Këtë të premte kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Greqisë ku do të marrë pjesë në forumin ekonomik te Delphit.  Sipas axhendës, kreu i qeverisë pritet të ketë fjalën në panelin e pasdites së datës 28 prill. Rama pritet të marrë pjesë në diskutimin për çështjet e politikës së jashtme.

Pjesë e këtij forumi do të jenë disa krerë shtetesh, politikbërës si dhe udhëheqës biznesi nga e gjithë bota. Nëpërmjet paneleve të ndryshme, një mori folësish të shquar do të trajtojnë disa çështje të rëndësishme, duke nisur që nga lufta në Ukrainë, globalizimi, drejtësia dhe politikat, energjia e deri te Greqia si një qendër arsimore dhe e ardhmja e Demokracisë.

Forumi Ekonomik Delphi është një organizatë jofitimprurëse, e drejtuar nga anëtarët, e angazhuar për të ofruar dhe promovuar ide inovative për rritje të qëndrueshme dhe konkurruese për Evropën dhe rajonin më të gjerë të Mesdheut Lindor, i cili ka nisur ditën e mërkurë në qytetin historik të Delphit.