KIEV - Kryeministri i Ukrainës Arseniy Yatsenyuk akuzon Rusinë se ajo kërkon të rikthejë “Bashkimin e Madh Sovjetik” duke eleminuar shtetin e tyre. Ai tha se Ukraina është në gjendje lufte dhe agresori i tyre kryesor është Rusia. 

”Rusia është një kërcënim për rendin në botë dhe për sigurinë e stabilitetin në të gjithë Europën. Pas marrjes së Krimesë, konfliktit në Donetsk dhe Luahnsk dhe hapjes së korridorit në Odessa, un shoh se hapi i rradhës nga Rusia mbetet të eliminojë Ukrainën si një vend i pavarur.”-tha kryeministri i Ukrainës.

Yatsenyuk theksoi gjithashtu se e vetmja që mund të mbrojë Ukrainën është NATO dhe pavarsisht se është ende herët që ajo të bëhet pjesë e kësaj aleance, duke qenë se e sheh si të vetmen rrugëzgjidhje ka vendosur të trokasë në “dyert” e tyre për ndihmë. Ai bëri apel sërisht për një valë tjetër sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë si nga Bashkimi Europian ashtu dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Ukraina dhe vendet perëndimore akuzojnë Rusinë se po ndihmon rebelët pro-Rusë që luftojnë kundër forcave ushtarake në lindje të Ukrainës, por ajo vazhdon ta mohojë një përfshirje të tillë.
 
Zëdhënësi i mbrojtjes së Ukrainës deklaron se gjatë orëve të para të së shtunës një tjetër varg kamionësh Rusë me ndihma kanë kaluar kufirin ilegalisht pa u kontrolluar nga rojet kufitarë në zonë.
 
Ai tha se oficerët në kufi nuk janë lejuar të kontrollojnë dhe regjistrojnë ngarkesën në kamionë dhe se kamionët nuk shoqëroheshin nga përfaqësues të kryqit të kuq, duke mos ditur çfarë ka hyrë brenda kufirit të tyre. 

Ndërkohë raportohet se në zonë ende vazhdojnë sulmet ndërmjet paleve duke e bërë konfliktin gjithnjë e më të rëndë. NATO thotë se Rusia ka mbi 1,000 trupa të armatosur në lindje të Ukrainës dhe rreth 20,000 të tjerë pranë kufirit.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)