Marrëveshja që demokratët kishin përpiluar që më 23 shkurt, nuk i mori të gjitha firmat e kryetarëve të partive dhe gjithçka iu la minutave të fundit deri në orën 11:40 të mbrëmjes së 24 shkurtit kur përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso, dorëzoi për regjistrim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve koalicionin “PD- Aleanca për Ndryshim”.

Suprizë e marrëveshjes ishte emri i Bamir Topit, i cili e ka shprehur hapur zhgënjimin nga Lulzim Basha si lider të marrë peng nga Sali Berisha. Teksa në orët e vona të mbrëmjes u raportua se ai firmosi aleancën me PD-në, gjithçka u qartësua mëngjesin e 25 shkurtit, kur Topi në mënyrë të papritur dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë “Fryma e Re Demokratike”.

Por si kjo forcë politike u bë pjesë e koalicionit?

Burime për Report Tv thonë se firmën në marrëveshje e ka vënë pa vullnetin e Bamir Topit dhe pa një mandate nga kryesia, nënkryetari i FRP-së, Sali Shehu që të mërkurën e vizitoi selinë e PD-së 3 herë, aty ku Basha u bë pritësi i aleatëve.

Me vendimin për të shkuar e vetme në zgjedhje, Lëvizja Socialiste për Integrim, shpërbëu opozitën e bashkuar që u ngritën bashkë në protesta anti-qeveritare, për të rrëzuar si një trup qeverinë Rama. Ditën kur Basha përpiloi marrëveshjen, Report Tv zbuloi ekskluzivisht një takim të tij me Monika Kryemadhin, ku pavarësisht puthjeve e përqafimeve mes tyre, dy partitë të spektrit të kundër politik, nuk u bënë dot bashkë në një koalicion, por vetëm në Dibër e Kukës, ku LSI do të ketë kandidatë nën logon e PD-së për të marrë mandate.

Dualiteti më befasues i koalicionit është Vangjel Dule dhe Shpëtim Idrizi që i ndan çështja çame.

Ajo që nuk pritej ishte stepja e Nard Ndokës për të firmosur në moment të fundit, pas një përplasje me Bashën, siç thonë burimet, për shkak të renditjes jo në zonë të sigurt në lsitën për deputet në Shkodër.

Partia udhëheqëse që Lulzim Basha kryeson shkon në zgjedhje me 12 parti të tjera, shumica aleat tradicional. Por kryedemokrati mirëpriti në aleancë edhe Artur Roshin e Ballit Kombëtar Demokrat, i cili kur opozita e bashkuar dogji mandatet 2 vite më parë, zgjodhi të shfrytëzojë shansin që edhe pse në pjesën e fundit të listës së PD-së, të zërë vendin e deputetit.

Lulzim Basha zgjodhi aleancë edhe me Partinë Kristian Demokrate me kryetar Dhimitër Muslia, drejtuar më parë nga Mark Frroku, përmes së cilës ai hyri në Kuvend deri kur u arrestua dhe u dënua për pastrim parash, ndërsa opozita e quajti simbol të kriminalizimit të Parlamentit.

Kreu i PD kishte bërë aleancë edhe me Partinë e Mendimit të Djathtë Liberal, e cila drejtohet nga Mustafa Lici, një emër ky i dëgjuar në rrethin e demokratëve të Shkodrës, ish-anëtar i këshillit bashkiak në këtë qytet. Basha e ka hequr nga koalicioni opozitar këtë parti, duke dorëzuar në KQZ një listë  me  13 parti, koalicion të cilin e kanë pagëzuar me emrin ‘Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim’.

Mustafa Lici është babai i Ibrahim Licit, të shpallur në kërkim me akuzën e vrasjes së vëllezërve Ibrahim dhe Astrit Bilali në mars 2019. Ibrahim Lici është i dyshuar nga policia është për ngjarje të tjera të rënda në Shkodër, si dhe ishte subjekt i OFL-së.

Partitë e koalicionit

  1. PDLulzim Basha
  2. PR - Fatmir Mediut
  3. PDIU - Shpëtim Idrizi
  4. LZHK - Dashamir Shehi
  5. PBDNJ - Vangjel Dule
  6.  PAA - Agron Duka
  7. PDK - Nard Ndoka
  8. FRD - Sali Shehu
  9. Bashkimi Liberal Demokrat - Arjan Starova
  10. Partia Balli Kombëtar Demokrat - Artur Roshi
  11. Partia Bashkimi Demokrat - Ylber Valteri
  12. Partia Lëvizja e Legalitetit - Shpëtim Axhami
  13. Partia Kristjan Semokrate - Dhimitër Myslia