Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar të Shqipërisë Fidel Ylli thotë se nuk ka asnjë strategji për afrimin e sportistëve të huaj pavarësisht se së fundmi dy rus janë bërë pjesë e mundjes.
“Ky nuk është qëllim për t’i marrë për medalje olimpike sepse nuk është politikë e Komitetit Olimpik. Kjo është thjeshtë një dëshirë e federatës që i ka thërritur këta sportistë për të marrë pjesë në kampionatet e mundjes, gjimnastikës dhe nuk ka asgjë të keqe. Greqia që arriti të merrte Olimpiadën e 2004 e mori prej shqiptarit Pirro Dhima.”
Në Olimpiadën e dy muajve më parë Shqipëria pavarësisht pretendimeve ende nuk e mori medaljen e parë në histori, ndërsa ndryshe qëndron situata për Kosovën.
“Kosova i ka marrë medaljet sepse ka patur një trajner të jashtëzakonshëm si Driton Kuka, i cili ka zgjedhur 10 fëmijë nga një lagje e Pejës, por ato vetëm stërviten dy herë në ditë dhe stërviten në kampe në Slloveni, Kroaci dhe Gjermani që të marrin këto medalje. Që të dalësh sportiest olimpik duhet të lëvizë shteti.”
Komiteti Olimpik Kombëtar gjithmonë ka patur pretendime që nuk mbështetej nga shteti, por Fidel Ylli është shumë optimist se situata do të ndryshojë.
“Kryeministri na ka premtuar që ky do jetë 4-vjeçari ku do fokusohen te sporti. Do ta gjallërojmë sportin në shkollë, në universitete, në ushtri, në polici që të ketë vendin e merituar në shoqërinë shqiptare.”
Numri 1 i KOKSH-it thotë se hapja ligjore e basteve sportive, pavarësisht se luhen fshehurazi, dhe kontrolli i tyre nga shteti do të ishte zgjidhja përfundimtare për financimin e sportit.
“Po të marrim paratë nga bastet sportive unë e deklaroj se nuk kemi nevojë për paratë e buxhetit të shtetit. Ato para, 2 milionë dollarë në vit, le të shkojnë për rritjen e pensioneve.”
Fidel Ylli ndër të tjera u shpreh se në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Kombëtar do të rinovojë disa ambiente sportive të dalë jashtë funksionit.