Kryeministri grek Tsipras shtyn vizitën në Shqipëri, Kotzias nesër në Tiranë

Vizita e kryeministrit të Greqisë, Aleksis Tsipras e planifikuar për t’u zhvilluar në Shqipëri në muajin Prill gjatë Pashkëve është shtyrë për një datë tjetër. Kështu shkruajnë mediat greke. Gazeta ‘Kathimerini’ shkruan se shtyrja e vizitës së kryeministrit grek në Shqipëri lidhet direkt me vështirësitë në negociatat mes dy vendeve për zgjidhjen e kufirit detar.

Media greke vijon artikullin duke theksuar se Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ngulmon që marrëveshja e  re mes dy vendeve duhet që të jetë në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 2010, që rrëzoi marrëveshjen e parë.

Edhe kryeministri shqiptar Edi Rama pak kohë më parë kishte paralajmëruar se homologu i tij grek do të vizitonte Shqipërinë për Pashkët, ku pritej finalizimi i marrëveshjes për detin, por edhe cështje të tjera. Por, koha që morën dy kërkesat e Metës për informacion shtesë para se të jepte autorizimin duket se shtynë vizitën e kryeministrit grek në Shqipëri.

Gjithashtu ‘Kathimerini’ shkruan se nesër gjatë udhëtimit për në Vjenë do të ndalojë në Tiranë Nikos Kotzias për të zhvilluar një takim ministrin e Jashtëm Bushati në kuadër të diskutimit për ecurinë e negociatave. Ministri shqiptar Bushati theksoi pak ditë më parë pas marrjes së autorizimit se shumë shpejt do të nisin bisedimet mes dy vendeve për të arritur një marrëveshje të re për kufirin detar.

d.ba./b.ha./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    "Lufta" ndaj COVID-19/ A mendoni se duhet të bëhen më shumë testime?

Komento