TIRANË, 28 Shtator /ATSH-Gjergji Mima/ -Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë dyditore në rajonin e Venetto-s të Italisë, ku u takua dhe zhvilloi një bashkëbisedim me sipërmarrësit e këtij rajoni, lidhur me potencialet dhe avantazhet që ofron Shqipëri për investim.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama, teksa ftoi sipërmarrësit italianë të investojnë në Shqipëri,  vuri në dukje se qeveria shqiptare ka krijuar një strukturë lehtësuese shoqërimi për investitorët e huaj, duke shmangur të gjithë burokracitë.
Gjithashtu, Rama nënvizoi edhe miratimin e kuadrit ligjor, i cili u lejon investitorëve marrjen e hapësirave me qera për vetëm 1 euro, ose e thënë ndryshe, falas, për një periudhë 20-40 vjeçare.
"Ne kemi ngritur një strukturë lehtësuese shoqërimi për sipërmarrjet dhe sipërmarrësit që vijnë në Shqipëri për të shmangur të gjithë burokracitë. Kemi miratuar gjithashtu një kuadër ligjor, i cili lejon ofrimin e hapësirave me qera për një euro në vit, pra falas, për një periudhë 20-30-40 vjeçare, varet nga lloji i investimit, lloji i strukturës që do të vendoset aty" theksoi Rama. /a.ke/