TIRANË - Një javë zjarri i ka konsideruar kryeministri Edi Rama ditët në vijim, pasi hyjmë në fazën më dramatike të koronavirusit. "Duhet të bëjmë çmos të gjithë bashkë, për të ulur sa të jetë e mundur humbjet e jetëve dhe vuajtjet e mëdha që sjell ky armik i egër. Rezistencë, rezistencë, rezistencë", tha kreu i qeverisë në një video-mesazh nga zyra e tij në kryeministri për qytetarët shqiptarë.

"Kjo javë do të jetë tejet e vështirë sepse sipas modeleve statistikore tani hyjmë në fazën e shpërthimit më intensiv të atyre bombave në trupin e njerëzve të prekur", tha Rama duke shprehur ngushëllime për familjarët e të ndjerëve që humbën jetën me COVID-19 në Shqipëri.

Apeli i tij ishte i fortë dhe lutës ndaj çdo personi, për të qëndruar në shtëpi, për të zbatuar rregullat e higjienës personale të rekomanduara nga autoritetet e shëndetësisë. Thirrja e tij u fokusua veçanërisht për momentet kur qytetarët kanë hapësirën e lejuar kohore për të dalë për blerje ushqimesh e ilaçe apo kryerjen e shërbimeve të tjera. Ruani distancën nga njëri-tjetrit - theksoi Rama, duke apeluar që të qëndrojnë në radhë njëri pas tjetrit më shumë se 1 metra larg. Vetëm kështu, tha Rama, mund të shmangin pasojat edhe më tragjike në këtë luftë.

"Kush e ka menduar se kjo luftë do të kalojë pa humbje jete e ka menduar gabim. Kush nuk e ka marrë vesh akoma që virusi do të prekë shumicën prej nesh, si kudo në botë, çfarëdo të bëjmë ne, nuk ka qenë i vëmendshëm. Gjithçka bëjmë ne ka shumë rëndësi, duke u disiplinuar maksimalisht e ngadalësojmë përhapjen e armikut dhe kështu ulim humbjet e jetëve. Forca dhe durim. Ne duhet të dalim nga kjo luftë me kokën lart jo duke numëruar qindra e mijëra të vdekur, larg qoftë e duke transportuar kufoma me makina ushtarake për t'i gjetur një copë varr ëpër kodra larg vendmbanimit", theksoi kreu i qeverisë, duke thënë se "po luftojmë si duhet" me besimin se të pabindurit do të pakësohen dita-ditës.

"As Zoti vet nuk na ndihmon dot po nuk ndihmuam veten dhe po nuk ndihmuam njëri-tjetrin. Forca motra e vëllezër me besa-besë ta zbrapsim këtë mortje nga shtëpia jonë, Shqipëria, dhe ta shmangim me doemos katastrofën, sepse disa humbje nuk i kemi ne në dorë. Por shmangiem e katastrofs e kemi ne dhe vetëm ne", përfundoi shefi i mazhorancës. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:23
Rama: Mizat e mjaltit të gomarit gumëzhijnë me broçkulla nga vrima dixhitale! Nuk jam tip i dukjeve se 10 vjeç isha më i gjati i shkollës (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij lidhur me situatën ndaj koronavirusit duke iu përgjigjur akuzave politike se qëndron në shtëpi dhe nuk i del në ballë luftës në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Rama tha se në këtë luftë trimëria është të qëndrosh në shtëpi, ndërsa tha se video-komunikimet me qytetarët i ka pasur nga zyra e tij gjatë gjithë javës së kaluar, dhe se vetëm në fundjavë qëndron në banesë. 

"Miq, po ju flas nga dhoma e mbledhjeve ku kam bërë të gjitha komunikimet me ju javën e shkuar sepse këtu kemi instaluar kamerat për lidhjet direkte me ju dhe këtu punoj gjatë javës me video-konferencat e punës. Por po e bëj me telefon këtë mesazh që ta shohin deh ta qepin gojën ata që më thonë dil nga shtëpia, mos rrinë në bunker. Kur i thonë asaj fjalës, mirë gomari që na ngordhi por duhet të merremi edhe me mizat e mjaltit të tij  që gumëzhijnë me budallallëqet nga vrima e ndryrë dixhitale që e dini të gjithë se ku është. Unë në shtëpi mbyllem në fundjavë si gjithë të tjerët. Kush e ka harruar kohën e tërmetit ku as xhupin nuk e ndërroja se mbeta rrugëve ditë natë le ta kujtojë dhe t'i lërë dënglat:  Jo dil nga bunkeri, jo mos rri në shtëpi, jo shko në zyrë, është kulmi që edhe në këtë kohë kolerë broçkullat vazhdojë po njësoj. Në një luftë si kjo trimëria është të rrish mbyllur dhe detyra ime është të jap shembullin dhe jo të vijë vërdallë të dukem. Nuk jam unë tipi i dukjeve të shtirura, se nuk më ka munguar dukja që kur isha 10 vjeç më i gjati i shkollës, doja të zhdukesha jo të dukesha, pikë e zezë", tha Rama.

Ora 14:12
Rama: Duhet të dalim kokë-lart nga kjo luftë, jo të humbasim një mal me njerëz! (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama bëri apel që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që mos të shkojmë në skenarë të frikshme të numrit të viktimave të prekur me COVID-19.

"Kjo mortje që ka sulmuar botën synon më të moshuarit dhe më të dobëtit fizikisht mes nesh, pro as të rinjtë nuk janë 100% të paprekshëm prej saj. Prandaj ju lutem edhe një herë të gjithëve, mos luani me zjarrin ju lutem. Nuk e ndalim dot vdekjen të na marrë njerëz, por duhet me cdo kusht ta ndalim kërdinë që mund të bëjë për shkak të pakujdesisë. Do humbasim njerëz, nuk e di se sa, askush nuk e di askund, por nuk duhet në asnjë mënyrë të humbasim një mal me njerëz, kurrën e kurrës, dhe këtë e kemi në dorë ne, secili prej nesh, duke bërë durim. Kur dilni për pazare apo shkoni në bankë, mos rrini grumbull por në distancën të paktën 1 metër pas kurrizit të njëri-tjetrit. Në radhë, vijë e drejtë. Disa qahen për oraret, por cfarë lidhje kanë oraret me mos qëndrimin në radhë siç duhet. Këto janë shërbime që i bëhen armikut në ecjet pranë e pranë gjen shesh për përsheshin e hidhur që po kërkon të gatujë për ne dhe të bëjë me ne. Kush e ka menduar se kjo luftë do të kalojë pa humbje jete e ka menduar gabim. Kush nuk e ka marrë vesh akoma që virusi do të prekë shumicën prej nesh, si kudo në botë, çfarëdo të bëjmë ne, nuk ka qenë i vëmendshëm. Gjithçka bëjmë ne ka shumë rëndësi, duke u disiplinuar maksimalisht e ngadalësojmë përhapjen e armikut dhe kështu ulim humbjet e jetëve. Forca dhe durim. Ne duhet të dalim nga kjo luftë me kokën lart jo duke numëruar qindra e mijëra të vdekur, larg qoftë e duke transportuar kufoma me makina ushtarake për t'i gjetur një copë varr ëpër kodra larg vendmbanimit. Mos prekni fytyrën pa larë duart, mbajini në distancë të moshuarit, që të mund t'i përqafoni fort ditën e çlirimit dhe jo t'i qani me lot e mos t'i bëni dot varrimin si duhet. Ata që shkojnë në punë të mos prekin njëri-tjetrin, të rrinë distancë 1 metër, mos të prekin fytyrën pa i larë duart pasi kanë prekur gjëra të tjera. Janë gjëra të thjeshta, nuk janë aspak të pamundura", tha Rama.