Kujtim Shala:
“Kujtimi i Zonjës n’zi”

Kujtim Shala:<br />“Kujtimi i Zonjës n’zi”
“Çka do t’i mbetet artit sikur të hiqte prej vetes
kujtesën e dhimbjes së akumuluar…”.
Adorno                  
Libri më i ri me poezi i Kujtim Shalës është i gjashti i rradhës brenda harkut kohor 1998-2012: “Mërzi e Zezë” -1998, “Bukuria e Zemërimit”-1999, “Vjeshta e Shpirtit” – 2000, “Sagë”-2004, “Sendet”-2010 dhe vëllimi më i ri poetik “Kujtimi i Zonjës n’Zi”, 2012.       
    
Me ndonjë përjashtim të vogël, përkatësisht zhvendosje të lehtë, por gjithnjë duke ndejtur pranë vatrës së gjallë të mallit dhe dhembjes, të gjashtë librat e zëna ngoje në fillim të këtij shkrimi të Kujtim Shalës, bosht qendror frymëzimi kanë dashurinë, le të themi, dashurinë për Zonjën. Për më shumë, mund të thuhet se ata përbëjnë një të vetme vepër, përkatësisht një poemë lirike në gjashtë kapituj. Të gjashtë librat (kapitujt) e zënë ngoje“rrëfejnë”,brenda pesëmbëdhjetë viteve, këtë mall-dhembje kujtimi të zërit lirik, që pareshtur dhe rishtazi nga një kënd i ri, me një furi të re emocionale, furi të cilën nuk e zhvendos për asnjë çast dhe nga asnjë perspective nga vëmendja e refleksit. Dhembja dhe malli ndërsa, plagë e hapur, edhepse në secilën kapitull, me veshje dhe ngjyrim emocional dhe refleksiv të ri, do do mbesin vatër frymëzimi të përhershme.

Në këtë vijë dhe këtë frymë konstante vjen edhe kapitulli më i ri i poemthit “Zonja n’Zi” i cili, të paktën si veshje diskursi përafron me tre kapitujt e fillimit poetic të Shalës, siç mund të vihet re lehtë edhe nga titujt e tyre: (“Mërzi e zezë”, “Bukuria e zemërimit”, “Vjeshta e shpirtit”) të cilat që në kontaktin e pare na ndjellin hapësirën e disponimit gri, të veshur zi dhe, duke mbajtur zi, në pritje dhe dëbim gjithashtu të pandërprerë të atij kujtimi që sjell sëmbim therrës dhe lumturim të etertë, përftim iluziv…

Kapitulli, përkatësisht, libri që vjen pas tre titujve të parë,“Saga”-2004, ndërsa, rrezaton drejtpeshim emocional brenda intimës së sagës familjare, në gjirin e së cilës natyrshëm dhe në qetësi të trazuar ateron edhe e adhuruara e munguar e zërit lirik. Libri i rradhës “Sendet”-2010 shfaq dhe shpalos perspektivë lirike më refleksive: marrin ose nuk marrin pjesë ato, sendet përreth, në vuajtjen e mallit, të dhembjes, të zërit,  janë apo s’janë në zi, të ndijshme apo të pandishme përballë dashurisë trandëse, janë dëshmitare të përjetshme apo kalimtare, të kësaj zije me jehonë tokeqiell, të jetë e regjistruar kjo stuhi shpirti e pa ndërprerë edhe në qeninen e tyre,- jepemerr zëri lirik, të qënkësh i tëri i rrethuar nga një ambient të verbër e shurdh për tërë ç’ngjan në shpirtin dhe mendjen e tij ?

Por le të përmendim  edhe një veçanti tjetër lidhur me botimin e kësaj vepre në gjashtë hapa-variacione: në një ambient dhe përditshmëri gri dhe të pandijshme, brutale, deri në egërsi, siç ështy ky ambient i joni, vjen poemi intim me bosht qendror dashurinë; vjen libri i ngarkuar emocione të fuqishme, therrëse dhe të bukura bashkë të njeriut, të poetit dhe filozofit Kujtim Shala, zë që përjashton dhe i përjashtuar njëherësh; i fuqishëm njësoj  në këtë radhë vjen edhe kapitulli më i ri i këtij megalibri “Zonja n’Zi”, vjen i hapur me gjuhë dhe ndjeshmëri të afërt të kohës, vjen diskurs lirik me veçori  artikulimi harmonik, specter emocionesh sa përplasëse dhe përjashtuese, përplotësuese dhe pajtuese, fenomen estetik që do të duhej të tërhiqte vëmendjen e lexuesit, edhe për kontrastin ballë thatësisë shpirtërore tonën. Për më shumë, do të pritej të tërhiqte vëmendjen dhe nxiste kërshërinë, edhe për faktin që Kujtim Shala është autor i rreth njëzet titujve të rëndësishëm diskursivë, toni gri që shtrihet bindshëm në tërë hapësirën poetike, nxitet edhe nga ambienti i thatë, i zhveshur i realitetit tone.

Poemthi në fjalë, përkatësisht kapitulli më i fundit i tij, njësoj si tërësia brenda gjashtë botimeve, është prodhim estetik i kujtimit të një kohe të ikur po fuqimisht të pranishme në qenien e zërit lirik, ngarkuar me plagën e hapur për Zonjën dhe të Zonjës, pleksje emocionesh derdhur në një shtrat trazuar stuhishëm. Vjen prodhim artistik i vetmisë, i një vetmie të cilën e gryen së brendshmi prania e munguar e dashurisë, që, në çaste sjell dritë gëzimi përftues, si vegim sekonde që zhduket tej dhe len terr të plotë, të përhershëm, të pangushëllueshëm; një rreze që zhduket fluturimthi, vjen dhe shkrep vetëm sa për të dëshmuar praninë e munguar dhe mallin e trandur, të egër në çaste dhe që është burim i parë i  vuajtjes që nis gjithnjë rishtazi, gjithnjë nga e para. Në këtë frymë ecën edhe përmbyllja e poemthit “Zonja n’Zi”, në frymën e mungesës së madhe, në frymën e boshit humnerik.

Përftimi mashtrues i një rrezeje që vetëm sa futet si një therrje, si një sëmbim i hidhur, i padurueshëm nga brenda, dhe që në vend të kujtimit lumturues ajo vetëm fshik plagën përherë të hapur, lojë dritë-terri, perkëdhelje dhe vrasje, e që në artin poetik të Kujtim Shalës vjen e priturepapritur, e thirrurepathirru, në veshje, butësi e egër, gjithnjë si një përjetim i parë, si një shkrepje në ambient dhe tokë rishtazi të njejtë dhe të ndryshuar, lojëdramë shpirtërore e hapur. Ajo s’do të reshtë së arrdhuri valë-valë, si shkrepje e rrezes mashturese, njësoj si vajtjearrdhjet e rebelimit lirik, jehona-depërtim në hapësirën e pafund, përtej së kapshmes, duke lënë vetëm vegimin e imazhit të tretur stuhishëm në asgjënë, në boshin e universit, në pafundësinë e gjithësisë, mirazh i rrejshëm, iluzion, si çdo gjë që prek, që ka, që ke e që ka ikur për asgjëkundi; është kujtimi që të flak dhe e flak përplasshëm, që të mban dhe e mban pranguar, që e sundon sovran i dëbuar dhe rob i lumturuar që e ushqen muzën poetike të Kujtim Shalës; vazhdimësi dramatike e ndjenjës si bashkim e ikje reciproke, e ndërsjellë; mbase pika apsolute e dashurisë, vërvitje tej, përtej vetes, - s’ka nisje, s’ka sosje, s’ka fillim, s’ka mbarim pos përjetësi…
Në gjirin e kësaj hapësire të pafundshme intensiteti emocional, të dy palët, zëri lirik dhe Zonja n’Zi, janë gjithashtu paskajshmërisht të hapur, furia e tyre shpengon, flak tutje pengesa dhe hap, sjell mundësi të reja shprehjeje, e ngre diskurin poetik përtej konnvencave… 

Shkrimi u publikua sot (6.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë