENTI)

Gazetarja e Report Tv Danjela Maloku zbardh marrëveshjen me 13 pika që është firmosur mes kryetares së LSI Monika Kryemadhi dhe kreut të PD Lulzim Basha për koalicion paszgjedhor.

Përballimi dhe zgjidhja e problemeve kritike të vendit do të jenë objektivi themelor i programeve elektorale në zgjedhjet e 25 prillit dhe shtyllat e Programit Qeverisës të përbashkët pas fitores së zgjedhjeve.

( Kliko këtu ) Marrëveshja e plotë PD - LSI

Marrëveshja e plotë:

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim,

Me angazhimin solemn për të zgjidhur problemet kritike kushtetuese, institucionale, politike, ekonomike, sociale si dhe ato të shëndetit publik, me të cilat përballet vendi dhe që e kanë çuar situatën në Shqipëri në një udhëkryq tepër të rrezikshëm;

Mbështetur dhe në vijim të marrëveshjes së krijimit të Opozitës së Bashkuar, të datës 23/04/2019;

Në përgjigje të ndryshimeve arbitrare, antikushtetuese të Kodit Zgjedhor dhe të Kushtetutës së Shqipërisë të datës 30 Korrik, 2020;

Me synimin për t'i dhënë Shqipërisë një qeverisje të re, 'nga njerëzit - për njerëzit', e cila do t'i japë fund polarizimit të tejskajshëm, politik, ekonomik dhe social, që ka vendi, t'i kthejë atyre besimin për ndërtimin e Shqipërisë si gjithë Europa, duke krijuar mundësi për punësim të mirëpaguar, duke çliruar ekonominë dhe duke i ofruar çdo qytetari, të rinjve dhe grave, sipërmarrësve dhe pensionistëve, mundësi reale për mirëqenie dhe prosperitet.

                                        Vendosin:

Përballimi dhe zgjidhja e problemeve kritike të vendit do të jenë objektivi themelor i programeve elektorale në zgjedhjet e 25 prillit dhe shtyllat e Programit Qeverisës të përbashkët pas fitores së zgjedhjeve.

Si Opozitë e Bashkuar, PD dhe LSI do të konkurojnë në zgjedhje me dy lista (PD-AN + LSI), për të realizuar një përfaqësim të plotë dhe sa më gjithëpërfshirës politiko-elektoral dhe kurorëzimin e fitores së Opozitës në zgjedhjet e 25 Prillit 2021.

Të respektojnë shtyllat themelore programore të të dy partive respektive në qeverisjen e ardhshme.

Përfaqësimi në të gjithë nivelet e qeverisjes së ardhshme do të realizohet proporcionalisht mbi bazën e rezultatit zgjedhor.

Opozita e Bashkuar do të jetë unanime në angazhimin e tyre në qeverisje për t'i dhënë përgjigje dhe zgjidhje të mënjëhershme për sa më poshtë vijon:

  1. Nxjerrjen e vendit nga kriza shumë e rëndë ekonomike e shkaktuar nga qeverisja klienteliste dhe bashkëpunëtore e oligarkisë dhe e krimit. Rikthimi i ekonomisë në funksion të punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve, duke i dhënë fund grabitjes më të madhe të ndodhur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, përmes konçesioneve, oligarkëve, korrupsionit me paratë publike, që ka pushtuar çdo nivel të qeverisjes. Ky transformim ekonomik do të realizohet me një program të qartë dhe të diskutuar gjerësisht me qytetarët dhe grupet e interesit.
  2. Përmbushjen e të gjitha kushteve për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe dhënien fund të çdo pengese të krijuar nga qeverisja aktuale për këtë proces jetik për të gjithë shqiptarët si dhe për mobilizimin e të gjithë faktorëve politikë dhe të shoqërisë civile për realizimin e këtij objektivi.
  3. Rivendosja e shtetit të së drejtës dhe e sundimit të ligjit,  çlirimin e shtetit nga kapja, rikthimin e llogaridhënies, duke i dhënë fund abuzimit dhe shkeljes flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve, pandëshkueshmërisë së zyrtarëve publikë dhe fenomeneve shkatërruese si korrupsioni dhe uzurpimi i pushtetit për përfitime dhe interesa vetjake.
  4. Ndërtimin e një aksioni qeveritar intensiv për të frenuar shpopullimin masiv.
  5. Prioritarizimin e krijimit të punësimit të mirëpaguar, si rruga kryesore për të përmirësuar jetën e shqiptarëve.
  6. Realizimin e një programi qeverisës me prioritet rininë, për një arsimim cilësor dhe mundësi të gjera punësimi të saj, për të eleminuar tragjedinë e shpopullimit dhe largimit masiv të të rinjve dhe për integrimin e mëtejshëm në drejtim, në politikëbërje dhe në shoqëri.
  7. Për të garantuar mundësi të barabarta për përfaqësimin e gruas në vendimmarrje, për emancipimin dhe fuqizimin e saj në shoqëri dhe politikëbërje.
  8. Për të realizuar një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar, trafiqeve të çdo lloji dhe pastrimit të parave të pista, si shkaqe penguese kryesore për zhvillimin e vendit dhe sigurinë publike të qytetarëve.
  9. Për të zgjidhur në mënyrë prioritare problemin e rindërtimit të banesave të dëmtuara dhe të shkatërruara nga tërmetet. Për një proçes shumë të shpejtë, jokorruptiv e selektiv dhe me garanci juridike për pronën e tyre, që u mundëson qytetarëve të kenë në kohën më të shpejtë të mundshme njësitë e banimit apo të shërbimit.
  10. Për t'i dhënë fund problemit kritik të pandemisë COVID-19, duke zbatuar një plan shëndetësor-social, i cili i jep përgjigje kufizimit të përhapjes, realizimin e testimeve, gjurmimeve dhe trajtimeve mjekësore, rimbursimin e shpenzimeve për pacientët, që trajtohen në banesë, vaksinimin e gjerë të popullatës larg trajtimit diskriminues. Për të realizuar planin e rimëkëmbjes së ekonomisë dhe mbështetjes së qytetarëve dhe biznesit të prekur nga pandemia.
  11. Për zhvillimin real dhe të qenësishëm të kulturës dhe sportit.
  12. Për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe për t'i dhënë fund dëmtimit, tjetërsimit dhe asgjësimit të saj.
  13. Për garantimin e rikthimit të pronave për komunitetet fetare në vendin tonë.

1614588313_lsipdmelogo.jpg

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • JamKushJam: 01/03/2021 19:27

    hahahahahahahah Mona veshur me blu se eshte moda, ngaqe e kuqja s'ka per ti shkuar me... hahahahahahahaha...Po s'ke faj se te duhet te ruash dhe ta rruash qe te mbash Vilen e Lalzit dhe bllokun 7% ne kembe!!!! Mona dhe Luli jan bere si top modele te dores se katert dhe po mundohen te shiten si dora e pare... hahahahahahaha

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja