SHKODER- I ka rrahur të birin pasi dyshonte se i kishte vjedhur 2 pula, por është ekzekutuar me pistoletë pranë shtëpisë duke humbur jetën menjëherë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Bërdicë e Mesme të rrethit të Shkodrës, teksa ka humbur jetën 53-vjeçar Lazer Paloka, pasi është qëlluar me pistoletë nga kryeplaku i këtij fshati Hilë Cak Hila 52 vjeç.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 17:00 të së shtunës në rrugicën përballë kishës së Bërdicës së Mesme, kur kryeplaku Hila ka qenë duke u kthyer për në shtëpi, por ka ndeshur 53-vjeçarin Paloka me të cilin ka nisur një debat.

Sherri ka degjeneruar në përdorimin e armës nga ana e Hilës, i cili ka qëlluar disa herë në drejtim të Palokës. Si pasojë e plagëve të marra nga arma 53-vjeçari Paloka ka humbur jetën menjëherë, ndërsa autori Hila është larguar për në banesën e tij, ku ka njoftuar efektivët e policisë.

Në telefonatën e kryer ky kryeplaku Hila ka deklaruar se krimin e ka kryer ndaj bashkëfshatarit për vetëmbrojtje. Efektivët e policisë kanë bërë shoqërimin e 52-vjeçarit në mjediset e komisariatit të policisë së Shkodrës, ku edhe ka dhënë dëshminë për krimin e kryer.

Nga ana tjetër bashkëfshatarë të viktimës dhe autorit bëjnë të ditur se ditët e fundit në mes autorit dhe viktimës kishte pasur konflikt dhe debate të ashpra.

Ndërkohë në vendngjarje ka mbërritur menjëherë grupi hetimor, i cili ka nisur punën për mbledhjen e të gjitha provave materiale. Kjo ka qenë vrasja e parë për këtë vit në qarkun e Shkodrës.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)