Në Jug kam parë të huaj pa fund këtë verë: kudo që ndodheshim kishte të rinj e të moshuar nga vende të ndryshme: italianë, holandezë, francezë, amerikanë, anglezë, danezë, njerëz që vlerësojnë natyrën dhe çmimet ende konkurruese me vende të tjera të rajonit.
“Kam qënë dhe në Karaibe, na tregon Linda nga New York, ndërsa notojmë në detin trasparent të Dhërmiut, - ok është bukur, por uji nuk është kështu i freskët që të gjallëron nga vapa. Nuk ka krahasim”, na thotë ajo e bindur.
Natyra është shumë zemërgjërë me Shqipërinë dhe ne shqiptarët. Na ka ofruar çdo gjë të bukur e të mirë nga Jugu në Veri: Malet, liqenet, lumenjtë, pyjet, detin Jon e Adriatik... Por nuk mund të them të njëjtën gjë për sjelljen tonë ndaj saj dhe miqve që na vijnë përvit të na vizitojnë me besnikëri. Do të doja që ne të mos e tradhëtojmë këtë dashuri.
(Plazh në Dhërmi)
Me përjashtime të vogla, por në të shumtën e rasteve banorët e Jugut, kanë bërë ndërtimet më të shëmtuara e të papërshtatshme që një sy mund të shohë ndonjëherë: Në kodrat dhe brigjet e gurta, ku të parët e tyre me aq durim, shije dhe hijeshi ndërtuan shtëpitë e tyre me gurë, sot asgjë nuk është respektuar: Ndërtesa të tmerrshme, gjoja luksoze, janë ngritur vend e pa vend. Kabina që mund të ishin të përshtatshme për një det rëre, në Jug i kanë ngritur shpateve të maleve dhe në bregun shkëmb.
Situatë e vështirë dhe në kuzhinat e restoranteve: buzë detit rrallë gjen peshk të freskët, ose mund të ta servirin vetëm nëse i njeh pronarët, e duket si një favorizim. Të tjetërt, pra emigrantët e të huajt që vijnë, serviren me ushqimet që nuk janë të freskëta.
Për të përforcuar gjithë këtë, në një nga lokalet më të njohura në Llogara, ku gjatë verës është ndalim “i detyruar” për të gjithë udhëtarët, kosin e famshëm me mjaltë e arra e bëjnë me hile tashmë: Arra të mykura, mjaltë fals e më e keqja kos me shije qepe, ndoshta i përzier me lugë apo në enë të pista. Por në fund fjala e pronarit kur merr kritikat: “Herë tjetër më thoni mua se jua bëj speciale”.
E megjithatë, përballë çdo hileje, mungesë xhentilese dhe perfeksioni, asnjëherë nuk i pashë të dekurajuara mikeshat e mia. Ndaj bilancin e këtyre pushimeve vendosa ta bëj duke parë me sytë e tyre: të shijoj natyrën e jashtëzakonshme e të ndjehem e privilegjuar. E të mendoj: qytetarët kanë vepruar keq e veprojnë kështu, në mungesë të rregullave të barabarta dhe të shtetit. Dhe sinjale shpresëdhënëse ka.
Pas kthimit në Tiranë, kushdo mund të shohë një punë të mirë që po bëhet këto ditë: Pastrimin e Sheshit Nënë Tereza nga ndërtimet abuzive. Po merr frymë sheshi, Korpusi i Universitetit, Universiteti i Arteve e çdo gjë përreth. Ka nisur rrugëtimi në Shqipërinë e bukur dhe të mirë. Shpresoj një rrugëtim pa kthim.
(Kthimi në identitet i monumenteve rreth sheshit Nënë Tereza në Tiranë)