Grupi parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh sot në takim në Kryesinë e Kuvendit me prezencë dhe të kryeministrit Edi Rama.
Kjo mbledhje raportohet të jetë rutinë për të diskutuar mbi axhendën parlamentare. Ndër të tjera, gazetarja e Report Tv Raziela Myslimaj raporton se Rama u ka lënë si porosi daljen në terren dhe takimet e vazhdueshme me qytetarët ku ka pohuar se do të jetë dhe vetë prezent.
Kryeministri është shprehur se do të jetë i vëmendshëm nëse kjo porosi e tij është zbatuar nga deputetët dhe ministrat në kuadër të turit “Punët për Shqipërinë”. Edhe pse në mbledhjen e grupit parlamentar, vëmendje u ka kërkuar t’i kushtojnë edhe procesit të zgjedhjeve të brendshme në parti.
Tashmë Partia Socialiste ka nisur me turin ‘Punët për Shqipërinë’, me në fokus administrimin e problematikave të qytetarëve kudo në vend dhe ndezjen e ‘motorëve’ për zgjedhjet lokale që priten të mbahen pranverën e ardhshme.
Komente










