Politika mund të jetë ndonjëherë e paparashikueshme dhe kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio, e mësoi këtë në kurizin e tij, duke iu drejtuar gishti për vdekjen e një... urithi.

Incidenti, që është bërë objekt komentesh në rrjetin social "Twitter", përkon me datën 2 shkurt. Atë ditë, kryetarit të bashkisë iu kërkua, sikurse e kërkon tradita, të dërgojë një urith në kopështin zoologjik të "Staten Island" në Nju Jork, për bërjen e disa fotove.

Sipas besytnive popullore, nëse urithi sheh hijen e tij një herë pasi del nga strofulla, dimri do të zgjasë gjashtë javë. Në të kundërt pranviera është shumë afër.
Por atë ditë, brejtësi i vogël shpëton nga duart e kryetarit të bashkisë duke rënë nga një lartësi prej një metër e 95 centimetra.

"Urithi ngordhi një javë më vonë për shkak të plagëve të rënda të brendshme", theksoi sot Nju Jork Post. Sipas gazetës, kopshti zoologjik i financuar 50 për qind nga bashkia, e fshehu të vërtetën, duke preferuar të pohonte se vdiq për arsye natyrore.

"Ne nuk ishim në dijeni të ngordhjes së urithit, por jemi të prekur nga kjo humbje", njoftoi për të përditshmen një zëdhënës i bashkisë.
"Skandali i parë i administratës së Blasios", bënte shaka një përdorues i "Twitter"-it. "Kryetari i baskisë i ka duart të lyera me gjakun e urithit", shkruante një tjetër.

Revista "New York" ironizonte mbi këtë histori "që me sa duket do të jetë 'Watergate' i epokës së gjeneratës sonë", duke aluduar mbi skandalin politik që solli dorëheqjen në vitin 1974 të presidentit Richard Nixon./ATSH/