Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi iu ka bërë thirrje strukturave në qarqe që të bëhen gati për revolucion, nëse kërkojnë për familjarët e tyre dhe të gjithë shqiptarët një vend më të mirë. 

“Jemi të vendosur më shumë se kurrë për të ardhmen e fëmijëve të shqiptarëve. Jemi të vendosur për të kthyer Shqipërinë në shtëpinë e shqiptarëve. Do e vendosim aksionin politik aty ku duhet dhe t’u kthejmë dinjitetin shqiptarëve. 

LSI është flakur për të mos e thënë e përdorur dhe ka shërbyer si një vegël për të kapur strukturat e shtetit për t’i shërbyer një sekti kriminal. Dua që të bëj një sqarim të thjeshtë për sa i përket anëtarëve të komitetit drejtues nga qarqe jashtë Tiranës, nuk ka më pritje, bëhuni gati për revolucion, protesta, revolta koncerte, çfarë të doni ju. Nuk ka më kohë për të pritur”, deklaroi Kryemadhi.

Kryemadhi u shpreh më tej se rrëzimi dhe largimi i kryeministrit Edi Rama përkthehet në krijim shansesh të barabarta për të gjithë shqiptarët, 

"Rrëzimi dhe largimi Ramës do të thotë një shëndetësi falas, ose të kthejmë një shëndetësi të barabartë, të mirë dhe të detyrueshme për shqiptarët. Do të thotë të plotësosh kërkesat e studentëve dhe të ruash integritetin e universitetit shqiptar. Pasi premtimet e tij u kthyen në ura të kapjes dhe grabitjes së shtetit”, tha më tej kryetarja e LSI-së.