Rama: Leja përgjegjësi e policave të sigurimit, ndërtuesi 10 vjet garanci blerësit! Fatura për tërmetin 6 mln $

TIRANË - Të gjitha godinat e shembura nga tërmeti i fuqishëm që preku Shqipërinë më 21 shtator, që janë bërë të pabanueshme, do të rindërtohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për emergjencat civile. Por të gjithë ata që do të duan t'i ndërtojnë vetë godinat, do të kenë procedura të lehtësuara, bëri të ditur kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat, ku tha se leja e ndërtimit do të merret brenda 5 ditëve pa paguar asnjë taksë. Për të gjitha familjet e prekura nga tërmeti, kreu i qeverisë tha se është bërë marrëveshje me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Ujësjellësin që tu falen të gjitha borxhet e dritave dhe ujit, ndërkohë që do të ketë lehtësi edhe për familjet ndërtesat e të cilave janë dëmtuar por që nuk kanë përfunduar në të pabanueshme.

Rreth 6 milionë dollarë është fondi paraprak për dëmet nga tërmeti tha shefi i mazhorancës, duke shtuar se për të bërë evidentimin përfundimtar të dëmeve nga tërmeti, do të pritet rakordimi mes kontrollit të policisë së shtetit, ekspertëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe inxhinierëve nga kompani private, me kontrollin e njësive vendore, për të dalë me një shifër të saktë.

"Duhet të presim një rakordim nga njësitë vendore pasi kanë kërkuar që çdo verifikim të bëhet jo bazuar tek vetëdeklarimet por tek inspektimet, që do jenë të dyfishta. Policia e Shtetit me një grup të Emergjencave Civile dhe me ekspertë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe institucioneve private me inxhinierë, dhe nga ana tjetër, njësitë vendore. Do të bëhet verifikim i plotë dhe shifra të sakta që përputhen jo të përafërta. Kush ka humbur shtëpinë do të marrë shtëpinë, kush do ta bëjë vet, është i lirë ta bëjë vet, nuk do të paguajë asnjë taksë", tha Rama teksa shtoi se sa i përket godinave me dëme të dukshme nga jashtë, nga verifikimet ka rezultuar se janë vetëm plasaritje sipërfaqësore, dhe nuk ka prekje të strukturave.

Kryeministri zbuloi se qeveria ka marrë një vendim për të detyruar ndërtuesit që të lidhin kontrata 10-vjeçare sigurimi me blerësit.

“Kemi marrë një vendim me impakt afatgjatë, që parashikon masa detyruese për ndërtuesit për të lidhur një kontratë sigurimi me një afat dhjetëvjeçar me blerësit e apartamenteve, që mbulojnë dëmet për një afat trevjeçar ndaj të tretëve, kur ndërtimi shembet tërësisht apo paraqit defekte serioze", tha Rama.

Ndërkohë, Rama bëri të ditur një tjetër vendim të rëndësishëm ku asnjë leje ndërtimi nuk do të jepet pa policën e sigurimit.

"Nuk mund të kontrollohen dot godinat e ndërtuara për qëllime fitimi, pra flasim për pallate dhe godina të karakter biznesi, apo hotele, të gjithë këto, thjesht dhe vetëm me inspektoriate, qoftë me polici, qoftë me inspektoriat të mbrojtjes së territorit, etj, por do të futet mekanizmi i vetëkontrollit përmes marrëdhënies me kompaninë e sigurimit. Ajo do të marrë përsipër të garantojë blerësin dhe autoritetin që ka dhënë lejen, se godina përputhet me atë që është dhënë leja. Në të kundërt do të shkojnë përpara ligjit të dyja palët. Ka pasur shumë raste me shkelje në ndërtim, por gjykatësit e sistemit të kalbur të drejtësisë kanë preferuar të marrin ryshfetet dhe të mos ndëshkojnë. Me futjen e kompanisë së sigurimit, nuk do të ketë më asnjë blerës që paguan që në themel dhe në fund bëhet pronar i një apartamenti apo dyqani që nuk e hipotekon dot pasi ai që i ka marrë lekët i ka lënë një pronë me shkelje”, tha Rama.

VIDEO/Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:12
Integrimi/ Rama flet me detaje për vendimin e Francës: Ka të drejtën të mos e ketë mendjen tek ne, pavarësisht sa të padrejtë e mendoj unë

Kryeministri Edi Rama tha se komunikimet me presidentin e Francës, Emanuel Macron i ka pasur për tërmetin ku homologu ka shprehur solidaritetin e tij për pasojat në Shqipëri, por referuar vendimit të Parisit zyrtar për çeljen ose jo të negociatave, kreu i qeverisë tha se ky vendim nuk varet nga ne.

Kryeministri Edi Rama tha se plotësimi i dy prej kushteve të vendosur nga Bundestagu gjerman janë plotësisht të realizueshme brenda këtij viti.

"Me Parisin jemi duke komunikuar për tërmetin. Që në momentin n e parë presidenti më ka telefonuar. Sa i përket negociatave, nuk dua të bëj përsëritje: Por nuk varet nga ne! Varet  nga të tjera arsye jashtë nesh. Nëse me Bundestagun kemi një marrëdhënie për shkak të një marrëdhënie tjetër, një raport partiak me Shqipërinë. Unë nuk jam në gjendje të them se cili do të jetë përfundimi nga ana e Francës, por mirëkuptoj që Franca është një vend i madh, një nga dy themeluesit e idesë së BE-së, ka të drejtën të mendojë dhe të shohë ndryshe, dhe ka të drejtën të mos e ketë mendjen tek ne, pavarësisht sa e padrejtë mund të na duket dhe pavarësisht sa të padrejtë e mendoj unë. Është e rëndësishme që kemi kaluar barrierën e Bundestagut, kemi marrë një PO që është e qartë. Ka dy kushte që janë plotësisht të realizueshme brenda këtij viti, qoftë Reforma Zgjedhore, qoftë plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe funksioni i Gjykatës së Lartë edhe SPAK. Pastaj, të tjerat nuk janë më në dorën tonë. Duhet të mësohemi që integrimi në BE është përfshirja në një familje me shumë anëtarë me shumë interesa që jo gjithmonë përputhen, dhe jo gjithmonë përputhen në të njëjtën kohë. Mund të ndodhë që në atë moment dikush nga anëtarët të ketë zgjedhje, dhe të thotë më interesojnë zgjedhjet tani jo Shqipëria. Dy kushtet e Bundestagut janë të rëndësishme se na cojnë në konferencën ndërqeveritare të BE-së. Cdo hap, në cdo kapitull, në cdo paragraf ka nga një kusht, që duhet përputhur legjislacioni, për peshkun, për tërmetin, për ajrin, për detin, për për...janë të gjitha gjëra që na bëjnë shtet anëtar. Na përshpejtojnë të bërit shtet evropian, siç ndodhi me drejtësinë", tha Rama.

Ora 14:11
Policë sigurimi garantë për lejen e ndërtimit/ A do të ndikojë në rritjen e çmimeve të apartamenteve?! Përgjigjet Rama

I pyetur nga gazetarët nëse vendosja e policës së sigurimit si garante mes shtetit, ndërtuesit dhe blerësit për marrjen e lejes së ndërtimit, do të ndikojë në çmimin e banesave, kryeministri Edi Rama u përgjigj:

"Së pari çmimi i jetës është i pa krahasueshëm me çmim tjetër. Së dyti shpresoj që ata që ndjenë dhe e panë atë që të gjithë ndjenë dhe panë të mos e harrojnë sepse nëse kemi një herë të dytë në kohën që na ka mbetur në tokë, ne që jemi këtu, ama, është shumë e rëndësishme që të garantohet plotësisht që ajo që blen është ajo që paguan dhe mbi të gjitha të takon. Kjo ka një efekt të dyfishtë në raport me blerësin dhe të shumëfishtë në raport me pronën dhe shoqërinë. Sepse një ndërtues që shkel pronën, të paktën me këtë test që nuk ishte i lehtë, edhe godinat me shkelje nuk kanë shfaqur pasoja se janë ndërtuar me idenë e themeleve të forta me idenë që të shtojmë miell e të shtojmë ujë gjatë kohës. Të mos harrojmë se ndërtimet me shkelje, cënojne ambientin e me radhë. Nuk besoj se kjo masë nuk do të përshëndetet nga kushdo që nuk ka pasoja tërmetesh artificiale në sferën ku strehon trurin, dhe nga ana tjetër, nuk është se e kemi shpikur ne.  Është një marrëdhënie e mbyllur, jo e hapur që shkojnë njerëzit blejnë apartamente dhe pastaj mbeten me gisht në gojë. Pra kanë një strehë por nuk kanë një pronë se as nuk e shesin dot, se ka mashtrime që nuk e regjistrojnë dot në hipotekë, dhe kjo duhet të marrë fund."

Ora 14:00
Rama: I falen borxhet e energjisë dhe ujit familjeve të prekura nga tërmeti...Kush përfiton

Kreu i qeverisë Edi Rama tha se të gjitha familjeve, godinat e të cilave janë bërë të pabanueshme nga tërmeti, do tu zerohen borxhet e energjisë elektrike dhe të ujit.

"OSHEE dhe Ujësjellësi do të marrin vendime për të zeruar detyrimin e familjeve të dëmtuara që janë në kushte pabanueshmërie, që do të thotë se për të gjithë ato familje do të zerohen të gjitha borxhet dhe do të subvencionohet 100 përqind tarifa që paguhet edhe kur t'i nuk je në banesë. Ndërkohë që për familjet e tjera nisur nga shkalla e dëmtimit do të ketë masa të përshkallëzuara. Ky është një lehtësim dhe shprehje solidariteti me ato familje që u prekën seriozisht nga tërmeti dhe duhet të bëjnë durim deri kur mund të futen në shtëpinë e rindërtuar. Familjet në kushte të pabanueshme janë në kujdesin e autoriteteve", tha Rama.

Ora 13:52
Rama: Kompanitë e sigurimit garante për lejet e ndërtimit...në rast shkeljesh përfundojnë në burg!

"Leja e ndërtimit për godina kolektive do të lidhet me sigurimin. Nuk do të jepet më leje ndërtimi pa policën e sigurimit që duhet ta disponojnë që në fillim arkitektët dhe grupet e projektimit, që duhet ta depozitojë investitore apo kërkuesi i lejes në dosjes kur kërkon lejen, dhe detyrimin për kompanitë e sigurimit, që të garantojnë zbatimin e saktë dhe pa shkelje të lejes. Ësht ënjë element që më në fund gjen konsens, e kam propozuar shumë vite më parë, ka hasur gjithmonë rezistencë. Nuk mund të kontrollohen dot godinat e ndërtuara për qëllime fitimi, pra flasim për pallate dhe godina të karakter biznesi, apo hotele, të gjithë këto, thjesht dhe vetëm me inspektoriate, qoftë me polici, qoftë me inspektoriat të mbrojtjes së territorit, etj, por do të futet mekanizmi i vetëkontrollit përmes marrëdhënies me kompaninë e sigurimit. Ajo do të marrë përsipër të garantojë blerësin dhe autoritetin që ka dhënë lejen, se godina përputhet me atë që është dhënë leja. Në të kundërt do të shkojnë përpara ligjit të dyja palët. Është refuzuar në vijimësi të merren masa ligjore dhe janë marrë rryshfete për ndërtues që kanë abuzuar haptazi dhe duhej të ishin subjekt penal. Me futjen e kompanisë së sigurimit nuk do të ketë më asnjë biznes mashtrues, ku qytetarët nuk hipotekojnë dot apartamentin se zotëria që ka marrë lekët i ka lënë një pronë me barrë se është në shkelje. Godina të tërë kolektive ku blerësit legjitimë nuk zotërojnë dot lejet e pronësisë, ka ende objekte të tilla. Nga ky moment besojmë se futja e këtij elementi do të garantojë siguri, dhe do të garantojë të gjithë blerësit e apartamenteve apo njësive tregtare".

Ora 13:44
Lajmi i mirë në mesin e tërmetit të fuqishëm, Rama: Pallatet e reja e kaluan testin, u dëmtuan ata të viteve '90

Kreu i qeverisë tha se leja e ndërtimit për banesat e prekura nga tërmeti do të jepet vetëm brenda 5 viteve dhe pa paguar asnjë taksë. Po ashtu, shefi i mazhorancës tha se tërmeti i fuqishëm ishte edhe një test për pallatet e reja që nuk pësuan dëme, dhe se pasojat më të mëdha ishin në pallatet e viteve '90.

"Akti normativ i buxhetit të këtij viti garanton fondin rezervë për situatën emergjente. Së dyti parashikon përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë të të gjithë investimeve mbi banesat e dëmtuara si pasojë e tërmetit. Nisur nga fakti se Prokurimi me vlerë të vogël janë procedura të thjeshtuara që bëhen brenda një afati të shkurtër, kemi vendosur që përjashtimisht, të lejohen autoritetet kontraktore, dhe vetëm duke referuar familjeve të prekura nga tërmeti, për të plotësuar nevojat e tyre për procedura prokurimi në vlerë të vogël, deri në 10 milionë lekë të vjetra, sepse ka shumë nevoja që kushtojnë pak në raport me volumin e përgjithshëm por kanë një impakt të rëndësishëm për familjet. Kemi vendosur të sigurojmë një ekzaminim të plotë edhe për ashensorët, për të cilët personat përgjegjës nuk disponojnë një dokumentacion të plotë. Objektivi është që të sigurohemi se ashensorët në përdorim plotësojnë kriteret dhe nuk janë të prekur pas tërmetit. Një vendim me impakt afatgjatë, që parashikon masa detyruese për ndërtuesit, investitorët, për të lidhur një kontratë sigurimi me afat 10-vjecar me blerësit e apartamenteve. Kjo kontratë mbulon dëmet e të tretëve ku për shkak të terrenit apo defektit në ndërtim, ndërtimi shembet apo paraqet rrezik shembje apo defekte të tjera serioze. Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për kontrollin e sigurisë së ndërtimit përcakton se entet do të kryejnë oponencën teknike mbi çdo godinë publike dhe private me akses publik pavarësisht nga vlera e ndërtimit. Edhe për ato ndërtesa me mbi 50 vite të ndërtuara. Goditja sizmike nuk ka dhënë impakt në godinat e reja. Kemi pasur dyshim se në gjithë këtë zhvillim të 30 vite për shkak edhe të shumë abuzimeve dhe shumë shkeljeve në lejet e ndërtimit të bëra do të kishim një vunerabilitet të konsiderueshëm në rast të një tërmeti. Për fat të mirë godinat kanë kaluar një tekst me sukses, sepse të gjitha dëmet, qoftë të konsiderueshme, qoftë sipërfaqësore, janë regjistruar në godina të vjetra, apo në shtesa të godinave të vjetra, apo godina të viteve '90. Në periudhën e mëpastajme nuk janë shënuar dëme, qoftë edhe sipërfaqësore. Ky është një lajm i mirë në gjithë morinë e vështirësisë së madhe që kemi kaluar, dhe pasojave që duhet të përballojmë. Kemi vendosur të bëjmë përshpejtim të procedurave për leje ndërtimi për riparimin e ndërtesave që duhen bërë ndërhyrjet përkatëse pas tërmetit. Do ta marrin lejen pa paguar asnjë taksë dhe vetëm brenda 5 ditësh", tha Rama.

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Arben: 02/10/2019 14:24

    Edhe une mendoj se nuk i shkon mjekra

    Përgjigju
  • Ernest: 02/10/2019 14:02

    Z.Rama mjekra e lene se fundmi nuk ju shkon fare,jeni me keq se Filipi i Fiks Fare.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja