Opinioni ynë publik është i mbushur me vetëlavdërime të tepruara. Në politikë, në media, në shoqëri, nuk shpëton dot pa dëgjuar vetëlavdërime: Ah si e bëra unë këtë, isha i/e para që, u bë nami pasi e thashë unë, pas meje e bënë të gjithë, unë kështu e unë ashtu.

Përherë, duke dëgjuar, mendon nga u vjen njerëzve i gjithë ky vetëlavdërim?  Ndodh sepse në këtë vend fjalët e mira janë me kursim? Ose, nëse ka fjalë të mira, thuhen vetëm në dy rrethana:

1.      Për servilizëm. Gjë që e zhvesh plotësisht fjalën e mirë nga sinqeriteti dhe nga vlera

2.      Për të kërkuar më pas diçka.

Automatikisht të shkon mendja në servilizëm kur fjala e mirë thuhet nga njerëz, karriera e të cilëve lidhet drejtpërdrejtë me të lavdëruarin. Pika e dytë ka të bëjë me këdo që nis lavdërimet në qiell për të kërkuar pastaj çdo gjë: vend pune, para borxh, një qerasje, një emision, mbështetje etj. etj.

Mungesa e “arbitrave” të kualifikuar të cilësisë dhe të kritikës së sinqertë, ka bërë që të ndodhemi në vendin ku autoreferencat janë kthyer në modë.

E kështu, kohë pas kohe, vit pas viti, në vend që zemra jonë të hapet e të ketë vend për shumë njerëz e ngjarje, të preket e të bëhet plot dhembsuri për këdo që është për t’u mbështetur e promovuar, se  eshte një shembull i bukur i talentit dhe punës; është mpakur, zvogëluar pasi në të ka vend vetëm për vetveten.

Dikush e shpjegon si një sëmundje të provincës, ku edhe më i pavleri i fshatit, në horizontin e tij të vogël, është më i miri. Po Shqipëria ishte më e hapur, kur ishte më e mbyllur? Mos ndoshta drita e lirisë, në vend që të na ndriçonte na verboi më keq?

Drita e diellit ishte tepër e vështirë për njeriun e shpellave të Platonit. Ai doli i pari, ndërsa shokët e tij, që në lindje, ishin ende nën zinxhirë dhe bota e tyre ishin vetëm hijet që shihnin në faqet e shpellës. Sa kohë dhe kujdes do t’i duhej ta shpjegonte se jashtë shpellës kishte qiell, yje, lumenj, pemë, lule, kafshë. Do të rrezikonte edhe të vritej, sepse ata nuk do ta besonin, nuk do të mësoheshin shpejt me dritën e diellit në sytë e tyre. Do të vuanin siç vuajti ai.

Ndonjëherë vetëlavdërimet publike, apo lavdërimet vetëm për interes, të japin idenë se jemi edhe ne të verbuar nga drita e fortë e diellit, ndaj, me shpresën që ata që e kanë parë më parë dhe e kanë kaluar dhimbjen e kësaj drite, të tregojnë të vërtetën siç është, dhe sa më shpejt.