Daljen çdo paradite në 6 ditët e fundit para Ministrisë së Arsimit, për të vijuar më pas me aktet e dhunës në rrugët e Tiranës, Kryeministri Rama thotë se është kamuflimi për ta bërë si protestë të studentëve dhe për çështjet e arsimit.

Megjithatë në takimin e mëngjesit me drejtorë të shkollave, Kryeministri nuk e përjashton që aty, mes dhunuesve është edhe një grup nxënësish dhe studentësh të ekstremizuar, dhe për këtë kërkon ndihmën e institucioneve arsimore.

“Të adresojmë traumën e këtij brezi të ri që po rritet, ku një pjesë e vajzave dhe djemve në moshë shumë të re, janë faktikisht kontingjent i këtyre forcave që tanimë kanë penetruar Europën dhe që po shfaqen me zjarr e me hekur në shumë kryeqytete dhe qytete të Europës”, tha mes të tjerash Rama.

Duke marrë si shembull vandalizimin e librit të Gjergj Fishtës në Lezhë dhe faktin që ata nuk e dinë kush është Gjergj Fishta dhe në këtë drejtim situata duhet ndryshuar.

“Kjo është një arsye që ne të gjithë të reflektojmë mbi këtë padije dramatike, në një kohë kur jemi në një front të përbashkët; mësues, drejtues shkollash, prindër, institucione arsimore, shoqëri; në një front të përbashkët për të kompensuar agresionin e imazheve dhe të mesazheve të përminutshme që fëmijët marrin nga TikTok-u dhe nga platformat e tjera”, nënvizoi Rama.

Ditari i mësuesve do të përdoret si një dokument dëshmitar i situatës për të marrë më pas masat.

“Për të pasur mozaikun e një historie që do të na vlejë për ta rilexuar dhe për të reflektuar sapo gjërat të qetësohen”, nënvizoi Rama.

Një përgjigje e kishte për të gjithë ata që akuzojnë për dhunë disproporcionale të policisë ndaj të rinjve.

“Sot që flasim nuk e kam shifrën konkrete të fundit se dua të jem shumë i saktë, po jemi deri afër 200 efektivë policie të lënduar dhe jemi diku te 80 të lënduar, të plagosur nga ana e protestuesve. Në Francë në protestat e dhunshme të viteve 2018 dhe 2019 raporti i të lënduarve, të plagosurve ka qenë 2448 nga ana e protestuesve dhe 1797 nga ana e policisë. Në Rumani në vitin 2018, ndihma mjekësore është dhënë për 419 civilë, pra protestues apo kalimtarë , këtu flasim për protestuesit, dhe 33 xhandarë.  Në Gjeorgji numri i të plagosurve nga e protestuesve ka qenë 160 dhe nga ana e policisë vetëm 80. Në Spanjë, nga të gjithë të dëmtuarit, 833 persona kanë qenë të lënduar dhe të plagosur nga ana e protestuesve dhe vetëm 33 efektivë policie kanë marrë ndihmë mjekësore. Në Gjermani 130 demostrues të plagosur, të lënduar dhe vetëm 34 policë”, theksoi Rama.

Një tjetër argument për Ramën është edhe fakti se të gjitha arrestimet janë konsideruar të ligjshme nga ana e gjykatave, teksa propozoi dhe uljen e moshës kur një i ri të jetë përgjegjës penalisht për aktet e tij. Aktualisht Shqipëria e ka mbi 14-vjeç.

“Ulja dhe ndryshimi i natyrës së qasjes ndaj përgjegjësisë penale dhe ulja e moshës. Është një opsion që ne do ta studiojmë. Është koha për t'i dhënë një përgjigje pyetjes a duhet dhe unë jam i bindur që duhet, por si do të realizojmë ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët deri në moshën 16 vjeç”, tha Rama.

Një ditë më parë Report tv mësoi se qeveria po punon për një paketë masash ndëshkuese ndaj protestuesve të dhunshëm. Projekti parashikon hartimin e një liste të zezë në sistemin TIMS, gjë e cila mund t’i penalizojë personat e përfshirë, për të udhëtuar jashtë vendit. Një pjesë tjetër sanksioneve, u paralajmëruan gjatë ditës nga vetë kryeministri, duke nisur nga faturimi i dëmeve familjeve të të miturve të përfshirë, te heqja e mbështetjes financiare për studentët, apo lënien jashtë sistemit për mësuesit që nxisin nxënësit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:00
Protestat e dhunshme/ Rama paralajmëron: Po studiojmë nëse do të duhet ta ulim moshën për dënimin penal (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi ditën e sotme, gjatë një takimi me drejtorë të shkollave të mesme të Tiranës në Ministrinë e Arsimit, se Qeveria po shqyrton uljen e moshës për dënimin penal.

Sipas Kodit Penal të Shqipërisë, deri më tani përgjegjësi penale për kryerjen e një krimi kanë personat që kanë mbushur 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtje penale ata që kanë mbushur 16 vjeç.

“Po e studiojmë dhe do ta shohim nëse do të duhet ta ulim moshën për dënimin penal, siç thashë që po e bëjnë një sërë vendesh”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 10:18
Protestat e dhunshme/ Rama mbron reagimin e policisë, krahason shifrat me Europën: Në Shqipëri më shumë policë të lënduar se protestues, jashtë ndodh e kundërta (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama mbrojti reagimin e Policisë së Shtetit gjatë protestave të dhunshme në Tiranë, pas akuzave për përdorim disproporcional të forcës ndaj protestuesve. Gjatë një takimi me drejtorët e shkollave, Rama solli shifra krahasuese nga protestat e dhunshme në disa vende të Europës, por jo vetëm, duke theksuar se në Shqipëri janë lënduar afro 200 policë dhe rreth 80 protestues, ndërsa në vendet e tjera raporti ka qenë i kundërt, me më shumë protestues të plagosur sesa efektivë policie.

Pjesë nga fjala e Ramës

Shqipëri  jemi afro 200 policë dhe jemi rreth 80 protestues të lënduar.

Në Francë në protestat e dhunshme të viteve 2018 dhe 2019 raporti i të lënduarve, të plagosurve ka qenë 2448 nga ana e protestuesve dhe 1797 nga ana e policisë, pra shumë më tepër protestues të plagosur sesa policë të plagosur.

Në Ruman i në vitin 2018, ndihma mjekësore është dhënë për 419 civilë, pra protestues apo kalimtarë , këtu flasim për protestuesit, dhe 33 xhandarë. Në spital janë kuruar 56 civilë dhe vetëm 14 xhandarë. Kjo është disproporcion.

Në Gjeorgji në protestat masive që u bënë dhe që u kthyen në protesta të dhunshme, numri i të plagosurve nga e protestuesve ka qenë 160 dhe nga ana e policisë vetëm 80. Përsëri shumë më tepër protestues sesa efektivë policie.

Në Afrikën e Jugut , një tjetër protestë e kthyer në një protestë të dhunshme, ku ka pasur dhe largqoftë të vrarë, përsëri krahasimisht me mbi 100 protestues nga të cilët 34 të vrarë dhe pjesa tjetër të plagosur, ka pasur vetëm 2 policë të vrarë dhe një dyzinë policësh të plagosur.

Në Spanjë, nga të gjithë të dëmtuarit, 833 persona kanë qenë të lënduar dhe të plagosur nga ana e protestuesve dhe vetëm 33 efektivë policie kanë marrë ndihmë mjekësore.

Në Gjermani 130 demostrues të plagosur, të lënduar dhe vetëm 34 policë dhe mund të vazhdoj me plot shembuj të tjerë, por kjo është një listë e ushtrimit disproporcional të forcës nga ana e Policisë dhe nga ana e shtetit në raport me protestuesit.

Ora 10:07
Protestat e dhunshme, Rama paralajmëron: Po punojmë për një paketë masash, kush dëmton pronën publike e private duhet të përndiqet nga hija e shtetit derisa të paguajë (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar protestuesit e dhunshëm që gjatë këtyre ditëve kanë dëmtuar pronën publike e private se do të përballen me forcën e ligjit.

Rama tha se Qeveria po punon për të përgatitur një paketë masash të natyrës jo thjesht penale, por edhe administrative, pasi sipas tij, kushdo që dëmton pronën publike e private, do të duhet të paguajë.

“Jemi duke punuar intensivisht për të përgatitur një paketë masash, një paketë masash të natyrës jo thjesht penale por të natyrës administrative sepse kush shkatërron duhet të paguajë. Kush dëmton pronën e tjetrit, kush dëmton pronën publike, kush shkul pllakat e trotuarëve që shtrohen me paratë e taksapaguesve të këtij qyteti dhe kush detyron dhe imponohet bashkisë së qytetit, i imponohet qeverisë që çfarë ka planifikuar për shkolla, çfarë ka planifikuar për kopshte e për çerdhe, duhet ta çojë për riparime, duhet të përndiqet nga hija e shtetit që i vjen pas dhe i kërkon deri në fund një më një, dëmshpërblimin”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 09:53
Kryeministri Rama: Duhet të ndalohet përdorimi i rrjeteve sociale për fëmijët deri në 16 vjeç, duhet të gjendet mënyra sesi do realizohet (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama është shprehur se duet të ndalohet përdorimi i rrjeteve sociale për fëmijët deri në moshën 16-vjeç. Sipas Ramës, është duke u menduar strategjia sesi kjo do të realizohet.

“Tani përveç kësaj, natyrisht që po studiojmë edhe eksperienca të tjera, është koha për t'i dhënë një përgjigje pyetjes a duhet dhe unë jam i bindur që duhet, por si do të realizojmë ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët deri në moshën 16 vjeç dhe nga ana tjetër si do të adresojmë gjithë këtë masë agresorësh të jetës së njeriut, të dinjitetit të njeriut, të cilët përmes rrjeteve sociale kërcënojnë, terrorizojnë, ofendojnë, i marrin erzin, i marrin qetësinë familjeve”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 09:04
Protestat e dhunshme/ Rama: Nën puplat e flamingove ishin fshehur duart që sot dolën haptas (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama është shprehur se ‘nën puplat e flamingove’ ishin fshehur duart që sipas tij dolën haptas me dhunën e ushtruar gjatë protestës.

“Kjo gjë është diçka që dihej, kur nën puplat e flamingove u fshehën edhe duart që sot kanë dalë haptas. Nga ana tjetër, çfarë e sfidon një shtet, e bën vetëm më të fortë. Policia e Shtetit meriton respektin e të gjithëve”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 08:58
Protestat/ Rama ‘u tërheq veshin’ pedagogëve: Disa prej tyre dalin e predikojnë duke e krahasuar valën e dhunës me ngjarjet e vitit 1990 (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama ka shprehur rezerva për disa pedagogë, që sipas tij kanë dalë në mbështetje të dhunës në protesta, duke e krahasuar atë me ngjarjet e vitit 1990.

“Unë jam i bindur që duhet, por si do të realizojmë ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët deri në moshën 16-vjeç dhe si do të adresojmë gjithë këtë masë agresorësh të jetës dhe dinjitetit të njeriut, që përmes rrjeteve sociale kërcënojnë dhe i marrin qetësinë familjeve. Ju falënderoj për qëndrimin drejtë këto ditë, kur shumë lëkunden dhe predikojnë në media, deri në pikën si disa pedagogë që e krahasojnë këtë valë dhune me protestat e vitit 1990. Po unë s’dua të hy këtu sepse me pedagogët është një gjë tjetër dhe unë gjërat kam dëshirë t’i them përballë”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 08:33
Protestat e dhunshme/ Rama: Po krijohet ideja sikur po digjet e gjithë Shqipëria, sulmi organizohet nga duar të stërvitura për këtë punë (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar protestat që po zhvillohen gjatë këtyre ditëve në Tiranë si një luftë Hibride që funksionon duke përdorur shqetësimet reale të qytetarëve.

Rama tha gjithashtu se përmes sulmeve po krijohet ideja sikur po digjet e gjithë Shqipëria, por në fakt sipas tij, sulmet janë të organizuara nga duar të stërvitura për këtë punë, vetëm në një perimetër të paracaktuar.

“Interesa të lidhura me natyrisht paranë, me politikën, me pushtetin, në kuptimin e nevojës ulëritëse për të përdorur këtë shqetësim social dhe për ta kthyer në valë gurësh për të rrëzuar qeverinë me imponimin e dhunës, gjë që s’ka për të ndodhur kurrë, por që rëndon në mënyrë dramatike në psikologjinë e qytetarëve. Krijon idenë se këtu po digjet e gjithë Shqipëria, ndërkohë që ky është një sulm i organizuar në një perimetër të mirëpërcaktuar, që orkestrohet nga duar që janë të stërvitura për këtë punë, që ushqehet me benzinë si një zjarr i brendshëm nga aktorë të huaj. Kjo kuptohet dhe tani po bëhet një çështje e madhe në të gjithë Europën. Është një luftë hibride që funksionon sepse bazohet te shqetësime reale, jo te fantazira. Sigurisht që janë reale shqetësimet për të nesërmen e sigurt në raport me strehimin dhe mundësitë për të patur më shumë”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 08:24
Protestat e dhunshme/ Rama porosi mësuesve: Shkruani ditarin e këtyre ditëve, pasqyroni atë që ndodhi! Kjo flamë po tërheq fëmijët (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me mësues, në ambientet e Ministrisë së Arsimit, i ka porositur ata që të shkruajnë ditarin e këtyre ditëve dhe të pasqyrojnë atë ç’ka ka ndodhur me të miturit gjatë protestave të dhunshme.

“Jemi në një front të përbashkët për të kompensuar agresionin e imazheve që fëmijët marrin nga Tik Tok dhe platformat e tjera, ku tanimë janë bërë pjesë e një jete paralele ku ata kujtojnë se zgjedhin, por në fakt algoritmi i zgjedh dhe i shënjestron njësoj si rrjetet e shpërndarësve të drogës, që i çojnë në mënyrë të vazhdueshme te varësia nga diçka që i ndan nga realiteti. Lavdi Zotit pjesa më e madhe e nxënësve është e shëndoshë. Por rreziku që kjo pjesa tjetër të bëhet gjithmonë më e madhe, është një rrezik real. Prandaj ju duhet të bazohemi te eksperienca juaj. Kemi dakordësuar me ministren dhe me disa këshilltarë të arsyeshëm edhe idenë që secili prej mësuesve të shkruajë edhe ditarin e këtyre ditëve, në mënyrë të detajuar, me një narrativë shumë të thjeshtë, çfarë ndodhi, si ndodhi. Jo për të pasur një dokument për ta çuar në një organ ligjzbatues, por për të pasur mozaikun e një historie që do na vlejë kur ta lexojmë. Kjo do të na ndihmojë se ku duhet të ndërhyjmë qoftë në aspektin e sigurisë, qoftë në aspektin e atyre individëve që janë tërhequr nga kjo flamë”, tha mes të tjerash Rama.

Ora 08:16
Kumbaro: Dhuna po u rrëmben fëmijëve orë nga jeta, kemi ngritur ekip psikologësh për t’i mbështetur (VIDEO)

 

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro në takim me drejtorët e shkollave ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se komunikimi me nxënësit dhe familjet e tyre është thelbësor për përballimin e situatës së krijuar nga protestat e dhunshme që prej disa ditësh po zhvillohen në Tiranë.

Kumbaro bëri të ditur se është ngritur një ekip psikologësh, të cilët do të jenë në dispozicion të nxënësve, prindërve dhe familjeve të prekura nga situata.

“Çdo orë që u’a merr dhuna, janë orë të rrëmbyera nga jeta e këtyre fëmijëve. Komunikimi është çelësi i suksesit. Kemi ngritur një ekip psikologësh që duhet të jenë në dispozicion të familjeve dhe prindërve. Çdo moment është një traum për ta dhe ne nuk do të lejojmë që ata ta kenë në historikun e jetës së tyre. Duke folur për Tiranën, ku kemi edhe problematikën më të madhe, në të gjitha shkollat e tjera ka vijuar procesi i mësimit normalisht, me shumë pak episode. Janë grupe që vijnë nga jashtë oborrit të shkollave që tentojnë të prekin stabilitetin dhe të krijojnë turbullira”, tha mes të tjerash ministrja Kumbaro.