Ikona e muzikës greke, Marinella, e cila ndërroi jetë të premten në moshën 87-vjeçare, ka vizituar dikur edhe Shqipërinë. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka ndarë pamjet kur artistja dhe ansambli i saj erdhën në vitin 1976, një moment i rrallë për kohën.
“Marinella ishte në Shqipëri me zë, muzikë dhe dashamirësi!
Në vitin 1976, Shqipëria priti artisten e madhe të muzikës greke, Marinella (Kyriaki Papadopoulou) bashkë me ansamblin e saj. Vizita dhe turi i tyre artistik në vendin tonë mbeten një moment i veçantë i shkëmbimeve kulturore në një kohë kur kontaktet ndërkombëtare ishin të rralla.
Me zërin e saj të fuqishëm dhe interpretimin plot ndjenjë, Marinella solli për publikun shqiptar një repertor që kapërcente kufijtë gjuhësorë dhe kulturorë, duke dëshmuar se muzika mbetet një urë e fortë lidhjeje mes popujve.
Teksa mësuam për ndarjen e saj nga jeta, e kujtojmë jo vetëm si një ikonë të muzikës greke, por edhe si një artiste që la gjurmë në historinë e kujtesës kulturore të Shqipërisë.
E paharruar!”, shkruhet krah postimit.
Komente








