Kryesia e OSBE-së nga Shqipëria, Cakaj: Përkushtim të plotë për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, në një reagim në rrjetet sociale u shpreh se gjatë vizitës në Ukrainë së bashku me kryeministrin Rama në kuadër të marrjes së kryesimit të OSBE, zhvilluan takime të niveleve të larta politike, si dhe vizituan zonat e prekura nga konflikti.

“Konfirmuam mbështetjen për misionet e OSBE-së në terren dhe vizituam zonat e prekura nga konflikti, për të dhënë shembullin e përkushtimit të plotë të Kryesisë së Shqipërisë për parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve në përgjithësi.” - theksoi Cakaj në postimin e tij.

Kryeministri, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Kryetari i Radhës i OSBE-së, Edi Rama, së bashku me Ministrin në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, udhëtuan drejt Ukrainës, ku zhvilluan një vizitë dyditore. Kjo ishte vizita e parë zyrtare e zhvilluar, që prej marrjes së Kryesisë së OSBE-së nga Shqipëria.

E.L./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Rritet gjoba për celularin dhe drejtimin e makinës në gjendje të dehur! A jeni dakord me ashpërsimin e Kodit Rrugor?

Komento