Në Kuçovë, eksponentët e dy partive janë përfshirë në një konflikt fizik, ndërsa është dashur ndërhyrja e policisë për të shmangur incidentet.
Policia ka proceduar në gjendje të lirë E.M 39 vjeç dhe T.M, 30-vjeç, të dy banues në Kuçovë, pasi janë konfliktuar me V.Q 54 vjeç, banues në Kuçovë, si dhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë në momentin e ndërhyrjes.
Mësohet se tre personat e përfshirë në konflikt janë simpatizantë të PS dhe LSI dhe shkak i përplasjes ka qenë pikërisht debati për çështje politike.
Qarku i Beratit njihet si bastion i të majtës, ndërsa përplasja më e ashpër pritet të jetë ajo mes PS dhe LSI, nisur edhe nga përplasjet e fundit mes dy forcave politike aktualisht në koalicion qeverisës.
Njoftimi i policisë:
Më datë 06.06.2017, nga Seksioni për Krimet, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin:
· E.M 39 vjeç, banues në Kuçovë,
· T.M 30 vjeç, banues në Kuçovë.
Procedimi penal ndaj këtyre shtetasve filloi pasi në lagjen “Llukan Prifti” janë konfliktuar me shtetasin V.Q 54 vjeç, banues në Kuçovë, si dhe kanë kundërshtuar punonjësit e policisë në momentin e ndërhyrjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprat penale ‘’Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësi të policisë’’, ‘’Kanosja’’ dhe ‘’Prishja e qetësisë publike’’, parashikuar nga nenet 242, 274, 84 dhe 25 të Kodit Penal.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com
