Kryeministri Zoran Zaev tha sot se “do të dërgojë në Kuvend propozimin për ministrat e rinj, në kuadër të riformatimit të kabinetit”.
Kryeministri maqedonas ka bërë të ditur se do të ndërrohen 8 ministra dhe mbi 20 drejtorë drejtorish, por deri tani nuk ka emra zyrtarësh, përveç spekulimeve në disa media.
“Deri në momentin e dorëzimit të propozimeve nuk mund të themi cilët ministra do të zëvendësohen, sepse kryeministri është në bisedime me partitë e tjera politike që janë pjesë e koalicionit”, theksoi zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
Sipas zërave spekulativë, në LSDM do të ketë ndërrime të ministrave të Bujqësisë dhe Transportit, ndërsa nga BDI, Naser Nuredini do të emërohet ministër i Ekologjisë, Sadulla Duraku do të shkojë në ministrinë e re për Sistem Politik. “Alternativa” do të ketë ministrinë e Kulturës kurse Ministria e Pushtetit Lokal ti takojë LSDM ose partnerit të saj koalicionues Partisë Liberal – Demokrate.