1.Pak kohë pas takimit ndërqeveritar të Prizrenit, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të vizitojë Beogradin. Kjo vizitë, e paralajmëruar nga kryediplomati serb Mrkiç, ka shkaktuar reagimet e para në Shqipëri dhe Kosovë. Jo për marrëveshjet që pritet të lidhen ndërmjet Tiranës dhe Beogradit por për të drejtën, ose jo, të Kryeministrit shqiptar për të diskutuar edhe për Kosovën. Reagimi i parë ka ardhur nga ish Kryeministri Sali Berisha, i cili i ka “hequr” Edi Ramës të drejtën për diskutuar për Kosovën, duke deklaruar se “Rama nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë mandat për të diskutuar në Beograd për Kosovën. Kohërat e Hoxhës kanë marrë fund!”
Nuk ka dyshim që në vizitën e një kryeministri shqiptar në Beograd do të flitet për Kosovën, siç do të flitet edhe për Luginën e Preshevës, për gjithçka që lidhet me serbët dhe shqiptarët. Do të ishte e pakonceptueshme që një Kryeministër shqiptar të shkojë në Beograd dhe të mos flasë për Kosovën, ndërkohë që këtë gjë do duhej ta bënte edhe në Athinë, Bukuresht, Madrid e çdo kryeqytet tjetër të rëndësishëm europian, që nuk e ka njohur pavarsinë e saj. Për Kosovën është folur në të gjitha takimet shefave të diplomacive të zhvilluara në dy vendet reciproke. Kryeministri i Shqipërisë, jo vetëm e ka tagrin por, e ka për detyrë të kërkojë në Beograd njohjen e pavarsisë së Kosovës, të vetmen gjë për të cilën nuk do të bihet dakord. As më shumë e as më pak por një gjë që duket se po e kërkon edhe Brukseli, e që, me shumë gjasa pritet, ta vendosë si kusht për integrimin e plotë të Serbisë në BE.
E mira do të ishte sikur Kryeministri shqiptar të shkonte në Beograd edhe me variantin B që lidhet me ndryshimin e kufijve, bazuar në një marrëveshje me ndërmjetësi ndërkombëtare, një variant ky që do ti jepte fund konfliktit të gjatë shqiptaro-serb dhe do të vendoste stabilitet të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor.
Por nuk është ky momenti. Shpresat rreth një diskutimi për një marrëveshje të madhe i mbylli vetë Kryeministri Rama në takimin e Prizrenit kur deklaroi se “kufijtë janë të patjetërsueshëm”. Që do të thotë se të gjitha hamendjet rreth marrjes së një pozicioni paternalist të Edi Ramës mbi Kosovën janë spekullime. Edhe pse në botën shqiptare Kryeministri i Shqipërisë njihet si kryeministri i gjithë shqiptarëve.
Edi Rama është Kryeministri i dytë shqiptar që viziton zyrtarisht Beogradin. I pari Kryeministër shqiptar që ka bërë një vizitë të tillë ka qenë udhëheqësi komunist Enver Hoxha, në vitin 1946, në periudhën më të artë të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, ku thuhet se është diskutuar edhe për Kosovën. Shumë vite më vonë, diku pas demostratave të vitit 1981, Enver Hoxha do të deklaronte: “Në një takim zyrtar që pata në Beograd me Titon më tha se Kosova është e juaja, por tani për tani nuk na kuptojnë serbët.” Na mbetet ti besojmë, ose jo, Enver Hoxhës duke mos qenë të sigurtë nëse udhëheqësi jugosllav, kroati Josip Broz Tito, e ka bërë këtë deklaratë. Por fakti që, në vitin 1974, Tito i njohu Kosovës statusin e Krahinës Autonome tregon se ai ka qenë i prirur për të vendosur një balancë të brendshme që dobësonte faktorin serb brenda Jugosllavisë.
2.
Historia e marrëdhënieve shqiptaro-serbe është komplekse. Qysh prej vitit 1878, kur Kongresi i Berlinit zyrtarizoi copëtimin e trojeve të Shqipërisë etnike, Kosova ka qenë një rajon i diskutueshëm mes shqiptarëve dhe serbëve. Ndërsa pas 1913-ës, kur shqiptarët e fituan zyrtarisht shtetin, Kosova është konsideruar prej tyre si pjesë e Shqipërisë etnike e ndarë padrejtësisht, ndërsa prej serbëve si djepi i Serbisë. Mbi bazën e këtyre dy pretendimeve përplasjet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve kanë qenë të vazhdueshme.
Pas Luftës së Parë Botërore Kosova mbeti një referencë e rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve. Më 1924 serbët mbështetën Ahmet Zogun për t’u rikthyer në pushtet, në këmbim të mbylljes së problemit të Kosovës. Për të njëjtën arsye jugosllavët mbështetën ardhjen në fuqi të Enver Hoxhës, përkundër forcave nacionaliste, në fund të Luftës së Dytë Botërore. Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave, të ndërtuara mbi baza ideologjike e patën kulmin e tyre në vitet 45-48, deri kur u prishën nga Enver Hoxha, për të mos u rregulluar më kurrë.
Kjo gjë krijoi një hendek të madh mes shqiptarëve në dy anët e kufirit. Megjithatë presioni i vazhdueshëm i faktorit shqiptar, e detyroi Titon të pranojë autonominë e Kosovës në vitin 1974. Demostratat e shqiptarëve, më 1981, një vit pas vdekjes së Titos, për krijimin e Republikës së Kosovës u shtypën me dhunë, ndërsa më 1989, rezultuan me heqjen e autonomisë nga regjimi fashist i Millosheviçit. Përfundimi i Luftës së Ftohtë çoi në shpërbërjen e Perandorisë Jugosllavë, nga ku u shkëputën me radhë, në fillim Sllovenia, Kroacia dhe Maqedonia dhe më vonë në vitin 1995, pas një lufte me pasoja të mëdha, Bosnje-Hercegovina. Kjo shënoi fazën e parë të shpërbërjes së Jugosllavisë, së reduktuar në vetëm Serbinë me Kosovën brenda dhe Malin e Zi.
Në vitin 1999 Kosova u çlirua me ndihmën e forcave të NATO-s dhe u vu nën protektoratin e OKB-s. Kjo shënoi kapitullin e fundit të shpërbërjes së Jugosllavisë që do të fillonte me shkëputjen e Malit të Zi, nëpërmjet mbajtjes së një referendumi të njohur ndërkombëtarisht dhe do të përfundonte me njohjen e pavarsisë së Kosovës, të shpallur në rrugë parlamentare më 2008. Ndërsa Millosheviçi vdiq në burg pa mundur të përfundontë procesin gjyqësor në Hagë.
3.
Vizita e Kryeministrit Edi Rama bëhet në një kontekst të ri europian dhe rrethana krejt të tjera gjeopolitike në rajon. Shqipëria dhe Serbia janë vende demokratike. Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga shumica e vendeve të botës por jo nga Rusia dhe aleatët e saj, e natyrisht jo edhe nga Serbia. Në këto rrethana perspektivat që pritet të shpalosen ndërmjet Tiranës dhe Beogradit, pas vizitës se Kryeministrit Edi Rama, nuk do të lumturojnë e as nuk do të trondisin kurrëkënd. Ato pritet të kapin një nivel të ri marrëdhëniesh në kuadrin e krijimit të një atmosfere të re bashkëpunimi në planin rajonal ku Serbia është një treg i madh turistik, i pashfrytëzuar akoma për bregdetin shqiptar e po ashtu një vend me të cilin mund të ketë shkëmbime të rëndësishme në fushën e energjisë.
Dhe ky nivel i ri marrëdhëniesh në rajon i duhet njohur si meritë Edi Ramës.
Procesi politik në Kosovë nuk mund të quhet i përfunduar, për sa kohë pavarsia e saj nuk njihet nga Serbia. Dhe nuk ka gjasa që kjo gjë të ndodhë. Që do të thotë se Kosova mbetet vazhdimisht e kërcënuar nga ndarja. Një zgjidhje tjetër që do të vinte si rezultat i një kompromisi të madh ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, që nënkupton shkëmbimin e territoreve, mund ta përmbyllte procesin në Kosovë. Në këtë kompromis nuk mund të përjashtohet Tirana. Të gjitha zgjidhjet që kanë të bëjnë me territoret të çojnë në Shqipëri.
Teza e diskutimit ndërmjet Tiranës dhe Beogradit për Kosovën nuk është serbe. Ajo është një tezë e kahershme shqiptare, kur Kosova nuk kishte asnjë status, e kur serbët nuk pranonin kurrëfarë diskutimi duke e konsideruar Kosovën të tyren. Tani që nuk e kanë të tyren, janë serbët që luajnë me tezën e vjetër shqiptare. Por tani kemi edhe një faktor tjetër: institucionet e Kosovës. Nga takimi i kryeministrit Rama në Beograd nuk pritet të hidhet kjo tezë edhe pse do të flitet për Kosovën. Fati për një marrëveshje kaq të madhe nuk i ka takuar as Edi Ramës, as Hashim Thaçit, e as Kryeministrit serb Ivica Daçiç. Është herët për të shkuar te kjo zgjidhje. Ky fat mund t’u takojë të tjerëve, në Tiranë, Prishtinë dhe Beograd. Dhe për këtë Edi Rama nuk duhet konsideruar Kryeministri më me fat.
Ndoshta ky fat dikujt tjetër atij që do të quhet Kryeministri i parë i Shteteve të Bashkuara të Shqipërisë.
Shkrimi u publikua sot (21.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com