Policia ka ndërhyrë për të larguar protestuesit që kanë qëndruar përgjatë gjithë natës pranë kryeministrisë, pas përfundimit të tubimit të së shtunës. Uniformat blu kanë shkuar për të sekuestruar karriget metalike të cilat ishin vendosur nga protestuesit në mes të bulevardit.

Policët kanë sekuestruar ato karrige duke lënë të tjerat që protestuesit vendosin pranë pemëve të kryeministrisë për të qëndruar në hije.

Efektivët janë përpjekur të mbledhin edhe këpucët e lëna në shkallët e kryeministrisë, ndërsa protestuesit, ku disa prej tyre filmojnë momentin dhe njëri ndërkohë flet me megafon, pyesin “ku e ke procesverbalin?”

Sipas një protestueseje, policët i kanë rrethuar e shtyrë dhe kanë sekuestruar rreth 10 karrige. Ajo thotë se “shpëtuan” falë pranisë së një të huaji dhe fëmijës së tij.

“Diku nga ora 11 kur kam ardhur këtu, pashë që policia po merrte këpucët. S’kishte asnjë police femër duke qenë se këtu ka protestuese femra. Ata na kanë rrethuar e shtyrë. Nuk na lënë të protestojmë në paqe duke qenë se ato janë këpucët e emigrantëve, është simbolike. Policia ishte, edhe bashkiakja. Ka ardhur kamioni që i ka marrë të gjitha. Donin të merrnin edhe këto stolat, por shyqyr Zotit na erdhi një i huaj bashkë me fëmijën e vet dhe ka ndenjur rreth një orë dhe këtu shpëtuam. U morën nja 10 karrige”, thotë ajo.

Protestuesit i bëjnë thirrje policisë të mos i prekë, madje kërkojnë edhe praninë e policeve femra. Në një moment, një grua revoltohet dhe merr disa këpucë duke i flakur drejt godinës së kryeministrisë.

Tubuesit ngrenë pretendime se policia po ushtron dhunë dhe nuk po i lejon qytetarët në trotuarin publik. “Ja hajdutëria!”, dëgjohet në video. “Kjo është dhuna policore. Ky është provokim.”

Një polic afrohet dhe i heq kamerën personit që filmon, gjë që qytetarët e kundërshtojnë duke i thënë t’i kthejë celularin sepse ka të drejtën e tij, derisa në fund ia kthejnë pajisjen.