Many tears ago, Zoti urdhëroi ta kryeja shërbimin ushtarak tre vjet tornitor pranë një baterie kundërajrore në periferi të Vlorës. Jo brenda në Zvërnec, prej ku Zvërnecin nuk mundesh me e pa. Pak më në jug të Zvërnecit, nga ku Zvërnecit i dukej gjithçka, qielli, dielli, laguna, ishulli, pylli, manastiri.

Nga kapanoni ku flija, gjatë netëve të qeta kur binte heshtja, dëgjoja bombarduesit e NATO-s që kalonin mbi Zvërnec me një uturimë që dridhte krejt Gjirin e Vlorës. Sa ushtarët të vishnin pantallonat, shtrëngonin rrypat, mbathnin këpucët, vinin në kokë kapelet me yll, bombarduesi kishte ikur. Megjithatë, ushtarët vazhdonin të flinin mbi top edhe disa orë deri në agim me shpresë se do të vinte një tjetër bombardues ta asgjësonin me topa kinezë 57 milimetra. Por s'erdhi kurrë një i dytë.

Një pasdite si gjithë pasditet që i shtyja si Zangra i Jacques Brel-it në fortin e Beloncias, një avion i vogël mësimor rus nga ata të Shkollës së Aviacionit, një Yak i ndërtuar me dru dhe beze ngjyrë kaki, pasi bëri disa kollotumba mbi Zvërnec, u ngul në det në drejtim të Sazanit. Dhe u zhduk. Asnjë fjalë nuk u tha kurrë për çfarë ndodhi. Por, me siguri, "për trimin që ra duke mbrojtur atdheun nga armiqtë e egër", ndonjë këngë, a të paktën ndonjë pllakë përkujtimore me tekst rrenacak, diku mbërthyer me bulona mbi ndonjë mur, duhet të jetë.

Një herë tjetër, mbi qiellin e Zvërnecit u shfaq një aeroplan tjetër i vogël, jo me dru e beze si Yaku fatkeq. Pasi bëri disa xhiro rrotull Zvërnecit, krejt i pasigurt në manovrime, duke parë se pista e betonit ishte e bllokuar me fuçi, më së fundi u ul mbi pistën mësimore me bar. Dera u hap pas nja dy orësh kur erdhën dy ose tre civilë nga aeroporti. Aty për aty heshtje varri. Asnjë fjalë për këtë "shkelje kufiri". Të nesërmen, rast i rrallë, ndoshta i vetëm, i uljes së një aeroplani grek me një personalitet të shquar që në kujtesën time ka mbetur si Manolis ose Mihalis Glezios, por google search, gemini dhe chatgpt nuk e konfirmojnë, u dëshmua me një rresht të shkurtër te Zëri i Popullit.

Qyfyret e botës ndodhnin të gjitha në Zvërnec.

Komunistja Liri Belishova, për shembull, që s'kishte asnjë lidhje me clausura monastica, dhe dergjej natë e ditë në burg brenda një manastiri, është e para dhe e vetmja komuniste në botë që kaloi vite të jetës si murgeshë shembullore.

Qitjet stërvitore kundërajrore bëheshin nga Pishë Poro. Predhat kalonin mbi Zvërnec, pastaj në det.

Një oficer nga Smokthina kishte vite që eksperimentonte një lloj mortaje artizanale për të hedhur lart në qiell një si gjyle që, pasi të prekte qiellin, të shndërrohej në parashutë që ta godisnin predhat stërvitore. E gjeta dhe e lashë delirantin duke eksperimentuar idenë folklorike.

Një bateri kundërajrore me 6 topa 100 milimetra ndodhej në Zvërnec.

Më ka mbetur gjithashtu në mendje një episod mbi qesharaken mbrojtje të pathyeshme me hekur dhe beton të Gjirit të Vlorës. Një oficer nga Kuçi ose Tërbaçi më solli me ngut një gjilpërë topi që i ishte këputur maja e hollë. I thashë se, që gjilpëra e topit të mos këputej ose shtrembërohej nga goditja mbi gëzhojën, duhej çeliku i përshtatshëm. Më pa me qesëndi dhe më urdhëroi ta bëja me atë çelik që kisha. Ia bëra. Iku, ia vuri topit të Zvërnecit... që nuk shkrepi kurrë.

Nuk do ta harroj as në varr e përtej varrit pohimin më makabër që më kanë dëgjuar veshët:

"Vajzat zvërnecare dhe narqote janë elegante dhe të bukura, por prishen shpejt".

Pra, vajzat e Zvërnecit, elegante si flamingot dhe delikate si mjelmat, pasi punojnë 10 vjet me kazëm e lopatë në kooperativë, s'shifen me sy.

Ose, hiret që t'i fal Zoti, t'i vjedh partia.

E verifikova në vend gjatë vajtjeve në Zvërnec dhe Nartë. Po, 15-vjeçaret ishin përrira. 30-vjeçaret kishin marrë fund.

I thashë një ditë Maks D. nga Tirana, i vetmi që ia arriti të rregullohej me një zvërnecare:

-Zvërnecarja jote, a prishet shpejt?

-Unë prishem shpejt, tha Maksi, zvërnecakja prishet ngadalë.

Dhe, duke parë shushatjen time, shtoi:

-Gjithçka ndodh në vendin ku s'lënë Shenjtor pa e përdhosur.