FIER- Një 28 vjeçar nga Patosi është vendosur në pranga pasi kishte përshtatur lokalin për të shitur kokainë, kanabis dhe vendosjen e basteve online. Në pranga ka rënë, Klajdi Malaj.
Gjatë operacionit që zhvilluan në lokal, blutë sekuestruan doza të lëndëve narkotike dhe celularë me faqe aktive online për baste.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Multiple”. Zbulohet një lokal në Patos, ku shiteshin doza Kokaine dhe Cannabisi, si dhe viheshin baste me celular.
Vihet në pranga pronari i ambientit. Sekuestrohen doza të lëndëve narkotike dhe celulare me faqe aktive online për baste.
Gjatë operacionit “Multiple”, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", arrestuan në flagrancë shtetasin Klajdi Malaj, 28 vjeç, banues në Patos.
Nga kontrolli në lokalin e shtetasit Klajdi Malaj, në Patos, shërbimet e Policisë konstatuan se ambienti ishte përshtatur për shitje në doza, të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis, si dhe për vënie të basteve sportive, me celular”, njofton Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.