Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi tha se në Kuvend do të miratohet reforma zgjedhore vetëm sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Sipas saj, të gjitha diskutimet e tjera duhet të bëhen pasi të përmbushet kushti i parë i vendosur nga Bundestagu gjerman për hapjen e negociatave, reforma zgjedhore.
Kryemadhi tha se kush flet për ndryshim sistemi, "luan lojën e Edi Ramës". Me këtë deklaratë, kryetarja e LSI-së i referohet propozimeve të ardhura nga opozita e re parlamentare për lista të hapura. Ajo tha se Kuvendi aktual nuk mund të miratojë asgjë tjetër, veç reformës gërmë më gërmë sipas OSBE-ODIHR, dhe se për sistemin duhet të vendosë populli me referendum.
"Ne na është kërkuar nga Bundestagut të zbatojmë rekomandimet e OSBE/ODIHR, dhe ta kalojmë për miratim reformën në Kuvend. Nëse ka gjëra të tjera hajde t'i diskutojmë. Ne kemi detyrim rekomandimet e OSBE/ODIHR, me dakordësinë që ne japim, për gjërat e tjera nuk jemi ne përgjegjës. Ne do bëjmë ato që kërkon Bundestagu. Bundestagu tha janë nëntë kushte, kushti i parë është reforma zgjedhore, ta bëni me OSBE/ODIHR. Me këtë parlament nuk bëjmë më shumë se kaq, se nuk ka më shumë se 82 vota, unë jap dakordësi vetëm për të ndryshuar Kodin zgjedhor, dhe po t'i quaj të ligjshme votat. Me çfarë do e ndryshojë sistemin? Ata janë ilegjitim, nëse do të kishim gjykatë kushtetuese, parlamenti është ilegjetim. Sistemi mund të ndryshojë me referendum, se ky parlament nuk ta ndryshon dot, le ta çojnë popullin në referendum. Kush flet sot për sistemin bën lojën e Edi Ramës, kërkon të zhvendosë vëmendjen nga varfëria, koncesionet. Pse çuditërisht kur bëhej gati dakordësimi për zgjedhoren, hidhet në lojë historia e sistemit. Sot nuk është ky problemi, sot duhen mbyllur kushtet e Bundestagut deri në fund të marsit.", tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI-së shtoi se është dakord për sistem mazhoritar të pastër siç është shprehur edhe lideri demokrat Lulzim Basha, pasi sipas saj nuk e dëmton LSI-në si parti të tretë.
"Fare, nuk na dëmton, se do të kalojë me dy raunde. Fiton më shumë me mazhoritar, partia e tretë edhe partia e katërt. Në kushtet kur jemi sot, është më mirë që njerëzit të jenë drejtpërdrejt të lidhur me deputetin. Mua më intereson me lista të hapura, se duhet të bëjë matematikë, llogari politike edhe morale. Dhe do të ndodhë që nëpër listat e kryetarëve të partive, në 100 emra do të vësh biznesmenë, dhe 2-3 të fortë, dhe listat i kryesojnë këta 12- 13 veta. Nëse nuk dekriminalizohet procesi zgjedhor, ndërroje sistemin sa të duash", tha kryetarja e LSI-së.
Lajmi kryesor: