/ATSH/.- Kryetari i partisë shqiptare të koalicionit qeverisës në Maqedoni, Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, mbërrin për vizitë sot në Kosovë.
Ahmeti do pritet në takim pasdite edhe nga kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ndërsa paradite e pret zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.
Zëvendëskryeministri Thaçi dhe kryetari i BDI-së Ahmeti, pas takimit, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media në ndërtesën e qeverisë së Kosovës.
Në një seancë të Kuvendit të Kosovës në fillim të prillit, kryeministri Mustafa ka paralajmëruar një takim të përbashkët, të parë, të qeverisë së Republikës së Kosovës me qeverinë e Republikës së Maqedonisë.
"Është përgatitur edhe takimi i përbashkët me qeverinë e Maqedonisë për të arritur marrëveshje për fusha me interes të përbashkët, sidomos ato të sigurisë, në kalimin më të lehtë të kufirit dhe në tregti dhe fushën fiskale", ka theksuar Mustafa gjatë debatit parlamentar lidhur me punën 100 ditëshe të tij nga zgjedhja kryeministër.